E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ivanaj: Nuk do shtyhet hapja e shkollave

 

Shkollat do të nisin në afatin e caktuar, ndonëse frika për përhapje masive të gripit të derrave mbetet prezente. Këtë konfirmoi dje zv/ministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj. Ai sqaroi  se direktivat e para të Organizatës Botërore të Shëndetësisë lidhur me nisjen e sezonit arsimor janë për informim, dezinfektim dhe pajisje me materiale mbrojtëse. “Më vonë, Shqipëria do të jetë gjithmonë në zbatim të urdhrave të dhëna nga OBSH-ja për pasjen e gjendjes në kontroll. Por në kushtet aktuale nuk mund të merret një vendim për shtyrje të vitit shkollor”, tha Ivanaj.  Sakaq, përsa i takon vaksinave të thjeshta të gripit sezonal, ende sektorët e shëndetësisë shqiptare nuk kanë bërë kërkesë për furnizim. Kjo pasi në vendet e zhvilluara nuk janë kryer testet klinike për efektshmërinë dhe efektet anësore të kësaj vaksine. Firmat farmaceutike kanë marrë parasysh parashikimin e tipave të viruseve që do të jenë në qarkullim në Hemisferën Veriore dhe atë Jugore për të përgatitur më pas vaksinën e thjeshtë të gripit për vitin 2009. Deri në dhënien e përfundimeve për efektshmërinë e këtyre dozave, mësohet se shëndetësia shqiptare nuk do të bëjë asnjë kërkesë. I mbetet sistemit privat farmaceutik, të bëjë furnizimin si në të gjitha vitet e tjera. Por këtë herë në numër më të madh. Të parët që duhet të bëjnë vaksinën janë personeli shëndetësor, punonjësit e porteve dhe aeroporteve, pacientët kronikë, fëmijët, mosha e tretë, gratë shtatzëna. Periudha më e mirë dhe më e favorshme e rekomanduar për qytetarët mbetet muaji shtator-tetor-nëntor. Më pas efektshmëria e tyre është tepër e ulët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›