E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, probleme edhe me frymëmarrjen

Virozat e stinës kanë rritur ndjeshëm numrin e pacientëve me probleme në rrugët e frymëmarrjes, në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Mjekët thonë se, krahasuar me muajin e kaluar, numri i vizitave është rritur, ndërkohë që disa prej pacientëve kanë shfaqur edhe komplikacione, duke vënë në rrezik edhe jetën e tyre. “Rastet me pneumoni dhe bronkopneumoni janë më të rritura se në muajt e tjerë të vitit. Ka raste më të shumta të pacientëve kronikë, janë shtuar me rëndime, me infeksione dytësore, si rezultat i këtyre virozave. Raste të rënda ka patur nga gripi sezonal. Ka pasur madje dhe raste që janë vendosur në reaminacion me frymëmarrje të drejtuar”, - pohon Silvana Bala, shefe e shërbimit nr.2, pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”. Por, krahas gripit sezonal, mjekët e këtij spitali kanë rritur gatishmërinë edhe ndaj virusit A/H1N1. Ata shprehen se janë hapur dhoma të veçanta për trajtimin e pacientëve. “Është në gatishmëri të plotë reparti i reaminacionit, i cili ka në dispozicion katër respiratorë. Nëpër pavijone ekzistojnë dy dhoma të veçanta, që presin të sëmurë me komplikacione nga kjo virozë”, - shprehet Bala. Deri tani, në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, nuk është shënuar asnjë rast me gripin e derrit, ndërkohë që në vend, sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë numërohen rreth 80 pacientë me virusin A/H1N1, dhe situatën e epidemisë për sa i përket rasteve nga gripi sezonal. Ndërkohë që edhe pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, që pret edhe fluksin më të lartë të pacientëve me grip sezonal, numri i vizitave, kryesisht tek moshat pediatrike është i lartë. “Fëmijët janë numër shumë i madh pacientësh, që paraqiten çdo ditë te Urgjenca e Pediatrisë për gripin A dhe gripin B sezonal. Atyre pacientëve që janë të dyshuar për gripin e derrit, ai kontigjenti i vogël, pozitiviteti i mostrave ka dalë 60 për qind. Pra, jo të gjithë popullatës, pacientëve, pra, ka një prevalencë të lartë brenda grupit të dyshuar”, - ka pohuar nëndrejtori i QSUT-së, Mehmet Hoxha. Ndërkaq, në kushtet e epidemisë së gripit, autoritetet e shëndetësisë kanë marrë dhe masat përkatëse, me hapjen e 6 dhomave të veçanta, për trajtimin e këtyre pacientëve që shfaqin komplikacione. Sipas mjekëve, problematikë e këtij grupi pacientësh janë komplikacionet që mund të lërë ky grip, duke filluar që nga astelia, pra dobësimi i trupit, sinozitet, bronkitet, bronkopneumonitë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›