Gripi, rrezikojmë të mbetemi pa vaksina
Zirina Llambro
Nuk është çështje parash, por çështje aksesi te firmat që prodhojnë vaksinën e gripit të derrave. Shqipëria ka shanse të pakta për të siguruar brenda nëntorit një sasi dozash të kësaj vaksine.Për më tepër vështirë se do të arrihet të furnizohemi në kohë edhe me vaksinën e gripit të zakonshëm. Kjo pasi tregu botëror është i zbrazur. Paralajmërimi vjen nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, firmat farmaceutike po prodhojnë paraprakisht për vendet e tyre si dhe po përpiqen të mbulojnë ato shtete me të cilat i kanë lidhur tashmë kontratat. Në një kohë që mbi 135 shtete të botës janë të interesuar të blejnë këtë vaksinë, lista e porosive është e gjatë. Nga sa bën me dije Instituti i Shëndetit Publik ende nuk ka një afat të përcaktuar për mbërritjen e vaksinave, ndërkohë që mediat ndërkombëtare referojnë se shumica e stoqeve të vaksinave të thjeshta janë blerë me shumicë nga një pjesë e mirë e vendeve të zhvilluara. “Edhe nëse arrijmë të sigurojmë një sasi dozash gjasat që t’i marrim në nëntor atëherë kur nis sezoni i gripit janë të pakta. Ndaj vaksina kundër AH1N1 mund të vijë në muajt janar e shkurt kur efektshmëria në popullatë është e ulët. Kjo pasi për të evituar prekjen nga gripi muajt tetor e nëntor janë të këshillueshëm për të bërë vaksinën”, nënvizojnë specialistë të ISHP. Ndërkohë, vaksina kundër gripit të derrave vijon të testohet dhe do të jetë gati për treg në muajin tetor. Sipas departamentit të Epidemiologjisë, në Institutin e Shëndetit Publik, ende nuk dihet se cila do të jetë përbërja ekzakte e saj.
Fondet dhe masat
Deri me tani nuk ka fonde të akorduara posacërisht për këtë lloj vaksine. Vendi ynë nuk përfiton para nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi të ardhurat për frymë përllogariten të jenë mbi 1000 dollarë në vit, çka do të thotë se nuk futemi në listën e vendeve shumë të varfra. Por gjithsesi është plani për grupet e riskut që do të vaksinohen. Si fillim është përcaktuar të vaksinohen të parat gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, kardiovaskulare, diabet etj., punonjës të shëndetësisë, punonjës të institucioneve të rëndësishme dhe fëmijët. Në fazën e parë janë menduar të vaksionohen gjithsej rreth 300 mijë persona për të cilët kërkohet një fond prej 3 milionë dollarë dhe nga këto janë siguruar vetëm 400 mijë dollarë nga një projekt i Bankës Botërore. Specialistët në Institutin e Shëndetit Publik po analizojnë çdo ditë mostra të reja të dyshuara dhe po japin këshillat për të qenë të përgatitur për sezonin e vjeshtës. “Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara shkon në 16. Grupmosha më e prekur është 25-30 vjeç që është edhe mosha më aktive dhe më e prekura në të gjithë botën. Ne analizojmë deri në nivelin e gripit A dhe për konfirmim i çojmë në institucione të tjera”, u shpreh specialisti i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku. Ndërkohë, sipas tij janë dhe 2 raste të tjera të dyshuara për virusin A -H1N1, mostrat e të cilëve janë dërguar për t’u analizuar po në Laboratorin e Referencës Rumani. Çdo ditë në këtë laborator nisen mbi 15 mostra. Përgjigjet vijnë pas një jave kështu që për çdo rast të dyshuar duhet të jenë vetë mjekët që të vendosin për mjekimin.
Infektivi, pa sallë reanimacioni
Salla e reanimacionit në spitalin infektiv duket se nuk do të jetë gati as në muajin shtator, kur pritet të kemi rritje të numrit të së prekurve nga virusi A/H1N1. Kjo në një kohë kur përfaqësuesit e OBSH kanë rekomanduar që duhet të sigurohet një numër i konsiderueshëm shtretërish të lirë, në mënyrë që të priten rastet me komplikacione. Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” nuk ka fonde të mjaftueshme për të krijuar dhomat e oksigjenimit në spitalin infektiv, për rastet që mund të shfaqen me simptoma të rënda e do të trajtohen në spital në periudhën e gripit të zakonshëm. Gjithashtu, për shkak të punimeve tepër të ngadalta edhe laboratori i virologjisë pranë ISHP-së nuk përfundon në afatin e caktuar ndaj do të duhet që mostrat e dyshuara të dërgohen për t’u analizuar në Bukuresht dhe rastet me grip konfirmohen atëherë kur pacientet e prekur janë shëruar.