Serbia proteston: Deklarata e Berishës është provokuese
Ministria e Jashtme serbe i ka dërguar një notë proteste të ngarkuarit me punë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd, duke dënuar deklaratën e kryeministrit tonë, Sali Berisha. "Ministria e Punëve të Jashtme e dënon shumë ashpër deklaratën provokuese të kryeministrit shqiptar, e cila cenon fort sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë", thuhet mes të tjerash në njoftim. Sipas Ministrisë së Jashtme të Serbisë, të ngarkuarit me punë të ambasadës së Shqipërisë në Beograd i është bërë e ditur se deklarata të tilla dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal. Në një intervistë për TV Klan, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kërkon bashkim kombëtar për shqiptarët në rajon. "Raporti im me faktorin politik në Kosovë është i shkëlqyer. Unë kam marrëdhëniet më të mira, më vëllazërore, si me koalicionin qeveritar, ashtu edhe me opozitën, dhe jam i bindur se ky rregull funksionon dhe duhet të funksionojë edhe për autoritetet apo spektrin politik të Kosovës. Në të gjithë qëndrimet tona, unë gjykoj se ne nuk duhet të bëjmë dallime, përsa i përket përkatësive partiake", tha Kryeministri. Berisha theksoi se, "marrëdhëniet e mia me zotin Thaçi janë të shkëlqyera, dhe ajo që unë dua të shpreh këtu, në projektin e interesit kombëtar, sepse interesi kombëtar është i pari, dhe interesi kombëtar i yni pas realizimeve të gjërave më të mëdha, siç është pavarësia e Kosovës, Shqipëria në NATO ka projektin e vet për t'u realizuar. Ky projekt konsiston në bashkimin e kombit shqiptar, në zhdukjen e pasojave të ndarjes së padrejtësisë ndër më të mëdhatë që Evropa ka njohur ndonjëherë, ndarjes së tij", tha kreu i Ekzekutivit.