Afganistan, seri sulmesh talebane, goditet Presidenca, NATO e policia
Dy ditë para zgjedhjeve presidenciale tensioni mbetet i lartë në Afganistan pas goditjeve të shumëfishtë të talebanëve. Një raketë u hodh në Kabul në pallatin presidencial dhe një tjetër ka goditur rajonin qendror të policisë. Këto dy sulme të mëdha janë pasuar nga sulme të tjera me shpërthime në të gjithë territorin e vendit, që në orët e para të mëngjesit. Në qendër të sulmeve ka qenë edhe Isaf dhe qendrat e votimit. Dhjetëra të vdekur në sulme të ndryshme dhe shumë të plagosur. Sulmi i dyfishtë me raketa ishte sfida më madhe e rebelëve kundër institucioneve afgane. Burime të forcave lokale të sigurisë kanë konfirmuar se raketa e parë ra mbi ndërtesën e Presidencës së Republikës, duke shkaktuar dëme të forta në strukturën e saj; më pas ishte radha e rajonit qendror të forcave të policisë që u goditën nga një raketë në një distancë shumë të afërt. Sulmet kanë marrë autorësinë e talebanëve pas deklaratës së zëdhënësit të tyre, Zabihullah Mujahid, i cili foli nëpërmjet një telefonate satelitore të palokalizuar nga autoritetet. Ai shtoi se ishin përgatitur katër raketa, por nuk specifikoi se cilat ishin shënjestrat e tyre. Ndërsa në një rrugë të Kabulit një vetëvrasës ka shpërthyer veten. Shpërthimi ka ndodhur në një zonë lindore të kryeqytetit afgan, ku ndodhen edhe ushtarakë të forcave ndërkombëtare, gjatë kalimit të një kolone të Isaf (komanda e NATO-s). Talebanët thanë se kanë hedhur një raketë edhe në aeroport, por burimet ushtarake e mohuan këtë lajm, duke siguruar mbrojtjen e tij.