E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, liberalizim tregut të telekomunikacionit



Qeveria synon liberalizimin e tregut të telekomunikacionit dhe forcimin e konkurrencës. Këtë e bëri dje të ditur ministri i Shtetit Genc Pollo gjatë forumit të parë të telefonisë shqiptare. Pollo vuri në dukje se shpërndarja e telefonisë celulare në Shqipëri është mbi 100%, shifër kjo gati e njëjtë me mesataren e Bashkimit Evropian. “Ligji i komunikacionit elektronik i miratuar në maj të vitit të kaluar theu një sërë barrierash për hyrësit e ri në treg të telefonisë celulare. Gjatë këtij procesi të hapjes së tregut janë kryer dhe shumë privatizime dhe së fundmi kemi dhe licencimin e operatorit të katërt të kompanisë celulare”, - deklaroi z. Pollo. Sipas ministrit, vend shumë të rëndësishëm në këtë treg zënë dhe investimet e kompanive të huaja. Ai bëri të qartë: “Në këtë sektor vend shumë të rëndësishëm zënë dhe investimet e huaja falë politikave të hapura për investimet e huaja nga qeveria. Në treg tashmë aderojnë mjaft kompani të huaja”. Ministri Pollo u shpreh gjithashtu se Shqipëria në moshën dixhitale mbetet një nga prioritetet më të rëndësishme të katërvjeçarit, pavarësisht se deri tani përhapja e internetit nuk është në nivelet e duhura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›