E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-shefi i Shtabit, Hoxha: Inspektimi im i vetëm në Gërdec

Ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha pohon para gjykatës se urdhri për fabrikën e Gërdecit ishte firmosur nga ish-ministri. Tregon se në Gërdec kishte qenë vetëm 1 herë, ku kishte komunikuar me amerikanët

Tiranë Teksa procesi ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit po shkon drejt fundit, gjykata ka thirrur për të dëshmuar në seancën e djeshme, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha. Gjatë dëshmisë para togave të zeza, gjeneral Hoxha ka deklaruar se vendimi për caktimin e Gërdecit, si vendi ku do të kryhej demontimi i predhave, është marrë nga ish-ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, pa u konsultuar më parë me Shtabin e Përgjithshëm. Në dëshminë e tij, ish-shefi i Shtabit sqaroi edhe procedurën që fillimisht ishte ndjekur për caktimin e vendit kur do të kryhej procesi i demontimit. Gjenerali tha se fillimisht ishte përcaktuar fshati Bërzhitë i Tiranës, si vend demontimi, për të cilën pas kërkesës që u bë nga Ministria e Mbrojtjes, dhe pas verifikimit të specialistëve, Shtabi i Përgjithshëm e rrëzoi si mundësi. Por Hoxha, tha se me një vendim tjetër, ministri Mediu e firmosi Gërdecin pa dërguar ndonjë kërkesë për aprovim, duke anashkaluar kështu në këtë vendimmarrje Shtabin e Përgjithshëm. Ai sqaroi se ky urdhri i ministrit ka ardhur për zbatim disa ditë pasi ishte firmosur dhe në zbatim të ligjit, duhej firmosur për zbatim dhe firma u hodh nga drejtori i kabinetit të Shtabit të Përgjithshëm, në mungesë të ish-gjeneralit. I pyetur përse ky urdhër nuk është kundërshtuar nga ana e tij, ish- shefi i Shtabit të ushtrisë shqiptare tha se Ushtria nuk mund të kundërshtonte me një urdhër të dalë nga Ministria e Mbrojtjes. Më tej, gjenerali pohoi se kishte inspektuar fabrikën e demontimit të predhave në Gërdec, ku sipas tij ka qëndruar për disa minuta. Inspektimi ka pasur si qëllim anën ushtarake, për të cilën Shtabi kishte detyrim në bazë të ligjit. Në këtë vizitë, i pranishëm në Gërdec, sipas Hoxhës, kanë qenë disa amerikanë të kompanisë SAC, si dhe administratori shqiptar i kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji. “Kam qenë në Gërdec, së bashku me Zija Bahjën, kam komunikuar me persona ushtarakë dhe kam parë masat që duhen për sigurinë ushtarake. Qëllimi im ishte të shihja strukturat ushtarake” - ka pohuar në dëshminë e tij, Luan Hoxha. I pyetur nëse personat që ka takuar kanë shfaqur ankesa për procesin e demontimit, gjeneral Luan Hoxha ka deklaruar se administratori amerikan ka kërkuar më shumë furnizim me fishekë për demontim. Më tej, gjenerali ka shpjeguar se nuk ka qenë në dijeni të urdhrit nr. 550, të ministrit të Mbrojtjes që urdhëronte ushtrinë shqiptare të kalonte municion te ndërmarrja “Meico” me qëllim demontimin, urdhër me të cilin është njohur vetëm për ekzekutimin e tij. Dëshmia e ish-kreut të Ushtrisë Shqiptare vjen gati në përfundim të procesit gjyqësor ndaj 29 të pandehurve që po gjykohen në Gjykatën e Tiranës.

“Gërdeci”, në fazën e dëshmive

Deri tani, gjykata ka pyetur disa prej të pandehurve, ndërsa në seancat në vijim do të merret dëshmia e gjithë të akuzuarve për këtë çështje. Konkluzionet e avokatëve dhe dëshmitarët e thirrur prej tyre, do të shënojnë fundin e një superprocesi që vazhdon prej dy vitesh në Gjykatën e Tiranës. Katër prej të pandehurve akuzohen nga Prokuroria për vrasje masive, ndërsa ushtarakët e zyrtarët janë akuzuar për shpërdorim detyre, në lidhje me procedurat e ndjekura për ndërmarrjen e demontimit të predhave në Gërdec. Nga shpërthimi i 15 marsit të vitit 2008, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën me qindra të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›