Grossruck uron Berishën për fitoren e mazhorancës në bashkinë e Tiranës

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim Wolfgang Grossruck, Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Grossruck për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në Evropë dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë. Z. Grossruck, pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, e uroi kryeministrin Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, e kandidatit të tij Lulzim Basha, në Bashkinë e Tiranës, duke u shprehur njëkohësisht se këto zgjedhje kanë qenë një moment i rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri. Më tej, Grossruck dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet. Kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme, si dhe i njohu me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on line elektronik përmes sistemit One Stop Shop, taksa, e-dogana, prokurimet elektronike, etj. Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të dy vendeve në shumë fusha si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zënë vendin e trete për sa i përket investimeve te huaja ne Shqipëri, në sektorë shumë të rëndësishëm si ai bankar, hoteleri turizëm, etj.
Topalli, Grossruck: Zgjedhjet e 8 majit, zgjedhjet më transparentet në histori
Kryetarja e Kuvendit takon Kryetarin e grupit parlamentar të miqësisë Austri-Shqipëri, Volfgang Grosruk. Si një njohës i mirë i Shqipërisë prej shumë vitesh, zoti Grossruck theksoi se në vitet e fundit Shqipëria ka një transformim të jashtëzakonshëm. Ai tha se infrastruktura, rrugët e gjithçka ka një ndryshim tërësor pozitiv. Kryetarja e Kuvendit tha se zoti Grossruck është një mik shumë i veçantë i shqiptarëve, ndërsa e falenderoi atë për kontributin e çmuar në mbështetje të Shqipërisë. Miqtë austriakë, të cilët këto ditë kanë udhëtuar përgjatë Shqipërisë, shprehën përshtypjet e tyre shumë pozitive. Duke i’u përgjigjur këtij interesi, kryetarja e Kuvendit i njohu me reformat ekonomike e legjislative për hapjen e një biznesi në Shqipëri, me procedurat transparente, sistemin favorizues të taksave me vendosjen e taksës së sheshtë 10%, me vijimin e rritjes ekonomike pavarësisht krizës globale dhe klimën shumë tërheqëse për bizneset. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli duke i’u referuar zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri, tha se këto ishin zgjedhjet me transparente. Diferenca e ngushtë e rezultatit tregon se zgjedhjet ishin të lira e shumë të ndershme. Ajo tha se të gjithë janë në pritje të finalizimit të procesit. Të gjithë duhet të kenë besim te institucionet e pavarura të Shqipërisë dhe në fund, rezultati duhet të pranohet.
Jorida Tabaku: Çdo përpjekje për të dëmtuar procesin zgjedhor, dëmton të ardhmen Evropiane të Shqipërisë
Ne jemi dakord me Partinë Socialiste se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është jetik, ndërkohë që vazhdon procesi ligjor për të vendosur mbi rezultatin e ngushtë në zgjedhjet e Tiranës. Megjithatë, i kujtojmë Partisë Socialiste, se Europa nuk kërkon të shohë se kush fitoi apo kush humbi, por nëse procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të ndershme, transparente dhe sipas ligjit. Çdo deklaratë e ndërkombëtarëve ka theksuar nevojën për vendime të bazuara në ligj, dhe jo sipas interesave politike. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar të dy palëve politike, që të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit në Shqipëri. Partia Demokratike është e angazhuar në këtë drejtim. Çdo përpjekje për të dëmtuar procesin ligjor, duke ushtruar trysni ndaj kolegjit zgjedhor apo KQZ-se, në mënyrë që vendimet të merren mbi interesa politike, dhe jo bazuar në ligj, vetëm sa dëmton integrimin europian të Shqipërisë. Partia Demokratike beson tek Kushtetuta e Shqipërisë dhe Ligjet Ndërkombëtare, që thonë se çdo votë është e barabartë dhe se çdo votë duhet vlerësuar drejt. Përse Edi Rama vazhdon ta mjegullojë çështjen, në vend që të pranojë se ai ka frikë nga respektimi i këtyre parimeve. Sepse ai ka frikë nga vendimet e institucioneve të pavarura, nga numërimi i çdo vote, nga dëgjimi i zërit të çdo qytetari.
...