E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rexhepi si Hyypia

Mbrojtësi kosovar i Honkas, Lum Rexhepi nga mediat finlandeze ka filluar të krahasohet me Sami Hyypian. 18 vjeçari synon ta dëshmojë vetën në Veikkausliiga, ndërsa shpreson ta ndjekë rrugën e ish yllit të Liverpoolit. Nga Valdet Hasani më 26 shkurt 2011 në ora 13:25

Mbrojtësi kosovar i skuadrës finlandeze Honka, Lum Rexhepi, pritet të jetë futbollisti i radhës, i cili do të bëjë emër, sikurse shumë lojtarë shqiptarë që aktivizohen nëpër liga të ndryshme evropiane.

18 vjeçari ka treguar paraqitje të mira në League Cup, e cila zhvillohet para fillimit të sezonit në elitën e futbollit finlandez (Veikkausliiga), duke shënuar dy gola në katër ndeshje.

Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme, mbrojtësi i gjatë 192 centimetra nga mediat finlandeze ka filluar të krahasohet me legjendën e këtij vendi, Sami Hyypia. E përditshmja finlandeze Iltalehti shkruante se Rexhepi është Hyypia i ardhshëm.

“Mendoj se i ngjaj Hyypias sepse kam stil të njëjtë sikurse ai. Luaj në pozitën e njëjtë, jam i gjatë dhe goditjet me kokë i kam shumë të mira. Hyypia është legjendë dhe shpresoj ta ndjek rrugën e tij”, ka thënë Rexhepi për Express.

Rexhepi ka sanuar një lëndimi, i cili e ka mbajtur jashtë fushës sezonin e kaluar. Kosovari me pasaportë finlandeze në sezonin e ri pritet të jetë pjesë e ekipit të parë të Honkas, ku u transferua në verë të vitit 2010 nga Helsinki.

“Kam zhgjeshur Honkan për të depërtuar me shpejt në ekipin e parë, sepse Helsinki është ekip më i madh dhe është më vështir të depërtosh. Kam biseduar me trajnerin dhe më ka thënë se këtë sezon do të luaj me ekipin e parë”, thotë Rexhepi i cili me Honkan ka kontratë deri në vitin 2013.

Rexhepi synon ta ndjekë rrugën e vëllezërve Shefki e Njazi Kuqi dhe Përparim e Mehmet Hetemaj, të cilët nga futbolli finlandez kanë arritur të transferohen te klube më të mëdha evropiane.

“Plani im është që të luaj dy sezone të mirë në Finlandë e më pas të transferohem në një ligë më të fortë. Mendoj se futbolli gjerman do më përshtatet më së shumti”, u shpreh mbrojtësi me prejardhje nga Ferizaj.

I gatshëm për Kosovën

Mbrojtësi shtatlartë deri më tani ka luajtur për përfaqësuesen U16, U17, U18 dhe U19 të Finlandës. Nëse tregon lojëra të mira, 18 vjeçari thotë se ka shumë mundësi që të ftohet edhe nga ekipi i shpresave finlandeze.
Por, ai nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen e afërt ta veshë edhe fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

“Nëse me vjen një ftesë nga selektori i Kosovës, do të kisha dëshirë që të luaj. Por, nuk e di se a do mundem ta përfaqësoj Kosovën, pasi kam luajtur për ekipet zinxhir të Finlandës”, përfundoi ai.

Rexhepi vitin e kaluar ishte shpallur lojtari më i mirë i përfaqësueses U18 të Finlandës, në një turne që ishte mbajtur në Rusi, ku pjesëmarrëse ishin edhe Rusia, Ukraina, Turqia, Azerbajxhani, Belgjika, Uzbekistan dhe Bjellorusia.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›