E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja denoncon burrin: Më rreh prej 8 vjetësh

Librazhd- Një grua nga Librazhdi denoncon bashkëshortin e saj duke e akuzuar për dhunë dhe keqtrajtim të vazhdueshëm fizik ndaj saj. Sipas saj, gjithçka ka nisur kur vajza ishte 15- vjeç dhe sapo ishte martuar.

“Unë kam shkuar në policinë e Librazhdit dhe kam denoncuar rrahjet që më ka bërë burri por asgjë nuk ka ndodhur pasi ai ka shumë miq në polici. Tani unë kërkoj ndihmë nga shteti dhe për këtë arsye kam ardhur këtu në Tiranë për të bërë denoncim në polici. Dua që ai njeri të marrë atë që meriton”,- tha vajza 23-vjeçare duke treguar shenjat e shumta të dhunës.

Fytyra e saj ishte e gjitha e fashuar ndërsa në krahë e trup dukeshin qartë shenjat e goditjeve të burrit. “Unë kërkoj të ndahem nga ai dhe të marr vajzën tonë. Kam tetë vite që rrihem sistematikisht prej tij. Në sy dhe hundë më ka qëlluar me mashën e sobës, atë që përzien prushin. Më ra të fikët dhe kur u zgjova e gjeta duke më rrahur sërish. Më ka goditur në të gjithë trupin dhe kam shenja të shumta”,- thotë ajo duke treguar mishin e nxirë.

Në lidhje me këtë ngjarje policia e Elbasanit ka pohuar se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për të akuzuarin, banues në fshatin Stërblevë të Librazhdit, pasi ai akuzohet se për motive xhelozie ka rrahur bashkëshorten e tij, e cila ka marrë mjekime në spitalin e Librazhdit. Ai akuzohet për veprën penale plagosje me dashje.

Por të afërmit e vajzës kanë deklaruar se policia është treguar neglizhente ndaj këtij rasti duke mos marrë asnjë veprim konkret ndaj bashkëshortit dhunues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›