Jaupllari: Po cenohet cilësia dhe siguria e banave
Urdhri i Farmacistëve konteston ndryshimet e ligjit “Për barnat dhe Shërbimin Farmaceutik”. Po legalizohet kontrabanda e barnave
Cilësia, siguria dhe efikasiteti i barnave nuk do të jetë i garantuar. Madje po lejohet legalizimi i tregut informal dhe kontrabandës së barnave. Këto janë argumentet kryesore që bën Urdhri i Farmacistëve në Shqipëri për të kontestuar ndryshimin e Ligjit Nr.9323, datë 25.11.2004 “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik”. Presidenti i UFSH-së, Arjan Jaupllari pohon se ky projektligj i paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë dhe tashmë i miratuar në Këshillin e Ministrave, është i kontestueshëm nga të gjithë aktorët e shërbimit farmaceutik. Ndërkohë ai paraqiti të gjitha argumentet që kundërshtojnë këto ndryshime dhe pasojat që sjell ky ligj për shëndetin e popullatës dhe sektorin farmaceutik.
Argumentet
Kontestimi i Urdhrit të Farmacistëve për ndryshimet në ligjin “Për barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” fillon nga neni 24, për tregtimin me shumicë të barnave. Sipas Jaupllarit ky nen, së pari, bie ndesh me propozimin e Ligjit për Kujdesin Shëndetësor. “Së dyti, veprimtaria e tregtimit me shumicë të barnave nuk është e kufizuar brenda një njësie vendore të varur nga ndonjë Drejtori e Shëndetit Publik, por ajo shtrihet në gjithë Shqipërinë, që do të thotë se del jashtë autoritetit që paraqitet në këtë ndryshim”,- pohon Jaupllari duke shtuar se sipas direktivave të Komunitetit Europian për qarkullimin e barnave, licencimi i këtyre veprimtarive bëhet nga struktura të specializuara të fushës, pra Drejtorinë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Në bazë të këtij neni, sipas Jaupllarit, rezulton se licencimi i një veprimtarie në fushën e tregtimit me shumicë të barnave nuk ka nevojë për farmacist. Ndërsa, neni 25, “Drejtuesi Teknik i Shpërndarësit Farmaceutik”, kundërshtohet nga Urdhri i Farmacistëve pasi përforcohet ideja e rrëzimit fare të licencimit sipas licencës së drejtuesit teknik. Duke e paraqitur farmacistin si një person që mund të shkojë të punojë në një veprimtari të licencuar dhe të përgjigjet për gjithë veprimtarinë edhe teknike, kur teknikisht nuk është pyetur si i tillë. Këtu, sipas Arjan Jaupllarit, bëhet fjalë për drejtuesin teknik të shpërndarësit farmaceutik, konceptimi është krejt i ndryshëm nga neni 25 i Ligjit ekzistues, i cili bën fjalë për licencimin. Gjithashtu edhe neni 32, kundërshtohet pasi Urdhri i Farmacistëve bën me dije se në draftin e paraqitur nenet 32, 33, 34 janë bashkuar në një të vetëm dhe ky nen ka rrëzuar tre konceptet bazë të shërbimit në farmaci. “Së pari, farmacia mund të hapet nga kushdo, pa qenë nevoja e farmacistit, ai mund të thirret në një kohë të dytë, ose mund të mos thirret asnjëherë për të drejtuar farmacinë”,- pohon Jaupllari duke argumentuar se një farmacist mund të drejtojë disa farmaci. Në bazë të këtij neni, në farmaci mund të punojnë pa praninë e drejtuesit teknik dhe nd/farmacistë, madje ata mund të drejtojnë dhe farmacinë e hapur nga një pronar i çfarëdoshëm. “Për sa shprehim më sipër ky nen shkakton kaos në shërbimin farmaceutik dhe i jep atribute që nuk i kanë fituar nga shkolla, personave pa kualifikimin e nevojshëm”,- thekson Jaupllari. Tepër i kontestuar është edhe neni 31, për uljen e përvojës në punë nga tre vjet, në një vit, ku sipas Urdhrit të Farmacistëve ky nen nuk duhet jetë për farmacistin që do ushtrojë profesionin si i pavarur. “Në të gjitha vendet e KE, drejtuesi i farmacisë është farmacisti i kualifikuar, që presupozon përvojë në farmaci mbi tre vjet, në disa vende shkon dhe mbi pesë vjet”,- pohon Jaupllari duke shpjeguar se farmacisti, përveç dijeve shkencore që fillon t’i verë në zbatim me ushtrimin e profesionit, mëson dhe praktikon artin e ushtrimit të profesionit dhe komunikimit me të sëmurin në përputhje me Kodin Deontologjik Farmaceutik. Gjithashtu presupozohet se drejtuesi i farmacisë do të jetë dhe mësuesi i farmacistëve pa përvojë. Pra, minimalisht duhet të jetë mbi dy vjet.
Sipas Jaupllarit, ligji i heq kompetencat QKKB-së për autorizimin e importit të barnave. Kjo bie ndesh me direktivat e KE-së
“Ligji lejon importin e barnave nga kushdo”
Veprimtaria e import-eksportit të barnave dhe importimi i barnave të regjistruara, në nenin 8 dhe 9, janë më të kontestuarat nga Urdhri i Farmacistëve Shqiptarë. Sipas Presidentit të këtij institucioni, Jaupllari, në këto nene, lejohet importimi i barnave nga të gjithë subjektet e licencuara për ushtrimin e veprimtarisë së tregtimit me shumicë të barnave, si dhe importimi vetëm në bazë të Regjistrit të Barnave dhe nga kushdo. Kjo, sipas tij, heq autorizimin e importit të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave që bie në kundërshtim me direktivat e Komunitetit Europian 2001/83/EC, të datës 06.11.2001, nenet 35 dhe 36, për qarkullimin e barnave dhe kontrollin në të gjitha hallkat e qarkullimit të tyre. Sipas tij, në nenin 35, thuhet se është e nevojshme të ushtrohet kontroll në lidhje me të gjithë zinxhirin e shpërndarjes së produkteve mjekësore nga prodhuesi i tyre, ose importi në Komunitet, deri tek dhënia publikut, me qëllim që të garantohet që këto produkte magazinohen, transportohen dhe trajtohen në kushte të përshtatshme. “Kërkesat që duhet të miratohen për këtë qëllim do të lehtësojnë dukshëm tërheqjen e produkteve me defekte nga tregu dhe lejojnë përpjekje më të efektshme kundër produkteve të falsifikuara”,- pohon Jaupllari. Ndërsa në nenin 36, sipas tij, çdo person i përfshirë në shpërndarjen me shumicë të produkteve mjekësore duhet të jetë në zotërim të një autorizimi të veçantë. Farmacistët dhe personat e autorizuar për t’i dhënë publikut produkte mjekësore, dhe që përqendrohen në këtë aktivitet, duhet të përjashtoheshin nga marrja e këtij autorizimi. Megjithatë, është e nevojshme, me qëllim që të kontrollohet i gjithë zinxhiri i shpërndarjes së produkteve mjekësore, që farmacistët dhe personat e autorizuar t’i ofrojnë publikut produkte mjekësore të sigurta dhe mbajtja e regjistrave për transaksionet me produktet e marra.
Ja pasojat që sjell ndryshimi i ligjit për popullatën dhe shërbimin farmaceutik
1.Destabilizimin e shërbimit farmaceutik.
2.Kthim 15 vjet mbrapa, që nga miratimi i ligjit të parë për barnat.
3.Mosgarantim të cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të barit.
4.Prishje të rregullave të qarkullimit të barnave.
5.Heqje të konceptit të pullës dhe çmimit të barnave.
6.Shkatërrim të skemës së Sigurimeve Shëndetësore.
7.Heqje të kompetencës së QKKB-së për kontrollin mbi barin, farmacistin dhe shërbimin farmaceutik.
8. Vërshim të barnave me skadencë të ulët ose të skaduara.
9. Legalizim të tregut informal dhe kontrabandës së barnave.
10. Largimin e kompanive farmaceutike multinacionale nga tregu
farmaceutik shqiptar.
11. Shkatërrimin e hallkave të shërbimit farmaceutik.
12. Humbjen e konceptit të deklarimit të çmimit të barnave.
13. Krijimin e mallrave stok, të cilat janë të destinuara ose të shiten në
mënyrë ilegale, ose të asgjësohen. Kthimi i Shqipërisë në Bajzë dhe
Portoromano.
14. Kthimi i vendit me një risk të madh për futjen e barnave të falsifikuara.
15. Mosgarantim të kushteve të ruajtjes gjatë transportimit të barnave.