E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, KESH, 100 MW energji borxh Greqisë

E përditshmja greke "Eleftherotypia" ka bërë të ditur, në një artikull të botuar gjatë ditës së djeshme, se Greqia është duke u përballur me temperatura të larta këtë verë dhe situata është rënduar më shumë nga furnizimi problematik me energji elektrike. Sipas të përditshmes greke, kompania shtetërore greke e Energjisë nuk mund që të përballojë nivele të tilla kërkesash dhe rreth 650 MW energji merret borxh nga Bullgaria, 200 MW nga Italia, 100 MW nga Maqedonia dhe 100 MW nga Shqipëria. Shkëmbimi i energjisë midis KESH dhe kompanisë greke, pranohet edhe nga burimet pranë Korporatës Shqiptare të Energjisë. Sipas burimeve, shkëmbimi i energjisë realizohet në favor të dy vendeve, duke kombinuar oraret. Ndërsa "Eleftherotypia" bën të ditur se Maqedonia dhe Greqia shkëmbejnë energji rregullisht, vetëm pak muaj më parë ishte Maqedonia që mori borxh energji nga Greqia, në një kohë që Parku Energjetik i Bitolës ishte në riparim. Kriza energjisë Sipas "Reuters" një numër i madh vendesh evropiane dhe të Lindjes janë përfshirë në një garë të zjarrtë për të ndërtuar centrale bërthamore, që do të mund të rrisin ofertën e energjisë dhe njëkohësisht, të plotësojnë kërkesat në rritje për këtë mall tejet të kërkuar. Një nga vendet që i ka çelur dritën jeshile ndërtimit të një centrali nuklear bërthamor është edhe Shqipëria. Ky projekt, sipas "Reuters", është duke u negociuar me qeverinë dhe kompanitë italiane. Kompania "Enel", sipas "Reuters" është duke shikuar mundësinë për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri. Kambana alarmi Që prej vitit 2002, kambanat e alarmit të krizë energjetike në rajonin e Ballkanit kanë qenë të shpeshta. Të gjitha vendet e kanë ndjerë krizën e kanë shtrirë dorën për të kërkuar para për energjinë, në çdo lloj konference donatorësh. Në vitin 2005, BE miratoi një kuadër bashkëpunimi që paralajmëroi se rajoni ka nevojë për një unazë energjetike për t'u integruar në këtë mënyrë me rrjetin europian të energjisë. Por nxjerrja e Ballkanit nga kriza kërkon investime që arrijnë në 15 miliardë euro dhe e përjavshmja prestigjioze britanike "The Economist", e konsideroi planin e BE-së, si një "ëndërr në diell". Dhe në Ballkan ka shumë "ëndrra në diell"... Të gjitha qeveritë e rajonit i pranojnë vështirësitë dhe kanë projekte për të shpëtuar nga kriza, por besueshmëria e këtyre projekteve është e dyshimtë. Kroacia, Bullgaria, Rumania, deri edhe Shqipëria, ëndërrojnë të zhvillojnë kapacitete të energjisë bërthamore. Vetëm në Rumani ka shanse që projekte të tilla të realizohen. Në Bullgari mund të realizohen, por kjo gjë do të kërkojë shumë kohë dhe derisa energjia bërthamore të mbërrijë, vendi do të ketë kaluar shumë vite krizë. Në Kroaci, ideja e energjisë bërthamore kërkon një investim prej 4 mijë euro për banor në trekatër vitet në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›