Sa shet Kombëtari
Biletat e shitura për katër prodhime të Teatrit Kombëtar fusin në arkën e shtetit 3 milionë e 600 mijë lekë. Drejtori Skrami: Në një sezon aq bileta sa janë shitur në dy vite, 2005-2006
Biletat e shitura për katër prodhime të Teatrit Kombëtar fusin në arkën e shtetit 3. 613. 000 lekë. Janë të sezonit janar-qershor 2008. Sipas zyrës së financës së TK, gjatë këtyre muajve janë shitur afërsisht 12.700-13. 100 bileta, shifra që e bëjnë plotësisht të kënaqur drejtorin Kristaq Skrami. Sipas një llogarie me mend, aty për aty, Skramit i del se kaq shumë bileta, madje më pak, janë shitur për dy vite bashkë 2005-2006ku janë shitur 12 mijë bileta. “Pra ne kemi arritur që për një sezon të shesim më shumë bileta se për dy vite bashkë”,- tha njeriu që e drejton Teatrin Kombëtar prej dy vitesh.
Sipas pasqyrës së shitjeve që na shërben drejtoria e financës rezulton:
“Pamje nga ura”, dramë nga Arthur Miller me regji të Albert Mingës, 6703 bileta për 19 shfaqje;
“Franku V” e Friedrich Durrenmatt, me regji të Arben Kumbaros me 1908 bileta të shitura për 10 shfaqje, plus 1200 ftesa;
“Apologjia e Sokratit” e Kostas Varnalisit, monodramë me Mirush Kabashin, 1350 bileta për 3 shfaqje, plus 100 spektatorë me ftesa;
Dhe premiera e dytë e këtij sezoni, “Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut, me regji të Altin Bashës me 1311 biletatë shitura për 8 shfaqje, plus 1300 spektatorë me ftesa.
Për “Trojanet” e Euripidit, premierë absolute për Teatrin Kombëtar, e vënë së fundi në skenën antike të Butrintit nga regjisori grek Vangelis Theodoropoulos, sipas zyrës së Marketingut, mësohet të jetë ndjekur nga 4000 spektatorë me ftesa, në Butrint dhe në Athinë ku u shfaq më 21 korrik në festivalin e teatrit në Virona.
Nga këto katër, dy janë premiera të sezonit, njëra i takon sezonit të kaluar dhe “Apologjia” që rikthehet herë më herë që nga viti 1997. Sipas të dhënave të mësipërme, duhet që salla e madhe të ketë qenë relativisht mirë e mbushur me spektatorë.
Në të dy skenat e Teatrit Kombëtar me 520 dhe 200 vende për muajt që flasim kanë ardhur shtatë prodhime teatrale nga kompani private dhe ndonjëe huaj. Ka qenë sezon i mbarë në këtë drejtim, burim që mendohej i dominuar nga TK dhe pothuaj i asfiksuar.
Megjithatë ky teatër mbetet pa kalendar, kanceri i institucioneve tona të kulturës.
Kalendari i tyre bëhet nga ç’t’u vijë në tryezë drejtorive dhe bordeve të ngathët dhe pa rol aktiv e imponues.
Nëse ky teatër do të kishte një ditë ditarin e shpallur të punës qysh në krye të vitit, atëherë do të ishte më i përgjegjshëm para publikut, sepse do të duhej të respektohet regjimi i skenës, i trupës dhe sigurisht nuk do të pinin ujë shifrat e mësipërme dhe nuk do të kishim këtë shkreti kulturore.
Duhet të jenë të rralla institucionet e artit në botë që flenë gjithë verës siç flenë institucionet tona.
Një institucion me kalendar, ja një nga gjërat e mira që parashikon plani për reformën e institucioneve të artit skenik, plan që aktorët e Operës, Baletit dhe Teatrit Kombëtar e kundërshtojnë.
Nëse një ditë kjo reformë do të bëhet, trupa e TK do të duhet tëvërë në skenë 5 premiera në vit dhe të rifreskojë nga repertori 5 të tjera.
Po ashtu, sipas këtij plani reformë i hartuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe që pritet të miratohet nga vjeshta, 60% e të ardhurave nga shitja e biletave kanë për të shkuar në arkën e institucioneve buxhetore dhe 40% i kalon shtetit. Sigurisht që 3. 613. 000 lekë të ardhura nga biletat e këtij sezoni që derdhen 100% në arkën e shtetit, përbëjnë vetëm një të tretën e buxhetit që kërkon një prodhim i TK. Por nëse zbatohet formula në fjalë, ajo kishte për të nxitur një impulstë institucioneve që vazhdon e fle. Më shumë bileta, do me thënë më shumë publik dhe më shumë publik do me thënë politikë për t’i sjellë njerëzit në teatër që do të josheshin nga teatrot nga idetë krijuese dhe arti i vërtetë.