E Diel, 1 Nëntor 2026

Lekët dhe votat, Shqipëria ka nevojë për emigrantët

 

Përfundimisht, shumë po e kuptojnë se emigrantët kanë potenciale politike dhe jo vetëm ekonomike. Ata mund ta ndihmojnë demokracinë shqiptare dhe jo vetëm bankën shqiptare. Shumë mirë deri këtu, por cilat janë problemet që emigrantët shqiptarë hasin në jetën e përditshme, jashtë atdheut? Si të votojnë? Unë deri më tani nuk kam takuar ndonjë që ta shprehë atë dëshirë. Realiteti i emigrantëve është kompleks: ca vuajnë se në mungesë të dokumenteve kanë deri në 10 vjet pa parë familjet e tyre; ca vuajnë nga iluzioni që krijohet dita-ditës, sepse nga njëra anë bëjnë punët më të pista (legalisht e kam fjalën) që ekzistojnë, pavarësisht se ata janë me diploma të shkollës së lartë nga Shqipëria, që “s‘pinë ujë”, nga ana tjetër ata s’kthehen dot në Shqipëri se nuk kanë “çfarë të bëjnë”; ca punojnë dita-ditës nëpër ndërtime e punë të vështira që të ndihmojnë familjet e tyre të bëjnë shtëpi me duralumin, kurse për vete jetojnë në “vrima muresh” me një lugë e një pirun që të kursejnë lekë, sa më shumë lekë; ca, ata me “fat” vijnë në Shqipëri e martohen, marrin gratë jashtë shtetit e krijojnë “familje” ku burrat gërmojnë, gratë e kanë të pamundur të gjejnë punë (edhe pse jetojnë në qytetet më të mëdha të perëndimit) dhe rrinë brenda, kurse fëmijët, në qoftë se shkojnë në shkollë dhe mësojnë greqisht apo italisht, apo anglisht, por mezi flasin shqip le më të shkruajnë; shumica nuk janë as “këtu” e as “atje” dhe më e keqja është se as nuk e dinë se ku do ndodhen në vitet që vijnë. Ky është realiteti, fati i një të tretës së shqiptarëve. Më keq akoma, këta nuk janë çfarëdolloj grupi i popullsisë: emigrantët janë të rinj, në moshën me delikate dhe më produktive të jetës, në atë të punës. Lekët ua marrim emigrantëve, tani duam t’u marrim votat. Në fakt ne s’duam as lekët, as votat e tyre. Shqipëria ka nevojë për ata vetë dhe ata kanë nevojë për Shqipërinë. Nuk po flas këtu si patriot i flaktë, apo nacionalist se nuk jam i tillë. E kam fjalën se kur do të zgjohen shqiptarët jashtë dhe brenda vendit, të kuptojnë se po humbim njerëz dhe jo vota apo lekë. Njerëz që janë në gjuhën e popullit havadan, që s’dinë se ku qëndrojnë, që s’dinë se ku të venë, që s’dinë se nga të venë. Pa shpresa, pa dinjitet, pa liri. Njerëz të iluzionuar, këta janë emigrantët shqiptarë. E di që ka nga ata që nuk vuajnë nga këto “simptoma” por po flas këtu për shumicën, për ata që kam takuar poshtë e lartë, e kam folur andej-këndej. Njëfarë orientimi, ndihme, kujdesi, ja se çfarë t’u japim atyre. Gjëra elementare që çdo njeri ka nevojë në këtë botë të globalizuar. Shqipëria dhe shqiptarët që ndodhen atje nuk bëhet vetëm me lekët dhe votat e shqiptarëve që ndodhen jashtë. Ajo dhe ata kanë nevojë për njerëz, punëtore; për njëritjetrin. Nuk e kam këtu fjalën për një thirrje “O shqiptarë, kthehuni në Atdhe! Ai ka nevojë për ju!”. Kjo as që më shkon nëpër mendje. Por kur flasim për emigrantët shqiptarë, mirë është ta dimë realitetin e sotëm e të reflektojmë dhe jo të flasim mbushur plot romanticizëm sikurse kurbeti është njëlloj siç ka qenë 100 vjet më parë.

Ah, sikur të zgjoheshim!....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›