Gruaja e Azemit: Motivi i vrasjes së tim shoqi
TIRANË- “Vrasja e Azem Hajdarit nuk ka qenë për hakmarrje, por me qëllime të pastra politike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës”. Kështu shprehet Fatmira Hajdari për “Shekullin”, gjatë një komunikimi të shkurtër në zyrën e saj të punës, në katin e dytë të Gjykatës së Shkallës së Parë. E veja e Azem Hajdarit, Fatmira, i kërkon Ina Ramës rihapjen e hetimeve për zbulimin e motivit. “Qeveria e sotme premtoi zbardhjen”
TIRANË- “Vrasja e Azem Hajdarit nuk ka qenë për hakmarrje, por me qëllime të pastra politike që kanë të bëjnë me çështjen e Kosovës”. Kështu shprehet Fatmira Hajdari për “Shekullin”, gjatë një komunikimi të shkurtër në zyrën e saj të punës, në katin e dytë të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjatë bisedës së shkurtër në lidhje me ato çfarë deklaroi tre ditë më parë në një emision televiziv, për motivin e vrasjes së bashkëshortit të saj këtu e 10 vite më parë, gjyqtarja Hajdari shprehet e bindur se motivi i vrasjes ka qenë vetëm politik dhe nuk ka të bëjë me hakmarrjen. “Vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit, të cilët shqyrtuan dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit nuk kanë nxjerrë motivin e vërtetë, duke e cilësuar këtë vrasje për hakmarrje. Ne jemi të bindur se kjo vrasje ka të bëjë me çështjen e Kosovës”-shprehet ajo, duke mos ngurruar të shkojë më tej me dyshimet e saj. “Si ka mundësi që një javë pas vrasjes së Azemit u vra në Tiranë edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ahmet Krasniqi? Kjo nuk ishte një rastësi. Kjo vrasje ka të bëjë gjithashtu edhe me vrasjen e bashkëshortit tim”,-nënvizoi e bindur gjyqtarja Hajdari, e veja e Azem Hajdarit.
***
Gjatë komunikimit me të, ajo nuk pranon të japë shumë detaje në lidhje me këtë vrasje, përveç se theksoi edhe njëherë se “vrasja e Azemit ishte një krim shtetëror, ku në eliminimin e tij kanë marr pjesë rreth 120 veta në mënyrë të mirorganizuar”. “Nuk ka si të jetë vrasje për hakmarrje, pasi Azemi nuk i kishte borxh njeriu. Logjika ime bindëse më dërgon tek dyshimi shumë i arsyeshëm se për vrasjen e Azemit ka dorë shteti i atëhershëm, pasi në eliminimin e tij kanë marrë pjesë rreth 120 persona, mes tyre shumë ushtarë garde”,-shprehet ajo, duke shtuar se shkaku ka qenë atdhetarizmi, për të cilin e pagoi shtrenjtë. Gjithashtu, gjatë fjalëve të shkurtra dhe shumë të qarta, e veja e Azemit, Fatmira Hajdari, duke folur në emër të familjes kërkon nga “kolegët” e bashkëshortit të saj, të mbajnë premtimin e dhënë në kohën e vrasjes se me ardhjen në pushtet do ta zbardhin këtë ngjarje kriminale të mbrëmjes së 12 shtatorit të vitit 1998.
***
“Ka ardhur dita që të vihet në vend drejtësia dhe të zbardhet motivi i vërtetë i vrasjes së Azemit, pasi nuk është shumë e rëndësishme masa e dënimit apo personat që kanë kryer atë krim se sa motivacioni që ka sjellë këtë krim të rëndë”,-nënvizon gjyqtarja Hajdari, e cila prej vitesh gjykon shumë çështje penale pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Në përfundim të fjalës me të, Fatmira Hajdari i drejtohet me një mesazh kryeprokurores Ina Rama, e cila vetëm pak ditë më parë ka kërkuar riverifikimin e provave dhe kronologjisë së ngjarjes deri në vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë. “I kërkoj Ina Ramës të vërë në vend drejtësinë e munguar. Puna e Prokurorisë së Përgjithshme duhet të përqendrohet vetëm tek motivi i vrasjes, pasi ky motiv i nxjerrë nga tre shkallët e gjyqësorit nuk është i saktë”,-apelon Fatmira Hajdari. Pasi kanë kaluar dhjetë vjet që nga vrasja e deputetit Azem Hajdari, bashkëshortja e tij ka vendosur të flasë, duke akuzuar institucionet shtetërore të asaj kohe për eliminimin e bashkëshortit. Ndërkohë, mësohet se tashmë dosja ndodhet në duart e Gjykatës së Strasburgut, pas ankimimit të Jaho Salihit.