Derrat e Laçit
Shkoi edhe kryeministri Sali Berisha për pelegrinazh, bashkë me spikeren e Kuvendit, Topalli. Jo për datën 13, por për turin “Shqipëria në NATO”. Dhe në këtë ditë të madhe shpirtërore, Berisha iu rifut premtimeve të mbajtura qeveritare, rrugës së re që duhet të ndjekin besimtarët për të shkuar te kisha. “Erdha këtu me një rrugë të re dhe me dy korsi”,- u shpreh pelegrini Berisha para mijëra besimtarëve të mbledhur te Kisha e Shna Ndoit. (shih www.km.gov.al).
Por nuk mendojnë kështu drejtuesit e kishës, si Gazmend Tinaj, që nuk përtoi të akuzonte për korrupsion ndërtuesit e rrugës, sepse thotë ai: “Një investim që nuk ka përfunduar plotësisht sipas idesë që ishte parashikuar, që ka mungesa në projektin e miratuar me atë të realizuar, ku nuk është paguar projektuesi i rrugës, nuk janë dëmshpërblyer pronarët, mungon parkingu për automjetet...”.
Fjala e priftit françeskan nuk u prit mirë nga pelegrinët e qeverisë, sepse Jozefina thartoi fytyrën, ndërsa Berisha mblodhi buzët, sepse ishte e para herë që kur ka nisur turin “Shqipëria në NATO” kur dikush i shante veprat që bën qeveria dhe pushteti vendor i PD-së.
Por ditën që Berisha ishte në Laç, disa pensionistë të qytetit i shkruan një trakt kryeministrit, duke u ankuar për derrat që jo vetëm kanë pushtuar qytetin, por janë bërë rrezik serioz për jetën e banorëve. Me një fjalor tipik popullor, pensionistët i luteshin Kryeministrit që të urdhërojë kryebashkiakun e PD-së, që të largojë derrat. “Spiuni” i sugjeron Kryeministrit të shpallë një tender për ngritjen e një stalle derrash për qytetin e Laçit, që ata të mos hanë më fëmijët e gjorë, dhe Berisha ta inaugurojë më 13 qershor 2009, kur të shkojë sërish te Shna Ndoi për t’iu lutur Zotit që t’ia falë mëkatet që u bëri shqiptarëve gjatë katër viteve si Kryeministër.