Gruaja e Konomit: S’jemi kërcënuar, por kemi frikë
E veja e gjyqtarit që u vra në një atentat me eksploziv, sqaron se kanë kërkuar mbrojtje nga policia dhe ruhen prej saj që prej 1 tetorit. Policia shërbim 24-orësh pranë shtëpisë së familjes Konomi
Prej rreth dy muajsh policia e Vlorës ruan me shërbim 24-orësh familjen e gjyqtarit të vrarë në atentat me eksploziv Skerdilajd Konomi. E veja e Konomit, Enkeleda, pohoi për “Mapo”-n se ka qenë familja që ka kërkuar mbrojtjen e shtetit, duke theksuar se kjo kishte ardhur si pasojë e frikës pas ngjarjes së rëndë. Ndërkohë që pak ditë më parë familja, në një letër publike u ankua se po haste probleme për regjistrimin e pronës, që dyshohet të ketë shërbyer si motiv për atentatin, por edhe se nuk kishte asnjë dijeni mbi hetimet dhe shprehte dyshimin se ngjarja nuk po zbardhej.
“Kemi frikë”
E kontaktuar dje nga gazeta, e veja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, pohoi se prej 1 tetorit familja ishte marrë në mbrojtje nga policia e shtetit. “Ka dy muaj që jemi marrë në mbrojtje me kërkesën tonë”, - shpjegoi ajo. E pyetur nëse kërkesa ishte bërë pas ndonjë kërcënimi apo dyshimi që familja kishte, ajo sqaroi se bëhej fjalë për frikë. “Nuk kemi pasur kërcënime, por kemi frikë dhe jemi nën tension. Më shumë, sepse ajo që ndodhi ishte një ngjarje mjaft e dhunshme”, - tha Enkeleda Konomi. Sipas saj burimi i frikës ishte vetëm ngjarja e rëndë dhe nuk kishte pasur kërcënime të mëvonshme ndaj saj apo pjesëtarëve të tjerë të familjes. Megjithatë, familja e gjyqtarit, në disa letra publike të dërguara për mediat dhe për trupin diplomatik pas ngjarjes apo edhe pak ditë më parë, ka kërkuar më shumë shpejtësi në zbardhjen e krimit të rëndë, ndërsa ka akuzuar zyra të ndryshme të shtetit se nuk pranonin të regjistronin pronën e fituar pas një gjyqi në Gjykatën e Lartë.
Policia
Drejtues të policisë së Vlorës thanë dje për “Mapo”-n se marrja në mbrojtje ishte bërë menjëherë pas njohjes me një letër publike të familjes. Sipas tyre, familjarët janë takuar me krerët e këtij institucioni, ku i kanë paraqitur atij kërkesën për mbrojtje dhe motivet e saj, ndaj prej asaj dite policia e Vlorës ka marrë masa për të mbrojtur prindërit dhe gruan e gjyqtarit të ekzekutuar në një atentat makabër. Burime nga policia thanë se blutë kishin shërbim 24 orë pranë shtëpisë së familjes Konomi në afërsi të “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, ndërsa mbrojtja kryhej edhe përmes shërbimeve të tjera të policisë, si patrullime dhe mbikëqyrje të zonës ku banon familja. Policia thotë se nuk ka të dhëna për kërcënime ndaj familjes, por se mbrojtja do të vazhdojë ashtu siç është kërkuar prej saj.
Letra/Familjarët e Konomit: Asnjë rezultat nga hetimi, nuk po na hipotekojnë pronën
Me anë të kësaj letre, familja Konomi dëshiron t’ju përditësojë me zhvillimet e fundit në lidhje me çështjen, akoma të hapur, të vrasjes së familjarit tonë të dashur dhe njëkohësisht edhe të procesit të hipotekimit të pronave. Kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja e Skerdilajdit, një funksionar i lartë i shtetit shqiptar, e megjithatë, familjes nuk i është transmetuar asnjë rezultat shpresëdhënës. Jemi të ndërgjegjshëm që hetimet kanë kohën e tyre, por megjithatë, pas çdo dite që kalon na duket sikur largohemi nga e vërteta. Kjo ide përforcohet edhe më shumë ndërsa përballemi me vështirësi të shumëllojshme dhe të panatyrshme në përpjekjet tona për të hipotekuar pronat që na përkasin me ligj, procedura të cilat zvarriten deri në pikën e skadencës së çdo afati ligjor. Si është e mundur që në Shqipëri nuk zbatohet as vendimi i Gjykatës së Lartë? Nuk e kuptojmë pse-në. Kush fshihet pas kësaj? Pse shteti vetë na nxjerr pengesa? Nuk e kuptojmë pse Drejtoria Rajonale e Hipotekave në Durrës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hipotekave nuk duan të firmosin dokumentet, të cilat janë të rregullta ligjërisht dhe të njohura edhe nga Gjykata e Lartë. A nuk është ky një shembull i pashoq i abuzimit me pushtetin, në një kohë që dokumentet e palës kundërshtuese rezultuan se ishin totalisht të falsifikuara, ndonëse të regjistruara edhe në institucione si Arkivi i Shtetit? Avokatura e Shtetit dhe gjykatat vazhdojnë gjyqe mbi këto dokumente false të palës kundërshtare, ndërsa përpjekjet tona për hipotekim kanë dështuar dy herë deri tani. Të thyer nga dhimbja e humbjes së njeriut tonë të dashur, por edhe të indinjuar nga mungesa e seriozitetit dhe transparencës së organeve kompetente, familja Konomi e ka çdo ditë e më të vështirë të besojë që jetojmë në një vend ku mbretëron e vërteta dhe ligji e jo mashtrimi dhe mafia. Çdo ditë e më pak e ndjejmë mbështetjen ligjore që i takon çdo individi në mënyrë të barabartë. Kërkesa jonë për median, si një nga mundësitë e vetme për të sensibilizuar opinionin publik, por edhe vullnetin qeveritar, është të hetoni mbi këtë çështje dhe të ushtroni të gjithë presionin e mundshëm që ngjarje të tilla si hedhja në erë apo djegia e gjallë e zyrtarëve publikë të mos mbeten pa autorësi dhe pa ndëshkim, në mënyrë që në këtë vend të mos fuqizohet pushteti i mafies, por të rivendoset drejtësia.