Zbardhet ekspertiza e aksidentit fatal, Lika: Në kryqëzim me jeshile
Ekspertiza e policisë nuk fashit debatet për lirimin e djalit të Gramoz Ruçit, pasi nuk përjashton përgjegjësinë për të. Dëshmia e shoferit të arrestuar: Isha në semafor para përplasjes, kur vajzat më thanë se u hap drita jeshile
Tiranë Ekspertiza paraprake e policisë për aksidentin e të dielës, ku humbi jetën një vajzë 28-vjeçare, nuk ka mundur të përcaktojë se cili nga dy drejtuesit e mjeteve ishte fajtor. Ky fakt konfirmohet nga akt-ekspertimi, ku eksperti Mark Gjonpalaj shprehet se shkak përfundimtar për pasojën ka qenë shkelja e rregullave nga njëri prej dy mjeteve, por pa mundur të përcaktojë se cili prej tyre. Sipas burimeve, mësohet se në akt-ekspertim nuk del asnjë rezultat i qartë, pra asnjë prej dy drejtuesve të mjeteve, Ledian Ruçi dhe Eduart Lika, nuk ngarkohen me përgjegjësi. Eksperti gjithashtu thotë se nuk është në gjendje të përcaktojë as shpejtësinë me të cilën kanë qenë mjetet para përplasjes fatale. Sipas ekspertit, një gjë e tillë nuk është e mundur pasi në vendngjarje nuk janë konstatuar gjurmë frenimi nga asnjë prej automjeteve të përfshira në aksident. Duke e konsideruar paraprake këtë ekspertizë të policisë, gjatë hetimeve të para, grupi hetimor ka mbledhur prova të tjera që bëjnë përgjegjës për aksidentin Eduart Likën, ndaj të cilit Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas prokurorisë, Lika dyshohet se ka konsumuar veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e 28-vjeçares Brunilda Pinderi, e cila udhëtonte si pasagjere në automjetin tip “Mini Cooper”. Sipas prokurorisë, pavarësisht se eksperti nuk përcakton se cili prej drejtuesve të mjetit është fajtor, ka një regjistrim video, i cili tregon se “Mini Cooper” i drejtuar nga Eduart Lika është futur në semafor me të kuqe. Kjo video e marrë nga kamerat e një agjencie të këmbimit valutor nuk i është vënë në dispozicion gjykatës, por në kërkesën e tij përfaqësuesi i akuzës zyrtarizon një element të tillë hetimor. Ky version bie në kundërshtim me deklarimet e të arrestuarit, i cili para gjykatës ka thënë se në semafor ka hyrë me semafor jeshil. I pyetur nga gjykata për momentin e ngjarjes, Eduart Lika ka deklaruar nga Spitali Ushtarak se fillimisht ka respektuar rregullat e qarkullimit, duke ndaluar në semaforin e kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit. Sipas tij, vetëm pak çaste më pas, dy vajzat që kishte si pasagjere në “Mini Cooper” i kanë thënë të nisej, pasi semafori u hap. Në këtë pjesë të dëshmisë, i arrestuari nuk ka qenë i sigurt nëse e ka parë vetë semaforin jeshil. Pasi është pyetur nëse e ka parë apo jo semaforin, Lika ka deklaruar se, pasi është nisur, e ka parë edhe ai vetë që kishte të drejtën e kalimit. Në këtë moment janë goditur nga automjeti tip “BMW X6” që drejtohej nga Ledian Ruçi, djali i deputetit socialist Gramoz Ruçi. Por sipas burimeve pranë hetimit mësohet se akt-ekspertimi paraprak pritet të pasohet nga një tjetër ekspertizë, e cila do të nxjerrë shkaqet reale të aksidentit ku humbi jetën 28-vjeçarja Brunilda Pinderi. Sipas prokurorisë, drejtuesi i X6-shtës nuk është përjashtuar nga hetimet, edhe pse ndaj tij nuk u kërkua masë sigurimi gjatë seancës ku u caktua “arrest me burg” ndaj Eduart Likës.
Aksidenti, si vdiq 28-vjeçarja Pinderi
Aksidenti tragjik, ku humbi jetën 28-vjeçarja Brunilda Pinderi, ndodhi mbrëmjen e së dielës në kryqëzimin e Unazës me Rrugën e Elbasanit në kryeqytet. Si pasojë e përplasjes së fortë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, dy automjetet me të cilat udhëtonin Ruçi dhe Lika janë kanë goditur njëra-tjetrën. Nga goditja fatale mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë në spital të nesërmen e ngjarjes 28-vjeçarja Brunilda Pinderi, si dhe u plagosën drejtuesit e mjeteve dhe një vajzë 19-vjeçare, që udhëtonte si pasagjere në automjetin “Mini Cooper”. Lirimi i djalit të Gramoz Ruçit, si jo përgjegjës për aksidentin, ka hapur debate në media, por prokuroria ka pohuar se ka siguruar pamjet e aksidentit, të cilat tregojnë se Ledian Ruçi ka pasur përparësi në lëvizje.