Hetimet/Vrasja e Konomit, policia kërkon dy persona të lidhur me krimin
Dy muaj pas ekzekutimit me tritol të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, policia është vënë në kërkim të dy personave, të cilët dyshohet se kanë lidhje me krimin e bujshëm. Dëshmitë e mbledhura dhe informacionet operative flasin për dy djem, karakteristikat fizike të të cilëve u janë përcjellë 12 drejtorive të policisë në vend. Sipas burimeve të “Mapo”-s, dy personat e dyshuar si pjesëmarrës në atentat janë ende të paidentifikuar, por dëshmitarët okularë i kanë ngulitur në kujtesë si dy njerëz me “kokë të rruar”. Për të bërë të mundur gjetjen e tyre, çka mund të hidhte dritë mbi atentatin që i mori jetën gjyqtarit Konomi, nga zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit është nisur një shkesë me karakteristikat e tyre në 12 drejtoritë e qarqeve në vend. Prej disa ditësh, komisariatet e policisë në të gjithë vendin kanë marrë identikitin e dy personave në fjalë, pamja fizike e të cilëve është përshkruar nga dëshmitarë që i kanë parë dy të dyshuarit dhe për të cilët, hetuesit më të lartë të Policisë së Shtetit kanë dhënë urdhrin që të zbulohen dhe të shoqërohen. Zyrtarët e policisë janë treguar tejet të rezervuar në dhënien e detajeve lidhur me këtë “qarkore”, megjithatë mësohet se po bëhet çdo lëvizje e mundshme për të hedhur dritë mbi krimin që tronditi vendin.