E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e Kosta Trebickës kërkon ndarjen e pasurisë

12/07/2009  Bashkëshortja e biznesmenit të ndjerë përsëri në gjykatën e Tiranës

Në padinë civile Brunela Trebicka kërkon pjesëtimin e pasurisë

Familja e Kosta Trebickës takohet sërish në gjykatë. Këtë radhë padia e ngritur nga gruaja e Kosta Trebickës ka si objekt pjesëtimin e pasurisë bashkëshortore dhe pasuritë trashëgimore si dhe kërkimin e pjesës takuese nga pasuria e përbashkët që rrjedh nga kontributi gjatë martesës. Është padia e dytë e regjistruar në gjykatë pas asaj të disa kohëve më parë që kishte të bënte me administrimin e pasurisë që i takonte të birit, i cili është në moshë të mitur. Brunela Trebicka dhe djali i saj Xhoi Trebicka janë paditësit civil. Ndërsa e paditur në këtë çështje është, Genta Trebicka. Padia civile është regjistruar më datë 8 korrik 2009. Ndërkohë që çështja mban numrin 10984. Në kërkesë padinë edhe një tjetër pikë që ka të bëjë me sigurimin e pasurisë. Pra, Brunela Trebicka përveçse kërkon pjesëtimin e pasurisë i lutet gjykatës që të bëjë edhe marrjen e sigurimit për pasurinë. Dosja është në duart e gjyqtares Regleta Panajoti, e cila ende nuk ka caktuar një datë për fillimin e gjykimit. Në bazë të padisë së ngritur kuptohet qartë se Brunela Trebicka kërkon pjesën e saj edhe nga pasuria që i është dhënë bashkëshortes së parë të Trebickës dhe fëmijëve të tij. Sipas padisë, gruaja e dytë pretendon se ka kontribuar në vendosjen e kësaj pasurie gjatë martesës dhe për pasojë duhet të bëhet një pjesëtim i saj në favor të pjesës së saj që i bie është Brunela Trebicka dhe djali i saj Xhoi Trebicka. Kosta Trebicka është personazhi i njohur tashmë për lidhjet e tij me ngjarjen e Gërdecit. Ka qenë një prej dëshmitarëve kryesor që ka folur për aferat që bëheshin në trafikun e fishekëve dhe të armëve, ndërkohë që humbi jetën gjatë një aksidenti në shtator të vitit 2008. Për humbjen e Trebickës u fol shumë deri sa Prokuroria mori ekspert të huaj me qëllim zbardhjen e ngjarjes jashtë ndikimeve të brendshme. Si përfundim doli që Kosta Trebicka e humbi jetën gjatë një aksidenti teksa ishte duke u kthyer nga gjuetia në pyjet e Korçës.

A. Çuka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›