E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëllojnë njëri-tjetrin, plagosen kamerierët

12/07/2009  Dy autorët, konflikt të vjetër, plas “luftë” në Plazh. Blutë arrestojnë vetëm njërin

Një pjesë e apartamenteve, hoteleve dhe banesave familjare në Plazhin e Durrësit janë mbajtur nën terror gjatë natës së premte për gati një orë. Krismat dhe të shtënat me armë në një lokal nate kanë vijuar për disa minuta, por së bashku më zhurmën e tyre të frikshme janë shtuar gjithë e më shumë dhe për afro një orë edhe britmat e pushuesve që dëfrenin në lokal apo pranë lokalit. Burime policore thonë se i gjithë paniku është shkaktuar nga dy klientë të armatosur, të cilët kanë pasur një armiqësi mes tyre dhe se këtë konflikt e kanë zgjidhur në lokalin “Calipso” në Plazh, pasi janë tejngopur me pijë alkoolike. Sipas policisë shtetasi Leonard L. 32 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Eduard M. 33 vjeç. Krismat e para janë dëgjuar rreth orës 01.30 në kohën që dy personat që ishin nga i njëjti vend janë ndeshur përballë njëri-tjetrit në afërsi të banakut ku kishin shkuar të mbushin gotat secili në hesapin e tij. Sapo palët kanë shkëmbyer shikimet kanë nxjerrë pistoletën, por teksa kanë shkrehur armët janë plagosur dy kamerierë të lokalit. Sokol Shëngjergji, 28 vjeç, i cili është vëllai i pronares që e ka marrë me qira lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe S. Rustani 17 vjeç, i cili është nipi i autorit të dytë të ngjarjes, Eduard Metës, janë viktima të kësaj ngjarje.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në një lokal në Plazh. Ndërsa kishte kaluar mesi i natës në lokal janë dëgjuar të shtëna arme dhe për pasojë dy shtetas janë plagosur. Nga hetimet paraprake konflikt që ka degjeneruar në përdorimin e pistoletës ka lindur jashtë vendi dhe është mbartur në Durrës nga dy ish-emigrantë shqiptarë. Shtetasi Leonard L. i lindur në Gosë të Kavajës dhe Eduart M. 33 vjeç i lindur në Kavajë dhe që të dy banues në Plazhin e Durrësit kanë pasur kohë më parë një konflikt mes tyre. Sipas policisë, të dy këta persona kanë qenë emigrantë në Itali dhe atje kishin lindur edhe debatet mes tyre. Sherri mes dy shtetasve, i cili ka ndërruar mbiemër ka vijuar edhe në Plazh ku ata janë vendosur me familje. Në lokal ata kanë shkëmbyer fjalor fyes dhe kërcënues, ndërsa më pas kanë nxjerrë armën për të qëlluar mbi njëri-tjetrin. Të parët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes, tek lokali i natës ku dëfrenin shumë pushues, kanë qenë dy punonjës policie. Sapo ata kanë tentuar të futen brenda në lokal shtetasi Leonard L. ka tentuar të dalë dhe në ikje e sipër ka ushtruar dhunë edhe mbi policët e qarkullimit rrugor. Por efektivat e policisë këtë herë janë treguar të shkathtë ngase kanë bllokuar agresorin Leondar L. dhe e kanë prangosur në trotuarin e rrugës në prani të shumë dëshmitarëve. Personi tjetër, Eduard M. është larguar nga lokali, ndërkohë që të plagosurit Skerd Rustani dhe Sokol Shengjergji janë transportuar menjëherë në spital. Sipas policisë, të dy kamerierët janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa postblloqet e ngritura nuk kanë mundur të vënë në pranga të kërkuarin Meta. Burime nga Prokuroria kanë pohuar se Leonard L. akuzohet për tre vepra penale dhe konkretisht për vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe goditje për shkak të detyrës së punonjësit të policisë. Personi tjetër, Eduard M., është shpallur në kërkim, ndërkohë që ai akuzohet vetëm për dy veprat e para penale, atë të tentativë vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Policia ka vendosur efektiva shtesë në Plazhin e Durrësit dhe në të gjitha zonat ku ka fluks pushuesish për të garantuar qetësinë, por nga ana tjetër efektiva policie dhe agjentë civil janë vënë në kërkim të personave të skeduar për krime dhe të vatrave të ushtrimit të prostitucionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›