Gruaja e gjetur e vdekur dje ishte shpallur e humbur

Tiranë, 8 Janar, 11:35, NOA - Gruaja e gjetur e vdekur dje në Breg të Lumit, ishte e shpallur prej tre ditësh e humbur.
Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se, viktima Dituri Rica, 57 vjeçe, ishte denoncuar nga të afërmit si e humbur, pasi ishte larguar nga shtëpia pa lënë adrese dhe vuante nga skizofrenia.
Sipas policisë, specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit morën njoftim se në Paskuqan pranë Bregut të Lumit, është gjetur e vdekur një grua.
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë u formua grupi hetimor me qëllim për të sqaruar dhe zbardhur tërësisht rrethanat e kësaj ngjarje. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe të trupit të viktimës u konkludua se, viktima është 57-vjeçarja Diturie Rica, lindur në Përmet dhe banuese në Tiranë.
Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale nga ku rezultoi se shkaku i vdekjes, të jetë vdekje natyrale, (pasi dyshohet se viktima më parë vuante nga një sëmundje mendore).
Ndërkohë, për këtë është deponuar një kallëzim për largim nga banesa nga familjarët e saj, të cilët deklarojnë se viktima është larguar nga banesa afro tre ditë më parë dhe se vuante nga një sëmundje mendore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime dhe hetime të mëtejshme.
c.a/NOA