Presidenti Topi sot vizitë dyditore në Kosovë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi i shoqëruar nga Zonja e Parë do të niset për një vizitë zyrtare dy ditore në Kosovë. I ftuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryetari i shtetit do jetë në krye të një delegacioni zyrtar në përbërje të të cilit janë nënkryetarët e Kuvendit të Shqipërisë, deputetë të komisionit të jashtëm, të komisionit të sigurisë, të komisionit të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit.Presidenti Topi dhe delegacioni që e shoqëron do të takojë e zhvillojë bisedime zyrtare me Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, kryesinë e Kuvendit të Kosovës dhe do të mbajë një fjalim për deputetët e këtij Kuvendi. Në ditën e parë të vizitës zyrtare, Presidenti Topi do takohet me komandantin e KFOR-it, Gjeneral Emilio Gay dhe drejtues të partive politike e minoriteteve në Kosovë. Gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do vizitojë Bashkinë e Prishtinës dhe kuvendin komunal në Ferizaj, Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Muzeun e Kosovës.Gjithashtu Presidenti Topi i shoqëruar nga Presidenti Sejdiu, do zhvillojë një takim pune me përfaqësues të biznesit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës. Kjo është vizita e parë zyrtare e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në shtetin e ri të Kosovës. Kreu i Shtetit shqiptar ka kryer vizitën e fundit në Kosovë më 25 janar 2008, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.