E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e mjekut: Prapaskenat e arrestimit

 

Dashamir Biçaku

Enkelejda Nelaj, bashkëshortja e kirurgut të arrestuar për korrupsion, Ardian Nelaj tha dje, se e gjithë historia e të shoqit me policinë është një sajesë e organizuar nga njerëz të interesuar për ta dëmtuar atë. Sipas bashkëshortes së mjekut të arrestuar, paratë e paguara nga të afërmit e pacientit Haxhi Ahmeti, kanë shërbyer vetëm për të blerë meshën (fashën), e cila përdoret për të mbështjellë të operuarin pas ndërhyrjes kirurgjikale. Nëna e dy fëmijëve, ka rrëfyer dje për gazetën “Panorama”, atë që ajo e ka quajtur si prapaskenë të organizuar nga njerëz të interesuar për të shkatërruar të shoqin, mjek kirurg dhe drejtues i klinikës në spitalin e burgjeve në Tiranë. “Adi nuk ka asnjë llogari bankare dhe në shuma të mëdha”, thotë gruaja, ndërsa më tej ajo vazhdon: “E gjithë historia e ryshfetit është një sajesë, sepse im shoq nuk ka kërkuar asnjëherë para askujt. Sipas saj, paratë që i shoqi ka pasur me vete kanë qenë të tijat dhe i kanë mbetur pas një vizite, që ata kishin kryer në qytetin grek të Patras. Enkelejda Nelaj, gjatë rrëfimit të saj, pohoi se rreth dy muaj më parë ka parandier prapaskenat, që do të finalizoheshin me arrestimin e të shoqit.
Zonja Nelaj, a mund të na thoni si është e vërteta e arrestimit të bashkëshortit tuaj?
E gjithë kjo histori është një farsë e sajuar nga njerëz të interesuar për të dëmtuar Adin. Nuk ka asnjë dyshim për mua që kjo është një histori e kurdisur prej njerëzish të interesuar të përfitojnë nga kjo situatë. Prej kohësh Ardiani kishte marrë vesh se ishte nën vëzhgimin e agjentëve të policisë dhe njerëzve të infiltruar në spital. Dy muaj më parë, ai kishte operuar një grua me emrin Vitore Aliaj, ndërsa një pacient më dhomë kishte dëgjuar bashkëshortin e saj, Ylli Aliajn të thoshte se: Atë doktorin do ta fus në burg.
Pra, ai ishte në dijeni të ndjekjes që po i bëhej nga policia?
Po, po absolutisht. Madje vetë bashkëshorti i Vitores, Ylli Aliaj, i kishte hedhur me zor një shumë parash Adit dhe ai kishte dyshuar për kurth. Rasti i fundit nuk është nga Durrësi siç është pohuar në media, por është një pacient që quhet Haxhi Ahmeti. Ky person është operuar nga dhjamthi, ose siç njihet në gjuhën mjekësore hernies. Deri të enjten ai ka qenë mjek roje, ndërsa të nesërmen ka operuar këtë pacient. Ata kanë paguar vetëm 115 mijë lekë të vjetra, që kanë shërbyer për të blerë meshën (fashën) për të lidhur pacientin e operuar dhe jo shuma të tjera.
Policia ka pohuar se i ka gjetur bashkëshortit tuaj shuma të konsiderueshme lekësh pas arrestimit.
Adi nuk ka pasur para në bankë dhe në një shumë të tillë, siç pretendohet. Sa për paratë e gjetura nga policia që i kishte me vete, ato ai kishte gati një javë që i mbante. Para rreth një jave ne ishim në Greqi, në Patra dhe donim të blinim një televizor plazma për dhomën e shtëpisë. Atje na e bleu dikush atë, që po kërkonim. Paratë Adi i mbajti me qëllim që të gjente një makinë që do nisej për andej, për të dërguar paratë e televizorit. 100 dollarë ia kisha dhënë unë t’i mbante për shans. Por duke qenë se lëvizte me makinë, Adi mbante ndonjë sasi lekësh, zakonisht rreth 200 mijë lekë të vjetra, për shkak se mund t’i ndodhte ndonjë defekt.
Ai veç shefit të klinikës së kirurgjisë së spitalit të burgut, ishte edhe mjek në spital, si ishte rregulluar varësia e tij aty?
Adi gjithmonë donte të mësonte nga profesori i tij, Edmond Çeliku. Për këtë shkak ai dogji edhe një mundësi për të kaluar në spitalin ushtarak. Ka njerëz të interesuar, të cilëve nuk u ka pëlqyer puna e Adit, marrëdhëniet që kishte ai me kolegët. Ka njerëz të interesuar, të cilët donin t’i zinin vendin Adit, në spitalin e burgut.

Kirurgu, sot në gjykatë për masën
Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, në të cilën do të hetohet kirurgu Ardian Nelaj, i arrestuar me akuzën e korrupsonit aktiv nga persona që kryejnë funksione publike. Gjykata e cila dje mori kërkesën e akuzës, vendosi ta shqyrtojë atë ditën e sotme në ora 10:30. Togat e zeza pritet të vendosin, pasi të dëgjojnë kërkesat dhe argumentet e akuzës dhe mbrojtjes.

Prokuroria: Paratë të fotokopjuara
TIRANE – Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës, e cila udhëhoqi hetimet dhe aksionin për arrestimin e kirurgut të dyshuar, duket se ka siguruar disa prova të pakundërshtueshme. Para se pacienti t’i jepte paratë kirurgut Ardian Nelaj, kartëmonedhat ishin fotokopjuar nga policia me autorizim të Prokurorisë. Pasi janë fotokopjuar për numrin e serisë e të dhëna të tjera, paratë i janë dhënë pacientit dhe ai më pas ia ka dorëzuar mjekut. Ky i fundit ra në pranga pak minuta, pasi mori shumën financiare, e cila është sekuestruar nga agjentët e antikorrupsionit, menjëherë pas arrestimit të mjekut. Mes parave që iu bllokuan atij, kanë qenë edhe kartëmonedhat e fotokopjuara para se kirurgu t’i merrte në dorëzim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›