E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Servet Pëllumbi:Marksi e parashikoi “babëzinë” e bankierëve

 

Servet Pëllumbi

Shqetësime dhe debate
Një krizë e thellë financiare e përmasave globale shpërtheu në shtator 2008, fillimisht në SHBA e më pas në tërë botën. Sot për sot po trondit tregun financiar, e shoqëruar me mbyllje bankash të mëdha, por dhe me ndërhyrje në panik nga ana e qeverive, veç e veç apo së bashku, për ta "izoluar krizën vetëm me tregun e parave. Analistë të njohur, studiues e nobelistë të fushës së ekonomisë, por më tepër kryetarë shtetesh, kryeministra e ministra financash kanë dhënë jo vetëm alarmin, por dhe propozime se si mund të dilet nga kriza nëpërmjet "paketash emergjence", apo një vargu samitesh të fuqive të sotme botërore për të ndryshuar rrënjësisht krejt sistemin e tanishëm financiar dhe për të hartuar e zbatuar rregulla të forta kontrolli e mbikëqyrjeje shtetërore. Veçse, shkaqeve të krizave të tilla të përmasave globale, të panjohura më parë, ose nuk po u kushtohet vëmendja e duhur, ose gjithçka reduktohet te "babëzia" e disa bankierëve, te loja me "kreditë e këqija" nga ana e qytetarëve që rendin pas një mirëqenieje më të lartë, por fiktive etj.
Të pakta vazhdojnë të jenë mendimet e një natyre më filozofike. Ka ndarje disi të thellë në opinione. Disa që thonë, se gjithë fajin e ka neoliberalizmi, që vazhdon të mbrojë lirinë e pa kufizuar të tregut; të tjerë që gjithë fatkeqësinë e shohin te ndërhyrja e shtetit "në punët e ekonomisë private". Ndërkohë, priten zhvillime dramatike, sepse realisht kemi hyrë në një etapë të re të globalizimit që do të imponojë një debat të ri të përmasave botërore midis drejtimeve kryesore të filozofisë politike prej të cilave po kërkohen ide, teori e zgjidhje të reja. Themelore është gjetja e një përgjigjeje rreth modelit të shoqërisë drejt të cilës shkojmë, që të jetë adekuate për epokën e globalizimit, kur sovraniteti dhe kufijtë e shteteve-kombe do të humbasin vlerën dhe rëndësinë e tyre, sepse, siç po dëshmon kriza e sotme financiare, po bëhen pengesë për zgjidhjet e reja dhe integrimin në përmasa globale.
Gjatë një meditimi të tillë për përmasat dhe vlerat e mendimit filozofik, që me sa duket do të përjetojë një lulëzim të ri gjatë mijëvjeçarit të tretë, sepse mu kujtua që këtë vit mbushen 140 vjet nga botimi i vëllimit të parë të "Kapitali"-t, veprës kryesore që përbën dhe kredon filozofike të Karl Marksit (1818 -1883). Duke vlerësuar rolin historik e revolucionar të borgjezisë, si dhe mekanizmin e lëvizjes dhe të rritjes së kapitalit, ai i bëri anatominë kapitalizmit të kohës së vet dhe zbuloi ligjet kryesore të funksionimit dhe të lëvizjes së ekonomisë së bazuar mbi logjikën dhe rolin e tregut të lirë. Vënia, nga vetë K. Marksi, e një studimi të tillë në shërbim të "idealeve komuniste", mendohet se i humbi "Kapital"-it çdo vlerë shkencore, por kjo mund të pranohet veçse pjesërisht. Realisht logjika e kapitalit, metodologjia e përdorur dhe ligjësitë e kapitalizmit të zbuluara prej tij, e ruajnë vlerën shkencore dhe mund të ndihmojnë, qoftë dhe pjesërisht, për të kuptuar zinxhirin e shkaqeve dhe pasojave të krizës së sotme financiare. Po i referohem vetëm një aspekti, në dukje i thjeshtë, por që në thelb, përbën logjikën që përshkon "Kapital"-in. Teza e shtruar prej tij saktëson: "në një treg të ekuilibruar, fitimi është zero dhe kapitali nuk rritet. Prandaj fiton ai që arrin të prishë ekuilibrin, që ua kalon konkurrentëve me çdo mjet, me spekulime, me teknologji më të përparuar, apo duke përdorur risi në menaxhim". Kjo, në thelb, është logjika e babëzisë, një nga shkaqet e krizës së sotme financiare, të cilën Marksi në "Kapital" e quan etje për fitim maksimal. Pra e njëjta logjikë, ajo e fitimit maksimal, që vepron përmes pabarazisë globale të tregjeve, sidomos të tregut financiar dhe atij të punës, përbën shkakun më të thellë të krizës së sotme.
Ndonjë, apo dhe disa, mund të mos jenë dakord me mua, bile mund të më etiketojnë, siç kanë bërë edhe deri tani, si përfaqësues të "politikës së vjetër", si "marksist i pa ndreqshëm" etj., por në rastin e dhënë, unë sillem si studiues, që respekton idetë dhe debatet rreth tyre dhe jo nga fanatizmi komunist apo antikomunist, që nuk i hap, por i  mbyll shtigjet e dijeve dhe të kërkimit shkencor.
Duke shkruar këto radhë dëgjoj në "Top Channel" diçka sensacionale, për rritjen në Gjermani të interesit, sidomos nga të rinjtë, për "Kapitalin", gjë që ka filluar të reflektohet në ribotimet me shpejtësi dhe në rritjen 300% të shitjeve. E shoh me interes fillimin e një procesi rileximi të Marksit, pikërisht në atdheun e tij në Gjermani.
Rrjedha dhe dimensionet e krizës
Nuk kam ndërmend që të analizoj me hollësi krizën financiare, sepse është jashtë kompetencave e njohurive të mia profesionale, prandaj do të vazhdoj në linjën e nisur, do të përpiqem të shpjegoj aspektet sociale, kontradiktat që ngërthen në vetvete kriza dhe pasojat që ajo mund të sjellë. Le të arsyetojmë rreth pikave të dobëta të sistemit ekonomik që solli krizën financiare. Me përmbysjen e komunizmit në Perëndim, nga etja për fitime maksimale, edhe në vendet më të zhvilluara ekonomikisht si SHBA, apo vendet evropiane, filluan të reduktoheshin politikat sociale, ndërsa për të mos lejuar prishjen e imazhit për "shoqërinë e mirëqenies së përgjithshme", filluan të përdoren rrugë joshëse në vështrimin e parë, por që rezultuan "të minuara". Miliona njerëz filluan të jetojnë, jo sipas mjeteve që dispononin, por duke fryrë portofolat, duke rendur pas kredive që filluan të ofrojnë bankat pa shumë vështirësi, sidomos për ndërtim e blerje shtëpish, për objektet e palëvizshme, për sendet e luksit e veprat e artit etj. Çmimet si pasojë e "bërjes masive" të kredive, filluan të shkojnë në stratosferë; radhët para bankave për kredi filluan të zgjaten e të zgjaten; qytetarët filluan të ngarkohen pa kufizime me lloj-lloj kredish me përqindje interesi relativisht të ulët. Bankat rritën fitimet artificialisht, ndërsa të ardhurat dhe bonuset e bankierëve nuk njihnin më kufi në babëzinë e tyre. Tregu financiar  filloj "të sillet" sikur të mos ishte fare në tokë dhe i lidhur me ekonominë reale, ndërsa bankat, si piramida financiare të stërmëdha, vepronin sipas parimit "jep një tullë të fitosh një pallat".
Për të kuptuar pasojat e frymës së "kreditomanisë" ne shqiptarët nuk e kemi dhe aq të vështirë, sepse përjetuam një psikozë të ngjashme në vitet 1996-1997, kur firmat piramidale, të ndihmuara nga bankat, i "rropën" njerëzit duke u marrë kursimet e tyre, apo dhe shtëpitë e çdo pasuri tjetër, me anën e mashtrimit duke u premtuar "fitime përrallore" pa punuar. Edhe në SHBA, ku dhe nisi zbatimi i politikës së "kreditimit masiv", u mendua se kjo do të çonte në gjallërimin e prodhimit dhe në rritjen e nivelit të punësimit, por realisht ndodhi e kundërta. Vetëm në vitin 2005, qytetarët morën 750 miliardë dollarë kredi për shtëpi, por 75% e tyre u përdorën për konsum vetjak. Në vitin 2006 kreditë e pasigurta apo të këqija arritën në mbi 20%, kurse inflacioni u rrit disafish. Çmimi i një metri katror në Washington, me kosto ndërtimi 1200-1400$, shkoi në 6000 $. "Letrat hipotekore", apo të ashtuquajturat "taksa parajse" mbytën Amerikën.           
Por logjika ekonomike është e saktë dhe e rreptë. Kërkesa për shtëpi filloi të bjerë ndjeshëm që gjatë viteve 2006-2007. Filloi falimentimi i kompanive të ndërtimit. Bankat, që i kishin rrëmbyer paratë njëri-tjetrit në bursë, në transaksione, nëpërmjet kreditimeve reciproke etj., u gjendën para mungesës gjithnjë e më të ndjeshme për mjete financiare. Mbetën pa likuiditete. Ra stabiliteti, ra edhe besimi ndaj bankave, në përgjithësi, brenda dhe jashtë vendeve të veçanta... I vetmi që mund t'i ndihmonte ishte shteti, pikërisht ai që ishte anatemuar më tepër. Në raste të tilla të parët që braktisin tregjet financiare janë investitorët, gjë që do të thotë, jo vetëm humbje reputacioni, por dhe rrezik i futjes së krejt ekonomisë në kolaps. Me qenë se filloi kriza në SHBA, të tjerët po përpiqen ta shohin gjithçka "si një gabim të "grabitqarëve amerikanë", që jo vetëm u sëmurën vetë, por infektuan edhe të tjerët. Nuk është e rastit që po i bëhet një jehonë e jashtëzakonshme filmit "Fryma e kohës"(Zeitgeist"), i përhapur nga Google, nëpërmjet të cilit, jo vetëm qenka paralajmëruar kriza e sotme financiare, si pasojë e shndërrimit të bankave të mëdha amerikane në piramida, por dhe i qenka venë gishti fajtorit. Kriza qenka provokuar nga vetë bankierët amerikanë, si një mënyrë e rishpërndarjes së parave, si hap i bankave të mëdha për të gëlltitur të voglat dhe për t'i hapur rrugën zëvendësimit "triumfal" të dollarit me "amero", që fillimisht do të vihet në përdorim nga bashkësia e shteteve, që pritet të krijohet dhe që do të përfshika SHBA-të, Kanadanë dhe Meksikën. Një akuzë e ngjashme u bë edhe për 11 shtatorin 2001, kur përplasja e avionëve me kullat binjake, nuk paskej qenë vepër e terroristëve të Al Kaedës, por e vetë CIA-s amerikane!
Le t'i lemë fantazitë në punën e tyre dhe të vazhdojmë analizën duke u nisur nga faktet.
Për krizën financiare, padyshim një faj të artikuluar qartë e kanë bankierët dhe jo vetëm ata amerikanë. Por fajin më të madh e ka vetë sistemi, besimi gati i verbër te roli rregullator i tregut që nuk është vetëm dukuri amerikane. Edhe pse këtu ka më tepër fetishizim për lirinë e plotë të tregjeve financiare. Ndërkohë, më duket, se është po aq e gabuar të mendohet, se shkaktari kryesor i krizës paska qenë ndërhyrja e qeverisë në ekonomi, apo përpjekja e qeverisë së SHBA-ve për të kontrolluar kompanitë private dhe për të zbatuar "një program social" nëpërmjet praktikave të këqija të kreditimit, duke e hedhur kështu gjithë përgjegjësinë mbi një "alternativë të majtë", apo "rrugë të tretë" që gjoja paskan dashur të zbatojnë qeveritë amerikane...(A.Nurellari). Kriza ekonomike dhe rruga e tretë, Shqip, 2008.10.21).
Gjithkush ka të drejtë të fajësojë apo dhe të mbrojë sistemin e tregut të lirë, veçse pa braktisur logjikën reale të fakteve konkrete dhe pa u pozicionuar ideologjikisht ndaj një alternative që thjesht nuk të pëlqen, sepse ke zgjedhur lirisht të kundërtën e saj. Aq më tepër kur edhe rrugë daljen e kërkon, jo në fushën ku janë përqendruar aktualisht zgjidhjet, por në thirrjet, tipike për neoliberalizmin në krizë: "Larg duart e shtetit nga ekonomia e tregut", lëreni tregun t'i bëjë lirisht "krasitjet" dhe të normalizojë situatën, sepse tregu pa falimentim është si feja pa ferr"! Veçse z. Nurellari duket se nuk arrin ta përfytyrojë pamjen që do të kishte "ferri" nëse do të lihej i lirë për të futur në recesion gjithë ekonominë botërore.
Nga Fridman te nobelisti tjetër, Krugman
Tani që bota po kërcënohet nga rikthimi i ekonomisë së depresionit, si ai i vitit 1929, mendoj se është me vlerë që të rifreskohen, jo vetëm kujtesa historike, por dhe teoritë adekuate për kohën e sotme. Veçse, më parë, mendoj të bëj një sqarim.
Të kritikosh apo dhe të shpallësh të dështuara teori apo zgjidhje liberale e ultraliberale për lënien e tregut në lirinë e spontanitetin e vet, nuk do të thotë se je kundër ekonomisë së tregut. Ashtu sikurse të kritikosh apo dhe të shpallësh të dështuara teoritë e zgjidhjet etatiste e burokratike, nuk do të thotë se je kundër shtetit në përgjithësi. Gjithsesi, qëndrimet kritike, përqendrimi i kritikës në njërin apo tjetrin krah, janë në varësi të zhvillimeve konkrete dhe të problemeve që lindin. Në këtë vështrim do të thosha se dhënia e çmimit "Nobel", teoricienit të lirisë së plotë të tregut, ekonomistit të njohur, Fridman, përligjej për kohën, po aq sa përligjet sot kritika e rreptë kundër tij. Parë nga një këndvështrim i tillë, them se nuk më duket e rastit, që teoritë mbi nevojën e ndërhyrjes së shtetit për të rregulluar devijimet dhe çrregullimet e tregut, të anatemuara si të majta, si keynsianizëm i vjetruar e deri si marksiste, në ditët e sotme i gjen jo vetëm në fjalime të liderëve botërorë, por dhe në radhën e masave kryesore praktike për të dalë nga kriza dhe për të reformuar gjithçka me vështrim nga e ardhmja. Vlen të vlerësohet posaçërisht rasti i prof. Paul Krugman, i njohur si kritikuesi më i madh i politikës ekonomike dhe financiare të periudhës së presidencës së Bushit, por dhe si ekonomisti më i sulmuar nga kolegët e vet liberalë e ultraliberalë, si studiuesi skrupuloz dhe i pa epur që parashikoi, që në vitin 2001, rrezikun e krizës aktuale financiare. Kuptohet, ai nuk mund të akuzohet, as si përkrahës i Internacionales Socialiste dhe as si i pasionuar pas "rrugës së tretë" të Blerit. Krugman, siç e thotë edhe vetë, arriti në një përfundim të tillë, sepse ndryshoi vizionin e të parit të dukurive ekonomike pa u ndalur në kufij shtetesh kombëtare dhe pa injoruar veçoritë e sotme të botës së globalizuar. Lidhur me këtë ndërthurje dhe ndërvarje të ekonomive kombëtare me atë ndërkombëtare, ka formuluar paradigmën e qartë, sipas së cilës, së pari, globalizmi nuk është as një fenomen, që sjell vetëm mrekulli dhe as një demon që sanksionon disa vende e popuj në favor të disa të tjerëve; dhe së dyti, bota e globalizuar është më e ekspozuar ndaj krizave në vartësi të politikave, që ndjekin aktorët ekonomikë në shtete apo rajone të caktuara të botës të përfshirë në vorbullën e konkurrencës për tregjet globale. Duket, se jo vetëm rasti i krizës së sotme, por dhe ecuria e globalizimit, i japin të drejtë neokeynsianizmit, që në rastin e dhënë në SHBA përfaqësohet me dinjitet nga nobelisti Paul Krugman.    Qëndrimi që kërkohet dhe që mbrohet edhe nga e majta socialdemokrate evropiane, nuk është gjuha përjashtuese, ose tregu i lirë, ose ndërhyrje e shtetit në disa funksione bazë në fushën ekonomike, por edhe njëra edhe tjetra në lidhjen e tyre dialektike. Kjo, e shtyrë më tej, do të thotë, se krizat, si kjo që po kalon bota aktualisht, nuk duhet vetëm të ndëshkojnë dhe të ndajnë, por edhe mund dhe duhet të bashkojnë  në ndërhyrjet vendimtare dhe transparente antikrizë.
Rivalitete jo premtuese
Deri në caktimin e Samitit të 20 fuqive botërore, që do të zhvillohet në Washigton më 15 nëntor 2008, pati jo vetëm shumë panik për krizën financiare botërore, por dhe hedhje të fajit sa te njëri te tjetri, lloj-lloj propozimesh dhe përpjekjesh të shteteve të veçanta për t'u përballur individualisht me pasojat, duke reflektuar kështu një nivel shumë të ulët besimi  te sistemi financiar botëror, por sidomos te SHBA-të "që u sëmurën vetë dhe donin të infektonin edhe të tjerët"!
Ndërkohë, më tërheqin vëmendjen, jo aq përpjekjet për të gjetur "zgjidhjet teknike" të administrimit të krizës apo "dëshirat" për reformimin e sistemit financiar botëror për të mbrojtur, ndër të tjera, edhe demokracinë perëndimore nga diskreditimi, sesa ngarkesat ideologjike dhe kontradiktat e reja, që po bëhen arenë debatesh edhe në raportet ndërkombëtare. Në qendër të debateve filozofike-politike është vënë re rënia e besimit te modeli liberal i ekonomisë së lirë të tregut, sidomos te modeli amerikan. "Koha, shkruan analisti i njohur Roxher Koen, kur thuhej se shtetet janë budallenj, ndërsa tregjet janë të zgjuarit dhe rreziqet nuk ekzistojnë, ka marrë fund". Ndërkohë të tjerë shkojnë edhe më tej që duke rihapur debatin me teorinë e "fundit të historisë" të F. Fukujama-s, nuk ngurojnë të thonë se historia e krizave dhe e  konflikteve të kapitalizmit, që ai desh ta "varroste" përfundimisht në fillim të viteve 90-të, është, rikthyer. Pse jo edhe për t'i hapur rrugën një "Lufte të re të Ftohtë" apo dhe një epoke të re të luftërave të përgjakshme, lokale, rajonale e botërore. Të vjetruar dhe të papranueshëm shpallen, përveç modelit amerikan, edhe modelet ekonomike e financiare të Evropës Perëndimore, prandaj në të ardhmen "çdo fuqi botërore në botën e ndryshuar", duhet të ecë në rrugën e vet të veçantë! Po ashtu institucionet ndërkombëtare, si OKB, BB, FMN, etj., të krijuara në një kohë krejt të ndryshme nga e sotmja, qenkan futur në një krizë, që kërkon një reformim rrënjësor të tyre, sidomos për t'u "deamerikanizuar" sa më shpejt. E megjithatë, të pakët janë, hë për hë, zërat që thonë ndonjë gjë me vlerë, se çdo të vijë në vend të asaj që u dashka përmbysur, sipas parimit "sa më shpejt aq më mirë". Bile më habit edhe një lloj gare e disa liderëve botërorë për rolin e "Shpëtimtarit" në situatën kaotike që është krijuar. Pa mohuar meritat e pa diskutueshme personale të liderëve të veçantë të vendeve më të fuqishme të botës, që do të jenë protagonistë në Samitin e Washingtonit, rëndësi vendimtare, sipas mendimit tim, ka jo aq protagonizmi individual se sa bashkimi i mendjeve dhe vullneteve për të dalë nga kriza dhe për të gjetur zgjidhje afatgjata, teorike dhe praktike, teknike dhe organizative për epokën e re të botës që po globalizohet me shpejtësi. Epoka e re dhe kriza që po na shoqëron për tek ajo bëjnë apel për të mbajtur mirë parasysh të paktën dy kushte apo prioritete: Së pari, që demokracia dhe nevoja e drejtimit demokratik duhet të merren seriozisht edhe për epokën e re, dhe së dyti, që interesat e bashkësisë "njerëzim" të vihen, jo vetëm mbi ato të liderëve, por edhe mbi ato të kombeve-shtete të mëdhenj apo të vegjël, të qendrës apo të periferisë, qofshin... Ndërsa "ndarja e tortës" pret, sepse "torta" ende nuk është gatuar!. 
"Fundi i kapitalizmit", apo fundi i një epoke dhe një vizioni?
Kriza e sotme financiare është e rëndë, e zgjatur, e përmasave globale dhe që rrezikon të çojë ekonominë në recesion, ose thënë ndryshe në një periudhë edhe më të gjatë të shfrytëzimit në shkallë të ulët të burimeve ekonomike, shoqëruar me rritje masive të papunësisë, me rënie të ndjeshme të prodhimit dhe të investimeve. Po krijohet një bindje e përgjithshme se kriza financiare po shndërrohet në një krizë ekonomike globale. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon vëren, se kriza  kërcënon themelet e ekonomisë botërore dhe ve në rrezik rritjen e saj globale. Ndërsa po të jetë se nuk merren masa drastike ajo do të prekë të gjitha vendet, por ata që do ta vuajnë më shumë do të jenë "vendet e varfra në zhvillim, ku pasojat mund të jenë shkatërruese, të shoqëruara deri dhe me  vdekje masive nga uria". (GSH,2008,10,26). Këtë, mbase, kanë arritur ta ndjejnë, sipas shtypit edhe ata mijëra indianë në qytetin Puri, të ritit fetar Hindu, që kanë filluar t'i luten perëndeshës Laxmi që të ndërhyjë për krizën ekonomike botërore. (GSH,2008,10,26).
E megjithatë, mendoj, se e teprojnë si ata, që pa e ditur as vetë në se shprehin gëzim, mëri a ndëshkim, janë gati të brohorasin: "Goodbye Amerika", "Goodbye kapitalizëm", ashtu dhe ata që e quajnë krizën e sotme financiare botërore "burim të dinamizmit dhe efeciencës së ekonomisë së tregut" (A.Civici, Panorama, 2008.10.20). Sipas mendimit tim, para së gjithash i duhet thënë "Bye-bye" krizës dhe sistemit të sotëm financiar neoliberal të kapitalizmit korporativ, që nuk mundi të frenonte në dekadat e fundit, së pari, prirjet e "kapitenëve" të ekonomisë globale për të vënë gjithçka nën kontroll dhe, së dyti, grykësinë e tyre për fitime maksimale. Opinioni po sheh tani pasojat e shndërrimit të shoqërive financiare dhe të bankave në lloje të veçanta e komode kazinosh, ku luhej lirisht e në mënyrë të papërgjegjshme me paratë dhe pasuritë e patundshme të klientëve të tyre jashtë çdo lloj mbikëqyrjeje e kontrolli. Tregjet e "Industrisë financiare" u katandisën në "piramida gjigante", por që në thelb, zbatonin po atë "logjikë" që zbatonte firma e "vogël" piramidale "Sude" tek ne në vitin 1996-1997!.
Për këto arsye çështja që shtrohet, nuk ka të bëjë thuajse fare me nevojën e përmbysjes së sistemit të vjetër financiar botëror, apo vetëm me kërkesën për një "kontroll më të rreptë në tregje", sepse për këto sot nuk kundërshton dot kush. Themelore mesa duket, është gjetja e mënyrën se si duhet ndërtuar një sistem i ri, se si do të gjendet formula e një  kapitalizmi të rregulluar. Për të kuptuar më mirë atë që kërkohet le t'i referohemi shkurt historisë së sistemeve financiare që kanë funksionuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Më 22 korrik 1944 u nënshkrua Marrëveshja Bretton Woods me anën e së cilës u vendos "standardi i arit" dhe dollari amerikan u shpall valutë botërore, u miratua ngritja e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës së Rindërtimit dhe Zhvillimit. Sistemi, siç dihet, mund të funksiononte normalisht për aq kohë sa rezervat në ar të SHBA-ve do të siguronin këmbimin e dollarëve me ar. Në mesin e viteve '70-të kriza financiare imponoi një marrëveshje të re, që shfuqizoi standardin Bretton Woods për t'i hapur rrugën një modeli të konvertimit të lirë të valutave, sipas lëkundjeve karakteristike të kurseve të këmbimit... Në të vërtetë një liberalizim i tillë dhe çlirimi nga lidhja e dollarit me arin e zgjidhi krizën vetëm përkohësisht, sepse shumë shpejt bota u "përmbyt" nga dollari dhe nisi loja, pa rregullat dhe pa disiplinën e dikurshme, për ta shndërruar valutën në ndërtime të shtrenjtuara artificialisht, në vepra arti me çmime stratosferike, në objekte luksi, në bonuse, në kredi deri dhe për sende konsumi e pushime vjetore të zgjatura etj.
Vlen të theksohet, se kriza e sotme e sistemit financiar botëror është më e thella, më dramatikja, aq sa askush nuk e parashikon dot se ku, si dhe kur do të ndalet, e megjithatë, tani për tani, zgjidhja po kërkohet në të njëjtin rrafsh nëpërmjet "një korrigjimi", "një Bretton Woods"-i të ri" dhe vendosjes së ca "rregullave" të reja e paketash ndihme shtetërore. Sipas logjikës së tregut duhet të përgjigjet fajtori, të vihen në veprim sanksionet e tregut, të mos pengohet falimentimi i bankave që kanë abuzuar me lirinë, sepse ndryshe është e vështirë, që të hiqet dorë nga zakonet dhe sjelljet tejet liberale. Por kjo do të ishte vetë katastrofa dhe fundi i kapitalizmit, i demokracisë dhe i vlerave të tjera Perëndimore.
Globalkapitalizmi
Bota sot, po e ritheksoj nuk ka nevojë thjesht dhe vetëm për një "mësim më shumë", as për një Bretton Woods" të ri, por për një mendim të ri, për një vizion filozofik të ri, për të "rimenduar kapitalizmin" (Nicola Sarkozy), apo për të  "shpikur" një model të ri të tij, me një sistem bankar të rigjeneruar e të mbikëqyrur nëpërmjet formash të reja kontrolli e të mbajtjes së përgjegjësive. Në modelin e pritshëm, të cilin po e quaj globalkapitalizëm", për ta dalluar nga ai i sotmi, tregjet do të jenë më të besueshëm, të lidhur organikisht me një konceptim të ri të shtetit dhe posaçërisht të ndërhyrjeve të tij të sanksionuara e të gjithë pranuara, për disa nga dukuritë dhe treguesit më të rëndësishëm në fushën e ekonomisë. Gjithsesi, bota është në një tranzicion drejt etapave më të avancuara të globalizimit dhe priten transformime të thella strukturore, rritje të klasës së mesme dhe e mbështetjes së saj për vlerat e demokracisë dhe të zhvillimit botëror, të shpejtë dhe të qëndrueshëm. Ndërkohë, zhvillimi në kushtet e rreziqeve globale, tashmë të njohura, kërkon një shkallë më të lartë solidariteti dhe përgjegjshmërie, si dhe vënien nën kontroll të konflikteve, të krizave, të varfërisë, të lakmisë për fitime maksimale, të terrorizmit, të interesave gjeopolitike etj. një kërkesë e tillë, në formën e një imperativi kategorik e ka shprehur shkencëtari gjenial Klod Levi Straus, kur thotë: "Njerëzimi ose do të bashkohet, ose nuk do të jetë më". Gjithsesi, duhet të jetë e qartë se nuk bëhet fjalë për t'iu kthyer ekonomisë së komanduar dhe planifikuar, apo të shtetit monist e diktatorial, ku koncepti fitim nuk kishte vlerë, por për një "pushtet global" dhe shtet ligjor, që formësohet nëpërmjet votës së elektoratit, në kohezion me shoqërinë civile dhe bashkësitë e qytetarëve, që duhet të jenë po aq të interesuara për funksionimin e sistemit, sa edhe të zgjedhurit prej tyre, drejtuesit e shtetit, të bankave dhe të korporatave. Ndërkohë, lidhur me këtë çështje, ka kuptim të themi se ka ardhur koha për një lloj uljeje "nga piedestali", pa hezitim, të neoliberalizmit dhe për t'u dhënë atë që u takon, si mendimtarëve që kanë studiuar posaçërisht ekonominë kapitaliste të tregut dhe shkaqet e krizave, ashtu dhe alternativës që mbron nevojën e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi, sidomos në situata lëkundjesh e krizash. Edhe në kushtet e sotme, të krizës së parë financiare për epokën globale, alternativa socialdemokrate është më afër modeleve teorike të trajtimit të situatave të tilla në nivele lokale, kombëtare dhe globale. Dhe pa kërkuar "piedestale!"
Po i referohem vetëm Gordon Braunit, kryetarit të Partisë Laburiste dhe kryeministër i Britanisë së Madhe. Në alternativën, që ai ofron, dominon realizmi, thirrja drejtuar të gjithëve, të majtë dhe të djathtë, për të lënë pas ideologjitë dhe dogmat e vjetra, për të qenë solidarë mbi bazën e vlerave, si për adoptimin e masave të emergjencës dhe të politikave, që përpunon secili vend veç e veç e që janë afatshkurtra, ashtu dhe të një këndvështrimi afatgjatë e me përmasa globale për të ardhmen, bazuar mbi "parimet e pastra" të transparencës, të integritetit, të përgjegjësisë, të menaxhimit dhe të bashkëpunimit ndërkufitar.
Një "socializëm", sipas alternativës së Gordon Braunit i bankave, apo ndërhyrja e shtetit, a një "pushteti global", siç thuhet, mund ta bëjë të "mërzitshëm" sistemin, pa variacionet dhe iniciativat e sotme, veçse "më të sigurt për familjet dhe bizneset në këtë epokë globale", më të aftë për të parandaluar e përballuar krizat. Kjo i bën të domosdoshme masat e propozuara, që anojnë "majtas", por nuk ka pse të xhelozojnë dhe të armiqësojnë asnjë krah të politikës. Prandaj, duke u ngritur mbi panikun e përhapur në shkallë botërore, Braun me të drejtë nënvizon, se duke vepruar në solidaritet me njëri-tjetrin pa dallim, "viti 2008 do të kujtohet, jo vetëm si një vit i krizës ekonomike, por edhe si viti kur ne filluam të ndërtojmë përsëri botën ("The Washigton Post 2008,10,20).
Përfundime
1. Krizat, si kjo e sotmja, përfaqësojnë një gjendje kritike, një kompleks dramatik vështirësish e tronditjesh, por në të njëjtën kohë përmbajnë në vetvete edhe premisat e zgjidhjes, apo impulse të fuqishme për ndryshim.
2. Po pranohet, se "sistemi kapitalist duhet rimenduar" (N.Sarkozy) dhe se duhet përpunuar një model(apo modele) që t'i përgjigjet epokës së globalizimit, e cila po shfaqet përmes një vargu sfidash dhe rreziqesh globale.   
3. "Ndërtimi përsëri i botës" nuk do të thotë "dënim" dhe  nxjerrje totale nga skena e tregut të lirë, që ndihet "mirë" e përcaktues në ekonomitë e mbyllura të kombeve-shtete, por që kalon nëpër lloj-lloj peripecish e kontradiktash në një ekonomi globale. Në këtë rrafsh, kriza e sotme financiare po jep një mësim tjetër me vlerë për të mos e shtruar çështjen në formën e dilemës përjashtuese: ose tregu, ose shteti, por edhe tregu edhe shteti si sintezë e re e të kundërtave.      
4. Nuk përligjet indiferenca dhe një lloj shkujdesjeje nga ana e politikës në vendin tonë, për krizën e sotme botërore me pretekstin, se "ne nuk na prek"! Vërtet Shqipëria nuk është aq e ekspozuar ndaj pasojave të saj negative, në krahasim me  vendet me sistem bankar të zhvilluar dhe nivel të lartë investimesh, por gjithsesi nuk është e imunizuar dhe nuk mund të qëndrojë mënjanë proceseve të sotme globale.

Alternativa Gordon Braun
Po i referohem vetëm Gordon Braunit, kryetarit të Partisë Laburiste dhe kryeministër i Britanisë së Madhe. Në alternativën, që ai ofron, dominon realizmi, thirrja drejtuar të gjithëve, të majtë dhe të djathtë, për të lënë pas ideologjitë dhe dogmat e vjetra, për të qenë solidarë mbi bazën e vlerave. Propozimet e tij konkrete, që patën jehonë pozitive, mund të përmblidhen në një program me pesë pika kryesore: 1. Rindërtim  i sistemit financiar të thyer; 2. Mbikëqyrje ndërkufitare të institucioneve financiare; 3. Standarde të përbashkëta për mbajtjen e llogarive dhe rregullimin; 4. Një afrim shumë më të përgjegjshëm drejt shpërblimeve ekzekutive për punën, përpjekjet dhe iniciativën, por jo marrjen përsipër në mënyrë të papërgjegjshme të riskut; 5. Ripërtëritja e institucioneve ndërkombëtare për t'i bërë ato efektive dhe paralajmëruese për ekonominë botërore.

Medvedev, sistem sigurimi pa SHBA
Presidenti rus Medvedev nxitoi t'i ofrojë Evropës së Bashkuar, si për ta distancuar nga vendi "që shkaktoi krizën botërore financiare", një sistem të ri sigurimi rajonal, kësaj here, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që, sipas tij, humbën rolin e "liderit të pakushtëzuar" në raport jo vetëm me Evropën, por dhe me krejt bashkësinë perëndimore! Madje, një krah i "teoricienëve" të krizave nxitoi ta shpallë krizën e sotme financiare "si fundin e amerikanizmit", si "çlirim" nga superfuqia e vetme për të kaluar në një botë shumë polare! Pse jo dhe si "fundin e dominimit të Perëndimit për t'ia lëshuar vendin Lindjes. (Nikollov -V. Konjec Zapadocentrizma, Izvestia, 2008.10.17; Domenique Moisi- Një zvogëlim global i fuqisë së Perëndimit, KJ, 2008.10.14). Si argument sillet një fakt "që pritet të ndodhë" më 2020, kur tre nga katër fuqitë më të mëdha ekonomike të botës do të jenë në Azi e konkretisht Kina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›