E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo në bazë, debat mes anëtarëve

 

Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, krerët e grupeve të punës kanë nisur të dalin në bazë për zhvillimin e zgjedhjeve në degë. Kryetari i grupit të punës së Beratit, Genc Pollo, ka zhvilluar dje mbledhjen e parë me anëtarët e kësaj partie, por nuk është pritur mirë 9 vjet pas largimit nga PD-ja. Mosmarrëveshjet kanë nisur që në momentet e para të mbledhjes, kur Pollo ka kërkuar që ajo të zhvillohet me dyer të mbyllura. Anëtarë të degës së PD-së kanë reaguar ashpër, ku nuk kanë munguar as akuzat për ish-kreun e reformatorëve. Sokol Çela, një nga anëtarët e PD-së së Beratit  është shprehur se, "ne kemi dhënë jetën për këtë parti dhe nuk e shikojmë të arsyeshme që të rikthehet Pollo. Ne nuk duhet të dalim jashtë sallës. Ne duhet të qëndrojmë në sallë për të njohur nga afër planet që janë në projektet e partisë në lidhje me bashkimin e dy partive". Ndërsa kreu i PD-së së Beratit, Shkëlqim Hysa ka deklaruar se, "PD-ja ka nevojë për një shkundje, pasi ka ardhur momenti që ne do të koordinojmë punën në shkallë qarku". Në përfundim të mbledhjes së djeshme, zv.kryeministri Genc Pollo ka zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me drejtorët e institucioneve të qarkut të Beratit në prefekturë. Kjo është hera e parë kur baza e Partisë Demokratike ka shprehur hapur pakënaqësitë e saj ndaj rikthimit në këtë parti të Genc Pollos, nëntë vjet pasi ai u largua në drejtim të Partisë Demokrate të Re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›