E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëllohet me breshëri armësh në Vorë, emigranti i sapokthyer nga Franca

 

TIRANE - Plagoset me breshëri armësh në qendër të Vorës emigranti i sapokthyer nga Franca. Policia nis hetimin mbi ngjarjen, ndërsa i plagosuri përfundon në spital jashtë rrezikut për jetën. Dashamir Alhasa, rreth 35 vjeç, ka mbetur i plagosur me armë zjarri të shtunën në qendër të qytetit të Vorës, kur persona të panjohur i janë afruar atij dhe kanë qëlluar me armë zjarri. Autorët ende të paidentifikuar sipas burimeve të policisë, kanë qenë së paku dy persona, të cilët kanë qëlluar me armë automatike “Kallashnikov”, në drejtim të emigrantit të kthyer nga Franca pak kohë më parë. Ky i fundit ka marrë një plagë në kofshën e djathtë, ndërsa autorët janë larguar me një makinë, që ka lëvizur shpejt nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve të policisë, 35-vjeçari Alhasa, ka qenë pranë tregut të qytetit të Vorës, kur është sulmuar me armë zjarri nga personat e panjohur. Ky i fundit ka mbetur i plagosur në tokë, ndërsa disa persona aty e kanë ndihmuar për ta dërguar në spitalin ushtarak në kryeqytet. Atje atij i është dhënë ndihma e parë mjekësore nga personeli i spitalit. Fillimisht gjendja e tij, sipas burimeve spitalore ka qenë serioze, pasi ka marrë një plagë me armë zjarri në këmbë. Mjekëve u është dashur të kryejnë një ndërhyrje kirurgjikale, të dëmtuarit, pasi plaga e marrë paraqiste rrezik. Ndërkaq, policia kishte mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta pas marrjes së njoftimit për atentatin. Blutë pasi kanë mësuar identitetin e të dëmtuarit, kanë nisur edhe verifikimet për të zbardhur problemet e mundshme që ai ka pasur. Nga të dhënat e para është mësuar se i plagosuri kishte vetëm pak ditë, që kishte mbërritur nga Franca. Ky i fundit mësohet se ka qenë më parë edhe në Itali, ndërsa më pas ka kaluar në Francë. Policia ka shoqëruar pas ngjarjes disa persona në rajonin e policisë së Vorës, në cilësinë e dëshmitarëve. Policia ka hedhur dyshimet e para se shkaku i ngjarjes së ndodhur në qendër të Vorës, mund të jetë i importuar nga jashtë vendit ku kishte emigruar më parë i plagosuri. Blutë kanë kërkuar të dhëna dhe informacione për veprimtarinë e tij, jashtë vendit për burimet. Vetë i dëmtuari ka pohuar, se nuk ka dijeni përse mund ta kenë goditur me armë zjarri dhe se nuk ka pasur konflikte.                    d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›