Debati, PS rezolutë për votim në Kuvend
Seanca e së hënës pasdite në Kuvend pritet të karakterizohet me një maratonë debati. Kuvendi ka vendosur që mocioni për debat i kërkuar nga PS-ja me kryeministrin Sali Berisha, për çështjen e biznesmenit Damir Fazlliç, të realizohet pikërisht ditën e sotme në ora 17.00. Rreth pesë orë do të jetë në dispozicion të maxhorancës për të debatuar në lidhje me kërkesën e paraqitur nga ana e PS-së. Maxhoranca ka 180 minuta kohë në dispozicion për të debatuar për mocionin për debat, ndërsa opozita ka 90 minuta në dispozicion. Pas këtij debati, socialistët, në bazë të Rregullores së Kuvendit duhet të paraqesin rezolutën për këtë çështje. Rezoluta pritet të sjellë edhe përplasjen mes partive të koalicionit qeveritar. Votimi për rezolutën pritet të shfaqë edhe qëndrimin e partive politike, ku PDK-ja është ftohur së tepërmi me partinë më të madhe në pushtet. Ndërsa e djathta ka përçarje të votave, pasi një pjesë e deputetëve kanë dalë si të pavarur. Votimi mund të shihet dhe si një test për opozitën në mënyrën e votave kundër kryeministrit. Për votimin e rezolutës në Kuvend duhet një shumicë e thjeshtë, me 50 plus një të votave të gjithë deputetëve në Kuvend.