“Rama, asnjë lek për minibashkinë 10”
Megjithëse viti buxhetor është duke u mbyllur, Bashkia e Tiranës nuk i ka akorduar asnjë lek minibashkisë 10 në kryeqytet për investime në këtë zonë. Këtë e bëri të ditur dje kryetari i minibashkisë nr. 10, Gerti Bogdani. Në përgjigje të interesimit të gazetës lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet e njësisë bashkiake që ai drejton, Bogdani është shprehur se deri tani bashkia e madhe nuk ka akorduar asnjë fond për këtë minibashki, ndërkohë që investimet që ndërmerr vet i raporton si fonde të akorduara për njësitë vendore. “Në vijim të kërkesës suaj për marrje informacioni për disa çështje të veprimtarisë së njësisë bashkiake nr. 10, ju sqarojmë se të ardhura nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008 nuk kemi”, thuhet në përgjigjen e kryetarit të minibashkisë 10. Duke bërë publike të ardhurat e kësaj njësie për këtë vit, Gerti Bogdani tha për gazetën se nga Bashkia e Tiranës është akorduar në fillim të vitit një fond prej 30 milionë lekësh të reja, por që përdoret për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime administrative. “Buxheti i njësisë bashkiake nr. 10 përbëhet nga buxheti që na akordon Bashkia e Tiranës dhe për vitin 2008, ky buxhet është 30.482.000 lekë, ku përfshihen fondi për pagat, sigurimet shoqërore dhe shpenzimet operative. Sqarojmë se në këtë buxhet nuk na ka ardhur asnjë fond për investime”, theksoi më tej kryetari i njësisë bashkiake nr. 10 në Tiranë, Gerti Bogdani. Kjo minibashki gjatë këtij viti ka mbledhur rreth 1.6 milionë lekë të reja nga taksat vendore dhe në bazë të legjislacionit në fuqi ajo përfiton 10 për qind të kësaj shume që llogaritet në kufijtë e 160 mijë lekëve të reja. Sipas Bogdanit, kjo është e vetmja shumë, në mungesë të fondeve të akorduara nga Bashkia e Tiranës, që përdoret për investime për komunitetin, apo për aktivitete të ndryshme. Por kjo minibashki nuk ka vendosur kushtin e pagimit të taksave për të marrë certifikatë dhe, për këtë shkak rezulton të mos ketë të ardhura në nivelin e minibashkive të tjera, qytetarët e të cilëve detyrohen të paguajnë taksat vendore për marrjen e certifikatave në gjendjet civile. “Asnjë e ardhur nga taksat vendore nuk shkon për shpenzime administrative, por kjo shumë përdoret për investime në shërbim të komunitetit”, thekson më tej Gerti Bogdani.