Videoja 70 mijë euro, Prifti nis “betejën” me Prokurorinë
Ish-ministri Dritan Prifti, protagonist i dy video-përgjimeve, ka marrë në dorë fletë-thirrjen për të dëshmuar paraditen e sotme në Prokurorinë e Përgjithshme. Dëshmia për videon me Beqirin, por edhe për atë me Metën
Tiranë Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, pritet të zhvillojë sot një “betejë” me Prokurorinë, jo për të denoncuar korrupsionin në nivele të larta, por për mbrojtjen e tij. Videoja e fshirë në kompjuterin e tij, e cila u riprodhua rastësisht nga një ekspert amerikan, pritet të jetë zyrtarisht çështja për të cilën Dritan Prifti do të dëshmojë sot në Prokurorinë e Përgjithshme. Burime të rezervuara pohuan se prokurorët e çështjes kanë nisur në adresë të ish-ministrit fletëthirrjen për të dëshmuar në Prokurori, në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime. Si orar për paraqitjen e tij në Prokurori është caktuar paraditja e së hënës, ndërsa grupi hetimor është në pritje të gatishmërisë së Priftit për t’u përballur me akuzën për cilëndo çështje që ai ka dijeni. Thirrja në Prokurori e ish-ministrit që ka denoncuar disa afera të pretenduara korruptive, përfshi edhe një video-përgjim mes tij dhe ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, këtë radhë ka si objekt një tjetër video, ku protagonist është vetë Prifti dhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiri. Dy ish-zyrtarët e lartë, sipas videos së gjendur në kompjuterin e ish-ministrit, shfaqen duke ndarë një shumë prej rreth 70 mijë eurosh mes tyre. Ky episod, që rrezikon marrjen të pandehur të Priftit dhe pikëpyetjet e tjera që ngrihen për këtë çështje, pritet të sqarohen paraditen e sotme nga ish-ministri, i cili thuhet se ka një alibi për të rrëzuar videon dhe versionin e pretenduar nga Prokuroria. Megjithatë, të gjitha pretendimet e ngritura, së bashku me dyshimet për korrupsion pasiv nga ana e ish-ministrit pritet të sqarohen sot në Prokurorinë e Përgjithshme, ku përveç Priftit i pranishëm pritet të jetë edhe ish-vartësi i tij Leonard Beqiraj. Në fokusin e Prokurorisë, pritet të jetë edhe video-përgjimi mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-vartësit të tij Dritan Prifti. Kjo video e regjistruar nga Prifti në zyrën e tij ende nuk është zbardhur tërësisht, si nga eksperti amerikan, ashtu edhe nga Prokuroria, e cila vijon të pyesë persona që kanë dijeni për episodet e përmendura gjatë bashkëbisedimit Meta-Prifti. Edhe pse ish-ministri Prifti ka dhënë shpjegime për këtë çështje, tashmë ai do të pyetet në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, duke lënë kështu të hapur mundësinë e marrjes së tij në cilësinë e të pandehurit, në rast se Prokuroria e Përgjithshme ka provat e duhura. Burimet thanë se aktualisht hetimet për këtë çështje janë në fazë fillestare, pasi asnjë prej protagonistëve të videos nuk është marrë në pyetje. Njoftimi i akuzës së korrupsionit ndaj dy protagonistëve, sipas Prokurorisë, është veprimi i fundit hetimor që kryhet pas mbledhjes së të gjitha provave, duke nënkuptuar kështu përfundimin e hetimeve. Në rastin konkret, si Beqiraj ashtu dhe Prifti ende nuk kanë dhënë versionin e tyre rreth videos ku ata shfaqen duke ndarë 70 mijë euro, duke kushtëzuar kështu veprimet e mëtejshme hetimore.
Dritan Prifti, alibi për videon 2?
“Nëse Prokuroria do të më kishte thirrur, do ta kisha sqaruar se videoja e dytë është një tjetër dëshmi e mbledhur prej meje, për të faktuar korrupsionin e Ilir Metës”. Me këtë deklaratë është mbrojtur deri më sot ish-ministri Dritan Prifti, i cili pas heqjes së imunitetit është nën hetim për korrupsion aktiv. Në të vërtetë, flitet se ish-ministri do t’u bëjë me dije prokurorëve të çështjes një alibi, që, sipas tij, rrëzon akuzën e ndarjes së 70 mijë eurove, të përfituara përmes abuzimit me detyrën. Por burime nga Prokuroria bëjnë me dije se versioni i ish-ministrit Dritan Prifti do t’u nënshtrohet verifikimeve përkatëse, duke lënë kështu të hapur mundësinë e ballafaqimit mes Priftit e Beqirit. Nga pikëpamja procedurale, ky veprim kryhet në rast se deklarimet e tyre bien në kundërshtim me njëri-tjetrin, por pasi Prokuroria të ketë marrë më parë dëshmitë e dy të dyshuarve.