E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafik droge Francë-Gjermani, bien në pranga 42 shqiptarë

Foto Ilustruese

PARIS – Policia franceze ka goditur dje një grup kriminal, që trafikonte drogë mes këtij vendi dhe Gjermanisë. BBC raportoi se rreth 200 policë kanë kryer bastisje në qytetin e Mulhouse, pranë kufirit me Gjermaninë, ku janë vënë në pranga 39 veta. Tre shtetas të tjerë, pjesë e organizatës, u arrestuan përgjatë kufirit me Gjermaninë. Bastisjet dhe arrestimet janë finalizuar me arrestimin e 42 shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, që dyshohet se janë përgjegjës për trafikim të drogës dhe qenieve njerëzore. Remi Coutin, një prokuror në qytetin francez të Nancy, tha se të arrestuarit kanë trafikuar “qindra kilogramë heroinë.”. Gazeta vendëse “Le Figaro” raportoi se kontrabandistët e drogës e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në rajonet rurale të Francës. Sipas të dhënave të bëra publike dje në media, mësohet se gjatë aksionit për arrestimin e 42 shqiptarëve është arritur të sekuestrohet një sasi prej 50 kilogramësh heroinë e pastër. Mediat franceze që kanë pasqyruar lajmin, i janë referuar një raporti të Institutit të Kërkimeve për Studime Europiane dhe Amerikane (RIEAS), ku theksohet se grupet shqiptare të krimit të organizuar janë organizata hibride, shpesh të përfshira edhe në veprimtari kriminale. “Ato janë bërë gjithnjë e më e vështirë për të dalluar qartë ndërmjet grupeve keqbërëse me qëllime të tjera dhe njësive të krimit të organizuar. Taktika e tyre është të mbivendosen”, thekson një raport i Kombeve të Bashkuara. Ekspertët e huaj kanë thënë se kriminaliteti shqiptar është problematik në disa vende të përcaktuara, si Italia, Belgjika, Gjermania, Franca dhe Zvicra e Greqia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›