E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO: Qeveritë duhet të jenë të përgjegjshme

Sergio de Gregorio: Siguria dhe stabiliteti në vendet e Ballkanit varet nga stabiliteti i tyre ekonomik dhe suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar


Senatori italian, Sergio de Gregorio, kryeson delegacionin italian të Asamblesë Parlamentare të NATO- s, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Politika e dyerve të hapura, sfida e fitores në Afganistan dhe bashkëpunimi NATO-Rusi janë gjithashtu në fokus të kësaj interviste.


Z. senator de Gregorio, çështjet e sigurisë dhe paqes në Ballkan janë tema qendrore e bisedimeve që delegacioni italian i Asamblesë Parlamentare të NATO-s po zhvillon me autoritetet e Tiranës. Çfarë pret NATO nga Shqipëria?


Presim nga Shqipëria që ajo të luajë një rol të rëndësishëm: atë të ndërmjetësimit pozitiv në rajonin e Ballkanit, të një roli përherë dhe më të madh në vendosjen e dialogut me vendet e rajonit.


Në këtë kuptim Shqipëria duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë pasi përgjegjësia, që buron nga të qenit vend anëtar i NATO-s, rrit nevojën e dialogut për bashkëpunim për paqen.


Sa i sigurt dhe i stabilizuar është sot Ballkani?


Situata e sigurisë duket e përmirësuar pas shumë vitesh të mbikëqyrjes së Ballkanit nga NATO. Por, fërkimet etnike janë përherë te dera, gati për të shpërthyer.


Është e qartë, që nëse NATO do të largohej nga Kosova apo Bosnjë-Hercegovina, rreziku i rindezjes atje të konflikteve etnike, i rindezjes së fundamentalizmit do të ishte në prag. Por, dialogu dhe përpjekjet për të garantuar paqen kanë dhënë rezultate të mëdha gjatë këtyre viteve dhe roli i NATO-s në këtë proces ka qenë thelbësor.


Urojmë që qeveritë e vendeve të rajonit të bëhen edhe më të përgjegjshme, nga sa janë tani, për domosdoshmërinë e paqes. Sot përgjegjësia nuk duhet ta bjerë mbi NATO-n, që filtron mundësitë e rindezjes së shkëndijës së konfliktit të armatosur në Ballkan dhe lehtëson zgjidhjen e problemeve.


Përgjegjësia duhet të bjerë mbi qeveritë e vendeve të rajonit, të cilat duhet ta shohin garantimin e paqes dhe perspektivat e saj, si një rezultat shumë të rëndësishëm. Nuk mund të jetojmë, disa mijëra kilometra larg Europës, një situatë shpërthyese, që rrezikon stabilitetin, sigurinë dhe paqen e një kontinenti të tërë.


Nëse qeveritë e Ballkanit dëshirojnë të arrijnë rezultate në stabilitetin ekonomik dhe, në fund të fundit, në garantimin e sigurisë dhe të rritjes së vendeve të tyre, atëherë po, mund të kenë bashkëpunim me NATO-n dhe BE-në.


Por këto qeveri duhet të jenë të përgjegjshme për ndërtimin dhe stabilitetin e një të ardhmeje në paqe. Kjo është e nevojshme dhe objekt i bisedimeve tona me Shqipërinë dhe gjithë vendet e rajonit.

A i shërben rritjes së sigurisë politika e NATO-s e "dyerve të hapura" për vende të tjera të rajonit si Serbia, Maqedonia?


Në derën e NATO-s po trokasin shumë vende. Nevoja për të garantuar paqen në rajonin e Ballkanit kalon nga përfshirja përherë dhe më e madhe e vendeve të rajonit.


Cila është sfida kryesore që vendet dhe qeveritë e Ballkanit duhet të fitojnë për të garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon?


Sfida më e madhe që vendet e rajonit të Ballkanit duhet të fitojnë, është një sfidë e brendshme. Çdo vend i këtij rajoni gjeografik duhet të arrijë progres në stabilitetin e tij të brendshëm.


Ballkani përballet me probleme të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar, të ndërprerjes së trafiqeve të drogës dhe armëve që shpesh kalojnë nga Ballkani. Ka probleme lidhur me stabilitetin ekonomik të vendeve të rajonit. NATO dhe organizmat ndërkombëtare janë duke punuar me të gjitha forcat, për të pasur stabilitet ekonomik.


Nuk është vetëm perceptimi i qytetarëve të Ballkanit se anëtarësimi në NATO dhe në BE do të përmirësojnë kushtet ekonomike të popullsisë së vendeve të Ballkanit. Jo. Sondazhet thonë që perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe në BE për vendet kandidate në Ballkan, përmirëson stabilitetin dhe garantimin e paqes.


Nëse Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë sfidë stabilitetin e brendshëm, sfida e NATO-s është fitorja në Afganistan. Çfarë sinjali po ju jep Shqipëria?


Po marrim një sinjal të madh nga kjo vizitë në Shqipëri. Shqipëria, ndonëse është një vend me një forcë ushtarake që po riorganizohet në kuptimin profesional, ka dhënë dhe po jep kontributin e saj për fitoren në Afganistan.


A përbën bashkëpunimi i NATO-s me Rusinë një faktor të rëndësishëm për të fituar sfidën afgane?


NATO nuk mund të bëjë pa Rusinë. Rusia është një faktor thelbësor për të fituar në Afganistan, për të hapur bisedime për paqen në Lindjen e Mesme, për të luajtur rolin e ndërmjetëses me Iranin, nisur nga marrëdhëniet që Rusia kultivon me këtë vend që në lashtësi.


Rusia është shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë kontinentin Europian. NATO nuk dëshiron më të përjetojë skenarë të Luftës së Ftohtë. Është e qartë që sot ndodhemi para një problemi: ka shumë vende nga ish perdja sovjetike që sot janë anëtare të NATO-s dhe të BE, që jetojnë ende akthin e rusofobisë, si një çështje që është gati të shpërthejë. NATO po punon që të shmangim ketë ndjenjë dhe që vendin e saj ta zërë nevoja për dialog.


A mund të tregoni konkretisht si mund të kontribuojë Rusia në fitoren e NATO-s në Afganistan?


NATO vë në rrezik kredibilitetin e vet për ecurinë e sfidës afgane. Një nga rezultatet e bashkëpunimit NATO - Rusi është bindja e vendeve anëtare për të nisur luftën kundër trafikut të drogës, që fillon në Afganistan, kalon nga Rusia dhe mbërrin pastaj në vendet e BE. Rusët pohojnë se 400 miliardë dollarë të përftuara nga droga kalojnë në territorin rus, për të pushtuar më pas kontinentin e vjetër.


Është firmosur një protokoll bashkëpunimi mes delegacionit italian dhe atij rus, pranë Asamblesë Parlamentare të NATO-s ku ku të dyja palët i kërkojnë vendeve anëtare të NATO-s të ndërtojnë një strategji për luftën kundër drogës, që vjen nga Afganistani dhe shkatërrimin e bimëve narkotike. Nëse nuk fillojmë nga ky problem, ka të ngjarë që misioni i NATO-s në Afganistan të bëhet përherë dhe më i vështirë.


Dje NATO ndodhej para talebanëve të paorganizuar dhe të dobët nga pikëpamja ushtarake. Sot ndodhet para forcave talebane dhe të Al Qaedës, të përgatitura ushtarakisht dhe me mjete ushtarake gjithmonë dhe më të sofistikuara. Pikërisht këto mjete janë rezultat i aftësisë së talebanëve dhe të Al Qaedës për të shfrytëzuar të ardhurat nga trafiku i drogës dhe financuar forcat e tyre të armatosura.


Kjo vë në rrezik të ardhmen e fitores së NATO-s në Afganistan. Fitorja në Afganistan kalon përmes luftës së vendosur kundër trafikut të drogës, pasi pa këtë trafik talebanët dhe Al Qaeda nuk mund të sigurojnë burime financiare.

******************

NATO: Zgjidhni krizën, po cenoni strategjinë


TIRANË - Ndërkombëtarët vazhdojnë të intensifikojnë thirrjet në drejtim të klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën politike dhe apeli kësaj radhe ka ardhur nga delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.


Në përfundim të vizitës së tij dyditore në Shqipëri, ky delegacion ka kërkuar që forcat kryesore në vend dhe liderët e tyre të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e situatës politike, pasi në të kundërt, kjo krizë mund të cenojë strategjinë e NATO-s.


Kryetari i këtij delegacioni, italiani Serxho De Gregorio, pasi është takuar me drejtuesit e shtetit, si Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha e kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu qëndrimin se gjatë takimit me krerët shqiptarë kanë evidentuar krizën politike.


Sipas De Gregorio-s, duke qenë se Shqipëria është anëtar i NATO-s që prej 4 Prillit të vitit të kaluar moszgjidhja e krizës politike rrezikon strategjinë në Aleancës.


Ai ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit politik, pasi, sipas tij, janë një sërë ligjesh që duhet të miratohen brenda Parlamentit dhe të cilat përkojnë me NATO-n dhe me aspiratën e Shqipërisë për t'u bërë anëtare e Bashkimit Europian.


"Parlamenti të jetë funksional, duhet dialog dhe konsensus për të zgjidhur krizën",- tha De Gregorio. Të njëjtin apel bëri para dy ditësh edhe presidenti i Këshillit të Europës, Mevlut Çaushoglu, i cili kërkoi që hyrja e opozitës në Parlamenti të mos jetë vetëm hapi i parë i dialogut politik, por ai duhet të vazhdojë më tej në Parlament.


Gjithashtu, edhe ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në vendin tonë i kanë kërkuar klasës politike që të zgjidhin sa më parë këtë situatë, pasi nëse vazhdon më tej, Shqipëria mund të përballet me pasoja serioze për integrimin e saj në BE. Por, pavarësisht thirrjeve të faktorit ndërkombëtar, forcat politike ende mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta, veçanërisht për hapjen e kutive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›