E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Mos paguani aforfe, KESH: Thirrje e turpshme

• Pas vendimit të ERE për të shtyrë me një vit ligjshmërinë e faturave aforfe, Partia Socialiste dhe KESH janë përfshirë në një debat publik mes tyre.ADI SHKEMBINënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, u ka bërë thirrje dje të gjithë qytetarëve që të mos paguajnë faturat aforfe të ardhura, pasi sipas tij janë të paligjshme. Duke folur në një konferencë për shtyp, Braçe u shpreh se "Ne vazhdojmë të apelojmë që qytetarët të refuzojnë pagimin e çdo fature të paligjshme, që vetëm i grabit". Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe, i konsideroi si të paligjshme faturat aforfe të lëshuara nga KESH. Sipas tij, "rritja e çmimit të energjisë elektrike është një tjetër vjedhje e madhe ndaj shqiptarëve". "Të gjitha humbjet, të ardhura si efekt i paaftësisë së KESH-it, do të paguhen nga qytetarët me çmimin e ri të energjisë elektrike. Pikërisht për këtë arsye ne kemi apeluar në vijimësi, që qytetarët shqiptarë të kundërshtojnë me çdo mjet demokratik këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike, që vjen si pasojë thjesht dhe vetëm e keqmenaxhimit të KESH-it", theksoi në konferencën për shtyp nënkryetari i deputetëve socialistë.BojaxhiPor i menjëhershëm ka qenë reagimi i drejtorit të Koorporatës Elektro-Energjetike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi. Duke folur në një konferencë për shtyp kreu i KESH-it, tha se ky institucion nuk do të lejojë asnjë person që të shkelë ligjin duke mos paguar faturat e energjisë elektrike, pavarësisht mbështetjes politike që ka. "Eshtë e turpshme që një deputet në Parlamentin shqiptar, pavarësisht se cilës parti i përket, të përpiqet që të mbrojë vjedhësit dhe hajdutët e energjisë elektrike", tha kreu i KESH-it. Në të njëjtën kohë, drejtori i KESH-it theksoi se vendimi i ERE-s për faturat aforfe është i ligjshëm. Sipas tij, ERE si një institucion i ngritur nga Parlamenti shqiptar, është i ligjshëm dhe nëse një deputet i parlamentit ka problem me vendimet që nxjerrin institucionet e parlamentit, atëherë këto vendime duhet t'i diskutojë në parlament dhe me institucionet përkatëse dhe jo t'i bëjë thirrje qytetarëve shqiptarë që të shkelin ligjin. "Çdo faturë e korporatës lëshohet në bazë të një firme dhe vendimi të një grupi njerëzish që punojnë në korporatë. Nëse një firmë ose një grup njerëzish kanë bërë gabime ata do të ndëshkohen, por faturat e energjisë elektrike duhen paguar", u shpreh Bojaxhi. "Çdokush që bën thirrje për mospagesë të faturave të lëshuara nga korporata është duke shkelur ligjin dhe është e turpshme që një deputet del dhe flet në emër të një partie për të shkelur ligjin", theksoi më tej drejtori i Përgjithshëm i KESH. PD: Faturat aforfe i ligjëroi PSZëdhënësi i PD, Gerti Bogdani, deklaroi dje në një konferencë për shtyp se "PD dhe kjo Qeveri ka qenë dhe është e vendosur kundër faturave aforfe dhe nuk mund të jetë dakord me qëndrimet e Partisë Socialiste për falimentimin e një enti që është jetik për qytetarët dhe ekonominë e vendit". "Për tetë vjet me radhë Partia Socialiste nuk realizoi kartat e identitetit, ndërsa sot që procesi është në zbatim, ata kërkojnë llogari se përse po i bëjmë dhe mendojnë se shqiptarët nuk dinë t'i japin përgjigje atyre që nuk i realizuan dot për dy mandate resht", deklaroi Bogdani. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "për tetë vjet me radhë ata vendosën regjimin e faturave aforfe dhe sot ngrenë zërin kundër vendosjes së 170 000 matësve të rinj të nevojshëm, të cilët nuk u vendosën në kohën e Harasanit, por po vendosen në kohën e kësaj qeverisjeje, e cila po u jep fund faturave aforfe".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›