E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja që ruan historinë e Afganistanit

Në vitet ‘70, kur shkrimtarja dhe historiania amerikane Nancy Hatch Dupree vizitoi për herë të parë Afganistanin, vendi po jetonte një sezon të shkurtër liberalizimi social. Kabuli njihej si Parisi i Lindjes dhe vizitorët mund të shkonin aty pa vështirësi. Studentet dilnin xhiro të veshura me minifund, banorët e Kabulit adhuronin të shkonin për ski në fundjavë dhe të pasionuarit pas kuajve nuk linin pas dore garat e hipizmit. 40 vjet më vonë, në një natë të errët vjeshte takova Nancy-n në një pallat në qendër të Kabulit. Lagjja ishte elegante, pavarësisht rrugëve të shkatërruara dhe shtëpive të ngritura me pllaka çimentoje, të cilat ishin ndërtuar me të ardhurat nga trafiku i opiumit nën rrënojat e ndërtesave të tjera. Në pallat jetojnë punëtorët e OJQ-së franceze "Acted". Edhe pse në moshën 82-vjeçare, Nancy-t i pëlqen të rrijë mes të rinjve për të kujtuar kohët e vjetra. Pavarësisht rojës që qëndron në portë dhe telit me gjemba atmosfera duket më se normale. Po ky është vetëm një kujtim i vagullt i Afganistanit që Nancy ka njohur që nga ardhja e saj dhe që do të bënte të takonte dashuritë më të mëdha të jetës së saj: një pamje të mrekullueshme, i pasur me rrënoja të qytetërimeve të ndryshme dhe dashuria e jetës së saj, burri i dytë Luis Dupree, një ish-parashutist amerikan, që më vonë u bë arkeolog dhe u konsiderua eksperti më i madh perëndimor i Afganistanit të brezit të tij.

Guida që nuk duhet më

Në Kabul fëmijët e rrugës shesin ende botimin origjinal të vitit 1970 nën emrin "An historical guide of afganistan", libri që Nancy Dupree shkroi për Organizatën Afgane të Turizmit. Sot, guida e famshme është krejtësisht e kotë për turistët e paktë që izolohen në lagjet më të sigurta të Afganistanit. Vetëm një i çmendur mund ta merrte në konsideratë ofertën për të shëtitur qetësisht në pazaret e Kandaharit dhe kryeqyteti është thuajse i panjohur në krahasim me atë që përshkruhet në guidë. As dy statujat gjigante të Budës së Bamyanit nuk i kanë shpëtuar shkatërrimit. Të ndërtuara në shekullin e 7 pas Krishtit u hodhën në erë nga talebanët në mars të vitit 2001. Dupree i pa për herë të parë këto statuja gjatë një udhëtimi në Afganistan me burrin e parë, një diplomat amerikan. Pas kthimit nga Kabuli qortoi drejtorin e Organizatës Afgane të Turizmit për mungesën e një guide mbi luginën e Bamyanit. Ai u përgjigj se mund ta shkruante ajo. Gjatë kërkimeve për librin, Nancy njohu Luis Dupree-në që e ndihmoi me shumë informacion mbi historinë e kësaj lugine. Dy vjet pas takimit të tyre të parë, Nancy u divorcua nga i shoqi, i cili u rimartua me gruan e parë të Dupree-s. Nancy dhe Luis u martuan në vitin 1966, në një ceremoni të thjeshtë në një zonë në juglindje të vendit. Për 20 vjet Afganistani ishte vendi i Dupree-ve që përjetuan nga afër pushtimin sovjetik, luftën civile dhe regjimin e talebanëve. Pas vitit 2000, Nancy ka qenë e pranishme edhe në dështimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të ndërtuar vendin, me miliarda dollarë të shkuar dëm për "projekte të mëdha pa asnjë të ardhme". Njohjet e saja për Afganistanin janë vlerësuar si nga Kombet e Bashkuara, që e caktuan me detyrën për të hetuar rreth dëmeve kulturore që ka pësuar vendi në gjithë këto vite, si nga Osama bin Laden, që iu drejtua asaj kur kishte nevojë për disa certifikata për importin nga Pakistani të disa ekskavatorëve. "Ishte i turpshëm dhe i sjellshëm", kujton Nancy, që akoma nuk e kupton se përse i kërkoi ndihmë asaj. Gjendja e keqe shëndetësore e Luisit e detyroi çiftin të kthehej në SHBA, ku në vitin 1989 burri ndërroi jetë. Pasi dha mësim për disa muaj në "Duke University", Nancy dëgjoi sërish thirrjen e Afganistanit. OJQ-ja "Acbar", me seli në Peshawar në Pakistan, e thirri duke i thënë: Duam të vëmë në jetë idenë e madhe të Luisit, por nuk po ia dalim dot mbanë. Duhet të vish të na ndihmosh. Ideja e madhe e Luisit ishte të ruante njohjen e akumuluar nga antropologë, bashkëpunëtorë dhe studiues të ardhur në Afganistan në vitet ‘70, duke krijuar një arkiv të madh të kërkimeve të tyre, lidhjeve dhe projekteve. Kjo përmbledhje jo vetëm që tregon 40 vjet përpjekje në favor të zhvillimit, por është edhe një monument për Luis Dupree-në, një ish-ushtarak që përfitoi nga një program ndihme për të studiuar në Harvard dhe për t‘u bërë një ekspert i arkeologjisë parahistorike në Azinë Qendrore. Për vite me radhë, Dupree-të e mbajtën arkivin e tyre në Peshawar. Çifti kishte shkuar të jetonte aty në vitin 1979, pasi autoritetet afgane e kishin akuzuar Luisin se ishte një spiun i CIA-s. Një akuzë që Nancy e hedh poshtë, por që pas vdekjes së Luisit u konfirmua nga senatori amerikan Gordon Humphrey. Me migrimin përfunduan ditët e lumtura në shtëpinë e tyre në Klola Pushta, qendra e jetës sociale në Kabul. Pasi u larguan nga Afganistani, çifti e vazhdoi punën e tij në mes të popullsisë me më shumë refugjatë në botë. Luis pati idenë për të krijuar një qendër për bashkëpunëtorët dhe ekspertët që nuk mund të udhëtonin më lirisht në Afganistan, duke ruajtur gjithë punën e tyre. Ai vdiq në vitin 1989 pas tërheqjes së sovjetikëve nga Afganistani. Në atë kohë Kabuli u shkatërrua thuajse plotësisht, por sidomos trashëgimia kulturore e vendit. Vendet historike u shkatërruan dhe pjesa më e madhe e koleksionit të muzeut të Kabulit, për të cilën Nancy kishte shkruar një guidë, u vodh dhe u shit në tregun e zi. Sot shoqëria për ruajtjen e pasurisë kulturore të Afganistanit ka arritur të gjejë një pjesë të tyre. Të gjitha këto humbje historike e bëjnë arkivin Dupree një burim akoma më të çmueshëm për t‘u shfrytëzuar. Për Nancy-n, këto 40 mijë dokumente janë si një pjesë e saj. Janë aq të rëndësishme, sa pas "pushtimit" amerikan të Afganistanit në vitin 2001 nuk deshi të largohej nga Peshawar, edhe pse shumë emigrantë po ktheheshin në atdhe. "Unë nuk lëviza, sepse arkivi nuk ishte i sigurt. Në atë kohë nuk kisha kopje tjetër të dokumenteve. Mjaftonte një bombë amerikane apo një fije shkrepëse e mullahëve për të shkatërruar gjithçka". Nga frika se mos burokratët pakistanezë donin ta mbanin përmbledhjen e saj në Peshawar, në 2003-shin vendosi që ta transferonte arkivin pak e nga pak. I gjithë ky material do të vendoset në bibliotekën e një kampusi të ri universitar në Kabul. Nancy shpreson se arkivi do t‘i shtyjë bashkëpunëtorët dhe ekspertët e zhvillimit që të mos i përsërisin gabimet e vjetra dhe strategjitë e kota të ndjekura deri më tani. Gruaja 82-vjeçare ka shumë besim se fuqia e librave do të ndikojë në ndryshimin e vendit. Jo vetëm falë arkivit të saj, por edhe falë një programi që parashikon ndërtimin e bibliotekave në fshat për të ulur analfabetizmin. Si shumë gjëra të tjera, edhe arsimi është shkatërruar në këto 30 vjet luftë.

Virusi afgan

Kohët e fundit, Nancy-t iu desh të ndërronte shtëpinë në Peshawar, ku ka jetuar së bashku me macet për 15 vjet, sepse pronarja ka rritur qiranë. Pas një sërë vrasjesh dhe rrëmbimesh në qytet del rrallë nga shtëpia. "Nëse do të jetoja gjithë kohën në Kabul do të isha më e sigurt, por Peshawar është vendi i vetëm ku gjej kohën për të vazhduar të shkruaj". Por, pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve nuk ka ndërmend të largohet. "Mendoj se këta njerëz kanë të ardhme dhe ndoshta mund të jem e dobishme. Ja përse qëndroj. Shumë e quajnë virusi afgan, që është si malaria: kur mendon se të është larguar, zbulon se është e kundërta"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›