E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 5 vjet burg priftit të Karavastasë

Prokuroria kërkon pesë vjet
burg për priftin e Karavastasë,
Mihal Shuli, i akuzuar
për trafik të klandestinëve.
Gjithashtu, organi i akuzës
kërkon pezullimin nga "detyra" të
at Mihal Shulit për periudhën
trevjeçare. Ndërkohë, prokuroria
ka kërkuar për Gani Vëllazërinë, 8
vjet dhe 7 milionë lekë gjobë, për
Ilia Çipin, 6.5 vjet burg dhe 6.5 milionë
lekë gjobë, për Altin Qatipin, 5
vjet burg dhe 6 milionë lekë dhe
pezullim me kusht për 3 vjet, për
Pajmond Duron, 3 vjet burg dhe
500 mijë lekë gjobë, për Irfan Dalipajn,
5 vjet burg dhe 6 milionë lekë
gjobë, për Artur Nikollën, 5 vjet
burg dhe 6 milionë dhe pezullim
me kusht për 3 vjet, për Edmond
Torçillën, 5 vjet burg dhe 6 milionë
dhe pezullim me kusht për 3 vjet
dhe për Manol Xhaminë, 5 vjet
burg, 6 milionë lekë gjobë dhe pezullim
me kusht për 3 vjet.
Prokuroria
Organi i akuzës thotë se mbi të
pandehurit rëndojnë akuzat e "korrupsionit",
"dhënie ndihmë për
kalim të paligjshëm të kufirit me
qëllim përfitimi", "falsifikim të
pasaportave, vizave e formularëve",
"falsifikim i vulave, i stampave
ose formularëve", "prodhim i
mjeteve për falsifikim dokumentesh",
të gjitha të kryera në
bashkëpunim. Sipas prokurorisë,
këta persona në bashkëpunim me
njëri-tjetrin funksiononin si një
grup i organizuar, që kishte qëllim
trafikimin e paligjshëm të klandestinëve,
fillimisht për në Greqi dhe
më pas në Itali. Të akuzuarit dhe
avokatët e tyre pretenduan se,
prokuroria veç faktit që të pandehurit
kanë folur në telefona me
njëri-tjetrin nuk ka sjellë asnjë
provë tjetër në gjykim. Kurse disa
prej të pandehurve, përfshi edhe
priftin Mihal Shuli, pohuan se kishte
ndodhur që ndonjë prej emigrantëve
u kishte kërkuar ndihmë
për të emigruar në Greqi apo Itali
dhe këta thjesht e kishin orientuar
të shkonte në konsullatat greke dhe
të pajisej me vizë të rregullt emigrimi,
duke pretenduar si lehtësi faktin
që, këta persona i përkisnin fesë
ortodokse. Avokatët thanë se akuza
ndaj klientëve të tyre duhej të
lehtësohej në "moskallëzim krimi"
apo "dhënie ndihme për kalim të
paligjshëm kufiri", çka duhet të
shoqërohej me zbutje të masës së
sigurisë. Por ndryshe nga kjo, përfaqësuesi
i Prokurorisë pohoi se
Task-Force, që kishte drejtuar hetimet
ka bërë të mundur dokumentimin
e veprimtarisë kriminale, që
këta persona në bashkëpunim me
njëri-tjetrin dhe me punonjës të
doganës së Kapshticës, realizonin
kalimin në mënyrë të paligjshme të
klandestinëve nga Shqipëria në
Greqi, ku përfitimet nga ky aktivitet
shkonin deri në 2000 euro për person.
Ndërkohë, gjatë kryerjes së
këtij aktiviteti, personat e arrestuar
falsifikonin dokumente të ndryshme
si pasaporta, viza, certifikata,
leje qëndrimi e çdolloj dokumenti
tjetër që u nevojitej.
Prifti i akuzuar
Mihal Shuli, prifti i fshatit
Karavasta, akuzohet nga prokuroria
të jetë pjesëmarrës në dy grupeve
kriminale, që kishin si qëllim
trafikimin e paligjshëm të klandestinëve
drejt Greqisë dhe Italisë.
Shuli pohoi në gjykatë se ishte i
pafajshëm dhe, se thjesht, nëse
dikush i kishte kërkuar mendim, ky
e kishte orientuar në konsullatë që
të emigronte ligjërisht. At Mihal
Shuli, prifti i Karavastasë, ishte një
ndër 12 personat e arrestuar për
trafik qeniesh njerëzore e falsifikim
dokumentesh e vulash.
Shërbëtori i Perëndisë dyshohet
se gjente dhe transportonte
klandestinë për 800-2000 euro.
Burimet e prokurorisë deklarojnë
se 48-vjeçari Shuli kishte rolin e tij
në rrjet, pasi ai gjente klientë, bile
në jo pak raste edhe i përcillte në
këmbim të përfitimit të 800 eurove
deri në skajin juglindor të vendit,
në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.
Prej aty bëhej dhe kalimi i
klandestinëve në drejtim të Greqisë.
Po të njëjtat burime sqarojnë
se at Mihal Shuli kishte të paktën 2
deri në 3 vjet që ishte pjesë aktive
e rrjetit të trafikantëve të klandestinëve
për të kaluar "të sigurt" në
tokën helene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›