Edi Rama shpërndan honoraret e radhës në prag të zgjedhjeve të përgjithshme
Mbledhja me dyer të mbyllura, kryebashkiaku përsëri korrupsion në KRRT-në e Tiranës
TIRANE - Në mbledhjen e djeshme të radhës anëtarët pjesëmarrës të KRRT-së, miratuan në një konflikt të hapur interesi disa leje ndërtimi, projektet e të cilave ishin hartuar nga studiot e vetë anëtarëve të KRRT-së. Anëtarët e tjerë të KRRT-së që bojkotuan mbledhjen thanë se do ta denoncojnë këtë shkelje të hapur të ligjit në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky institucion ka detyrimin ligjor për hetimin e situatave të konfliktit të interesit dhe në rastet kur gjen shkelje të ligjit është i detyruar të anulojë vendimet e marra ose t’ia kalojë kallëzimin për shkeljet organeve të drejtësisë.
Mbledhja e fundit e KRRT-së është karakterizuar nga një pazar i pastër, nga i cili më i fituari rezulton se ka dalë kryetari i bashkisë së Tiranës me 8 milion euro fitim. Me 8 milionë euro ryshfet, për të siguruar fondet e nevojshme, për të dhe partinë e tij, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të qershor 2009-ës, pasi nuk ia doli dot, në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të qeverisë, që ti sigurojë ato nëpërmjet rritjes së taksave biznesit të vogël.
Edi Rama shpërndau honoraret dje dhe si shpërblim, në një mënyrë apo tjetër, kërkon të sigurojë, ndonëse në mënyrë abuzive dhe tërësisht në shkelje me ligjin, mbështetjen elektorale. Lejet e ndërtimit të dhëna dje, i përfituan anëtarët e KRRT-së dhe një pjesë e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak. Në konflikt të hapur interesi, Rama dhe klika e tij e mafies së ndërtimit, shpërfillin ligjet e shtetit, shpërfillin institucionet legjitime në vend.
Kësisoj, as Ramat, as Shalsat dhe as mafia e ndërtimit e udhëhequr prej tyre, nuk do të mund të mashtrojnë dhe gënjejnë shqiptarët dita-ditës, nuk do të mundin të manipulojnë më opinionin publik, duke akuzuar, për ryshfet apo për korrupsion, pasi vetë qëndron i mbuluar me gjethe fiku. E gjithë gjullurdia korruptive që ka hedhur rrënjët e së keqes në bashkinë e Tiranës dhe në Këshillin e Rregullit të Territorit të kryeqytetit, po çon vazhdimisht në një destabilitet urbanistik të kryeqendrës së Shqipërisë, dhe barrën e rëndë për këtë do ta paguajnë qytetarët, taksapaguesit, ndërsa Ramët dhe mafia në tërësi, nëse nuk do të ndërhyhet sa më parë, do të kthejnë në çifligje dhe koloni të tyre, në mënyrë antiligjore, të gjithë Tiranën.
Nga 30 leje ndërtimi të miratuara nga KRRT, kryebashkiaku ka marrë plot 19 prej tyre, dhe pjesa tjetër, e dhënë në konflikt interesi, anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe anëtarëve të KRRT-së, të cilët i miratojnë vetes së tyre vendimet, për leje ndërtimi.
Ndaj, Edi Rama, nuk pranon të dorëzojë planin Urbanistik të Kryeqytetit, pasi aty do të dalin të zbuluara të gjitha pisllëqet dhe aferat korruptive të tij dhe shalësve të mafies së ndërtimit.