LSI-ja, kundër bojkotit parlamentar dhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve

Opozita e përçarë për procesin e shpërndarjes së pasaportave elektronike
“Natyrisht shtyrja e zgjedhjeve është në favor të mazhorancës. Opozita është e përgatitur për zgjedhje. Ne si LSI jemi të përgatitur për t’i bërë në atë afat që na i imponuan të tjerët. Ne jemi të përgatitur të hyjmë në zgjedhjet. Ajo që janë të interesuar t’i shtyjë është qeveria”
TIRANE – Qëndrimi i dy ditëve më parë i një pjese të opozitës, të drejtuar nga Edi Rama, nuk është mirëpritur mirë, nga pjesa tjetër e opozitës, së drejtuar nga Ilir Meta.
Duke folur dje para gazetarëve, për bojkotin e parlamentit nga një pjesë e opozitës, Zëvendëskryetari i LSI-së Pëllumb Xhufi, e dënoi këtë bojkot, ndërsa vlerësoi domosdoshmërinë e pajisjes me kartat e identitetit të të gjithë zgjedhësve. Duke u prononcuar edhe për idenë e një pjese të opozitës për shtyrjen e mundshme të zgjedhjeve, Xhufi e ka konsideruar këtë si një humbje të sigurt të opozitës, në rast se zgjedhjet shtyhen.
“Për sa i përket konfliktit të fundit dhe daljes nga Parlamenti, të thirrjeve për bojkot apo të manifestime të bëra, të cilat kanë pasur zhvillime të reja, pasi kam dëgjuar se Rama ka dalë dhe ka shprehur disponimin e tij për të biseduar me mazhorancën për të gjetur një zgjidhje, gjykojmë se për çfarë do të bisedojë Rama në këtë tryezë, kur kusht të vetëm ka shpërndarjen ose jo falas të pasaportave elektronike”, u shpreh midis të tjerave Pëllumb Xhufi, jo pa ironi për propozimin e djeshëm të Edi Ramës, për ulje në një tryezë me Kryeministrin Sali Berisha për gjetjen sipas tij të një zgjidhje për shpërndarjen e pasaportave elektronike.
Më pas Zëvendëskryetari i LSI-së, ka komentuar edhe vendimin e pjesë tjetër të opozitës, për protesta të mundshme. Sipas Xhufit, edhe nga PS-ja ka një qëndrim të paqartë për idenë e protestave, ndërsa ka saktësuar brenda emergjencës së krijuar, çdo parti i përpunon vetë politikat, mundësitë dhe hapësirat për bashkëpunim.
“Mos harrojmë se idenë e protestave e hodhi zoti Islami, i cili do të ishte personi më i papërshtatshëm për të bërë thirrje të tilla luftarake, sepse është ai protagonisti i një viti të tërë kompromisesh të paprincipta dhe të dëmshme. Dhe sot (dje) Rama ka dhënë një mundësi tjetër dialogimi me qeverinë. Pra, ne nuk kemi një qëndrim të qartë të PS”, u shpreh Xhufi.
Zëvendëskryetari i LSI-së, ka shprehur më pas kundërshtimin kategorik të shtyrjes së datës së zgjedhjeve. Duke ripërsëritur kërkesën për respektimin e Kodit Zgjedhor dhe datës së zgjedhjeve tashmë të dekretuar, Xhufi bëri të ditur se, “Shtyrja e zgjedhjeve do të ishte një vazhdim në rrugën e cenimit të integritetit të zgjedhjeve... Zgjedhjet nuk kanë pse të shtyhen në qoftë se qeveria merr masën e duhur, e cila është vetëm një, pajisja e të gjithë qytetarëve me karta identiteti”, bëri ët ditur Xhufi.
Zëvendëskryetari i LSI-së, e ka parë shtyrjen e zgjedhjeve edhe si një veprim që nuk e favorizon opozitën.
“Shtyrja e zgjedhjeve është në favor të mazhorancës. Opozita është e përgatitur për zgjedhje. Ne si LSI jemi të përgatitur për t’i bërë në atë afat që na i imponuan të tjerët. Ne jemi të përgatitur të hyjmë në zgjedhjet. Ajo që janë të interesuar t’i shtyjë është qeveria”, përfundoi deklarimin e tij Pëllumb Xhufi, Zëvendëskryetari i LSI-së.