E Diel, 1 Nëntor 2026

Gruaja shkon te varrimi i të atit, nuk merr pjesë te morti i ish-bashkëshortit

Edmond Hoxhaj

Fier/ Ish-gruaja e Gentianit, Aida, me djalin e tyre, merr pjesë te morti i Dhimitrit

Edmond Hoxhaj

Krimi i ish-bashkëshortit, Gentian Nushi, i cili dy ditë më parë vrau ish-vjehrrin e më pas veten në fshatin Seman të Rrethit të Fierit, ka sjellë në vendlindje edhe vajzën e Dhimitër Koçit, Aida, së bashku me një prej fëmijëve, djalin e saj të madh 15-vjeçar. Në të dy banesat që ndodhen pak metra larg njëra-tjetrës, janë hapur dyert e mortit dhe qindra të afërm, banorë të fshatit e miq kanë shkuar për të ngushëlluar. Nëna e dy fëmijëve, ish-bashkëshortja e Gentianit, Aida, së bashku me djalin e saj, ka zgjedhur të marrë pjesë vetëm në ceremoninë mortore të të atit.

Ceremonia e Koçit

Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme ka nisur kortezhi për të përcjellë për në banesën e fundit trupin e pajetë të 65-vjeçarit Dhimitër Koçi. Ndërsa ka dalë arkëmorti jashtë portës së shtëpisë, është krijuar një situatë disi e tensionuar. Familjarët dhe të afërmit e tij, duke qarë, kanë shprehur indinjatë për atë që ndodhi. Këto thirrje janë drejtuar për nga banesa përballë, ku banonte ish-dhëndri i familjes së tyre. Në ceremonitë mortore të të dyja familjeve kanë marrë pjesë edhe punonjës të policisë, të cilët kanë vëzhguar situatën me qëllim parandalimin e çdo konflikti të mundshëm.

Ceremonia e Nushit

Pak pasi ka përfunduar ceremonia mortore e Dhimitrit, rreth orës 13:00 është mbajtur edhe ceremonia mortore ku i është dhënë lamtumira e fundit 41-vjeçarit Gentian Nushi. Edhe në këtë ceremoni kanë marrë pjesë dhjetëra të afërm, bashkëfshatarë e miq. Por Aida dhe djali i saj i madh nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni.

Vrasja dhe vetëvrasja

Rreth orës 11:50 të së enjtes, 41-vjeçari Gentian Nushi nga fshati Seman i Rrethit të Fierit, qëlloi me armë zjarri ish-vjehrrin Dhimitër Koçi, në pragun e derës së banesës së tij. Burimet e policisë pohuan se ata janë konfliktuar më parë e më pas Nushi, që dyshohet të ketë qenë edhe nën efektin e alkoolit, ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë armën e gjahut, duke qëlluar mbi ish-vjehrrin. Ndonëse 65-vjeçari Koçi është shoqëruar nga të afërmit për në Spitalin Rajonal të Fierit, nuk mundi të mbijetojë për shkak të dëmtimeve të shkaktuara në organet jetësore dhe në kokë prej saçmave, si dhe të gjakderdhjes. Më pas, autori i vrasjes së të moshuarit Koçi është kthyer në banesën e tij, pak metra larg nga vendi i krimit që kreu.

Pas pak minutash, Gentian Nushi ka qëlluar veten në kokë me armën me të cilën vrau ish-vjehrrin. Sipas burimeve të policisë, por edhe të banorëve të fshatit është mësuar se 34-vjeçari Gentian Nushi kishte qenë dhëndër i familjes Koçi, por ishte divorcuar me bashkëshorten rreth dy vite më parë. Çifti Nushi ka emigruar në Greqi pas martesës. Pas ndarjes, dy fëmijët kanë qëndruar me të ëmën, Aidën. Ndërsa Gentiani është kthyer në vendlindje tre muaj më parë. Ai ka fajësuar vjehrrin e tij se kishte ndikuar në ndarjen e tyre. Për këtë arsye janë konfliktuar shpeshherë dhe dy ditë më parë, 41-vjeçari, ka vendosur ti japë fund jetës së ish-vjehrrit dhe vetes.

Parandalimi

Banorët e zonës të tronditur, krerët e komunës fajësojnë edhe policinë

Aleksander Kola, nenkryetari i komunes

Aleksander Kola, nenkryetari i komunes

Një ditë pas ngjarjes tragjike në fshatin Seman të Komunës Topojë të Rrethit të Fierit ka reaguar dhe opinioni publik i kësaj zone. Banorët e zonës ndihen të shokuar nga humbja e dy jetëve njerëzore në një ditë. Duke e cilësuar ngjarjen si mjaft të rëndë, banorët pohojnë se ndihen keq, pasi jo vetëm i njohin vlerat e dy familjeve që humbën nga një person të tyre, por edhe për vetë faktin se autori i vrasjes që më pas u vetëvra, kishte qenë dhëndër i familjes Koçi. U ndjemë të shokuar e të trembur nga ngjarja, ka pohuar për gazetën A.Sema, një banor i fshatit Seman. Ne jetojmë në harmoni me njëri-tjetrin. Madje krijojmë edhe krushqi brenda fshatit, duke u lidhur edhe më shumë. Njihemi për njerëz të qetë dhe krime të këtij lloji as kemi parë e as kemi dëgjuar të ndodhin në zonën tonë. Ndihemi të shqetësuar për këtë ngjarje dhe të revoltuar në të njëjtën kohë, theksoi ai. Ndërsa nënkryetari i Komunës Topojë, Aleksandër Kola, e ka cilësuar si një ngjarje shokuese për të gjithë zonën. Dy familjet e përfshira në krim janë prej kohësh në krushqi. Është lajm tronditës dhe hidhërues për ne që i njohim të dyja familjet. Ngjarja ka ndodhur sepse tranzicioni, kushtet ekonomike që po kalon zona, pasiguria për të ardhmen, ndikojnë që njerëzit të shkojnë drejt veprimeve të tilla. Për mua kjo ngjarje duhej të parandalohej. Ne jemi të shokuar dhe nga qëndrimi i forcave të rendit. Kjo sepse kishin pasur takime me të dyja familjet dhe kishin kërkuar shuarjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Një punë më e mirë e policisë mund të parandalonte këtë ngjarje, theksoi ai.

Kreu i Komunës së Topojës, Arben Voja, pohoi për gazetën se kjo ngjarje është e rëndë dhe theksoi se është e para që ndodh në këtë zonë një krim me këto përmasa. I gjithë opinioni publik është i shqetësuar, sepse harmonia e këtij komuniteti është për tu lakmuar. Ngjarja ka ardhur nga disa probleme të vogla që kanë pasur dy viktimat me njëri-tjetrin. Jemi të tronditur dhe nuk dimë se çfarë shpjegimi ti japim kësaj që ndodhi, theksoi ai. Ndërkaq, lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe përgjegjësi i Policisë së Komunës Qendër në Fier, Rrapi Vogli, ish-zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. Ai pohoi se gjatë kësaj vere ka pasur rritje të numrit të ngjarjeve kriminale, që sipas tij kanë ndodhur edhe si pasojë e kthimit të emigrantëve. Sipas Voglit, duhet që policia të jetë më funksionale në kryerjen e detyrës së saj, kryesisht në rolin parandalues, duke ua atribuuar këtë përgjegjësi forcave të rendit. e.h

Nënkryetari i komunës

Për mua, kjo ngjarje duhej të parandalohej. Ne jemi të shokuar dhe nga qëndrimi i forcave të rendit. Kjo sepse kishin pasur takime me të dyja familjet dhe kishin kërkuar shuarjen e kësaj mosmarrëveshjeje. Një punë më e mirë e policisë mund të parandalonte këtë ngjarje

Gruaja shkon te varrimi i të atit, nuk merr pjesë te morti i ish-bashkëshortit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›