E Diel, 1 Nëntor 2026

Mister vdekja, gjendet i pajetë punëtori i hidrocentralit të Ulzës

Policia mendon se ka të bëjë me një vetëvrasje të burrit që po kalonte depresion pas braktisjes nga gruaja. Prokuroria hedh dyshime për vrasje për hakmarrje

P. HASA

BURREL - Një plumb në zemër i ka marrë jetën punëtorit të hidrocentralit të Ulzës, Mëhill Gjeci, 49 vjeç, banues në fshatin Madesh të komunës Ulëz. Familjarët dhe policia lokale mendojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje të Gjecit, ndërkohë prokurorë të Matit hedhin dyshime se kemi të bëjmë me një hakmarrje të mundshme ndaj tij, pasi vëllai i tij Ilir Gjeci është shpallur në kërkim pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për tri vrasje. Babai i viktimës është shprehur për grupin hetimor se kishte qenë i pranishëm kur djali ka vajtur në shtëpi, ka rrëmbyer armën që mbanin në banesë dhe ka dalë nga shtëpia. Pak minuta më vonë, sipas tij, është dëgjuar një krismë arme. Babai i Mëhillit ka deklaruar se e ka gjetur djalin të pajetë disa metra larg shtëpisë, madje pranë ka patur dhe armën me të cilën ka kryer vetëvrasjen. Ndërkaq, në një deklaratë të policisë Qarkut Dibër thuhet se “Më datë 10.11.2011 rreth orës 08.30 është dhënë informacion në Sallën Operative Dibër se në fshatin Madhesh, komuna Ulëz të rrethit të Matit, është gjendur i vdekur një shtetas. Nga të dhënat paraprake të siguruara nga grupi hetimor rezulton se është gjendur i vetëvrarë në afërsi të banesës shtetasi Mëhill Gjeci, 49 vjeç” . Në vendin e ngjarjes në afërsi të viktimës policia tha se ka gjetur një armë pushkë m-63, e cila dyshohet se është përdorur nga viktima. Nga ana e saj Prokuroria e Matit bëri me dije se po hapen të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me Ilir Gjecin, i cili gjatë vitit 1997 akuzohet për tri vrasje, ndërkohë që të tjera nuk janë zbardhur ende. Mësohet po ashtu se Mëhill Gjeci ishte divorcuar dy javë më parë nga bashkëshortja dhe largimi nga shtëpia i dy fëmijëve mund të këtë sjellë problema për viktimën. Ai punonte si ndihmës turbinist në hidrocentralin e Ulzës dhe nuk ishte ngujuar as pas vrasjeve të dokumentuara të vëllait, madje udhëtonte në çdo kohë të ditës apo natës nga Ulëza për në fshatin e lindjes, afro 15 km larg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›