Berisha: Burgimi i Haradinajt, politik

Në një konferencë të përbashkët të Haradinajt me Kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit e konsideroi vizitën si një ngjarje të rëndësishme në 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, sikurse theksoi se vendimi i Gjykatës së Hagës ishte një lajm shumë i mirë për të gjithë ne.
"Nuk kam pasur asnjë dyshim për pafajësinë e Haradinajt, burgimi i tij ishte vetëm për motive politike. Haga e shpalli dy herë të pafajshëm Haradinajn dhe i cilësoi të paqena akuzat ndaj tij", u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, Haradinaj shprehu kënaqësinë e madhe për zhvillimin e vizitës së tij në Tiranë.
Kryeministri shqiptar dhe kryetari i AAK-së iu përgjigjën interesimit të gazetarëve për dhënien e shtetësisë shqiptare, për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, duke e cilësuar vendimin si zbatim i një të drejte të munguar për qytetarët.
Kryeministri Berisha nënvizoi se vendimi për dhënien e shtetësisë shqiptare do të miratohet gjatë kësaj jave nga qeveria, në përputhje me ligjin ekzistues.