E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terror mbi banorët e veriut të Kosovës?!

Policia e Kosovës nuk ka arritur të identifikojë sulmuesin e zëvendësshefit të Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, por bën të ditur se është duke vazhduar hetimin për të vënë para drejtësisë personat përgjegjës.
Dushan Milisavleviq, tani jashtë rrezikut për jetë, u plagos në orët e vona të së premtes mbrëma nga persona të maskuar në një veturë në lëvizje.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se ende nuk kanë mundur të identifikohen kryesit e aktit.
“Jemi duke punuar në atë drejtim - në mbledhjen e dëshmitarëve të mundshëm dhe të gjitha ato prova që mund të ndërlidhen me automjetin në fjalë apo edhe me personat. Mirëpo, fatkeqësisht deri më tani nuk kemi ndonjë rezultat të konkretizuar me identifikimin ose arrestimin e të dyshuarit si kryes të këtij akti kriminal”, tha Hoti për Radio Evropën e Lirë.

Sulmi ndaj Milisavleviqit u dënua nga autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa sipas njohësve të situatës në veri të vendit, ky sulm flet për mungesën e sundimit të ligjit në atë pjesë.

Duke folur për situatën në pjesën veriore të Mitrovicës, ish-ministri i Administrimit të Pushtetit lokal, tani deputet në Kuvendin e Kosovës, Sadri Ferati, tha se “një grup i vogël që po qëndron mbi ligjin, ka filluar të ushtrojë terror ndaj qytetarëve që mendojnë apo sillen ndryshe ndaj ambicieve ekstreme” të një pjese të popullatës së atjeshme.

Paralajmërimi para disa muajsh për vendosjen e një dialogu ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe banorëve serbë të pjesës veriore, sipas Feratit, nuk është i mundshëm në fazën aktuale. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›