E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krejt n’kontroll

Kundërshtitë mes drejtuesve të PDK’së nuk janë vërejtur në dy kuvendet e para zgjedhore, asaj të Therandës dhe Shtimes. Gjithçka shkoi sipas planifikimeve. Në fjalimet e tyre, anëtarët e Kryesisë thanë se partia është unike, derisa nuk hezituan të shpërndajnë komplimente. Enver Hoxhaj e cilësoi Hashim Thaçin si “të shenjtin e PDK’së”, e Vlora Çitaku e krahasoi Shtimen me FC Barcelonën.

Kundërshtitë tashmë publike mes drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë vërejtur në dy kuvendet e para zgjedhore, të Degës së Therandës dhe asaj të Shtimes.

Kuvendet e degëve, nga ku dalin delegatët për Kongresin e Partisë, janë përcaktuese për zgjedhjen e Kryetarit të ri - që pritet të ndodh në janar të vitit të ardhshëm, dhe rrjedhimisht për Kryesinë e re.

Por, ajo çka u pa të dielën në Therandë dhe Shtime la të kuptohet se kreu i PDK’së e ka komplet situatën nën kontroll.

Madje, Hashim Thaçi u cilësua si i “shenjti i PDK’së” nga Ministri Enver Hoxhaj i cili nuk përton që kohë pas kohe të thurë fjalë miradije për Shefin e tij.

“Më lejoni që në këtë takim ta përmendi emrin e dikujt që është lider dhe i shenjtë për PDK’në dhe ky është Kryetari i PDK’së dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës zoti Thaçi”, ka thënë Hoxhaj, duke nxitur duartrokitje në sallë.

Më pas, ai dha propozimin e tij për Kryetar të Degës.

Sipas tij, njeriu që zgjidhet Kryetar Dege do të kontribuojë në “ndryshimin europian” të komunës.

“Unë e njoh në mesin e juaj si delegat vetëm një njeri që mund ta bëjë këtë ndryshim për Therandën dhe ky njëri është Ramë Vataj”, tha ai para delegatëve dhe shumë të pranishmëve nga niveli qendror.

“Për me arrit tek fitorja jonë në Therandë propozoj që Ramë Vataj të jetë kandidat i joni, gjithë juve, miqve nga Prishtina, seksioneve të degëve dhe nëndegëve. Këtë e lexoj në ballin tuaj, atë vendosmëri e shoh në sytë tuaj...”, tha Hoxhaj.

Pas këtij fjalimi pak kush do të besonte se ndonjë delegat do të kundërshtonte propozimin e Kryesisë qendrore, gjë që edhe nuk ndodhi.

Vataj, pa asnjë kundërkandidatë dhe as kundërshtimin më të vogël, u rizgjodh në krye të Degës së PDK’së në Therandë.

E, pak minuta pas rizgjedhjes, Vataj si në shaka fillojë të shfaq shembullin e bashkëvendësit.

“Ta shfrytëzojë rastin mbasi tash jam kryetar ta përdori autoritetin... A bënë me u ul derisa t’iu përshëndes”, tha ai duke qeshur.

Më pas foli për zhvillimin e Therandës.

Për pothuajse të njëjtat folën edhe përfaqësuesit e Kryesisë qendrore të PDK’së, e që të dielën u panë në një numër të madh.

Nënkryetari, Hajredin Kuçi, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, deputetët Arsim Bajrami dhe Ilmi Reçica si dhe ish-shefi i SHIK’ut, Kadri Veseli që të gjithë ishin të pranishëm.

Disa prej tyre mbajtën edhe fjalime, por në të cilat assesi nuk mund t’iu shmangeshin debateve të fundit në PDK, e të cilat në disa nëndegë të saj u përcollën edhe me grushte.

Kjo së fundi ndodhi në nëndegën në Drenas dhe në Viti.

Ngjarje këto që shtuan dyshimet për mundësinë e ndarjes së PDK’së, sidomos pas mospajtimeve që kanë ngjarë mes grupit të Nënkryetarit, Fatmir Limaj dhe Sekretarit Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçit me shokë.

Këto mospajtime që burimin kryesor e patën reformën zgjedhore që nisi në PDK para disa javësh, ngjallën idenë se Kuvendi zgjedhor i saj do të shkojë në hapa të atij të parafundit të LDK’së, që rezultoi me ndarjen në dysh të partisë.

Por, diçka e tillë u mohua të dielën nga Xhavit Haliti dhe Arsim Bajrami.

Sipas Bajramit, PDK është më unike se kurrë.

“Është unike, është parti lidere, parti që ka lidership dhe e cila kultivon ndoshta edhe diversitetin e mendimit në parime strategjike”, tha ai.

“Janë të kota pritjet e dikujt që kjo parti do të përçahet. Është bashkuar në kushte shumë të renda dhe do të jetë e bashkuar derisa t’i përfundojë të gjitha misionet historike që ajo ia ka vu para vetes”, shtoi Bajrami.

Por, Haliti la për të kuptuar se në PDK nuk ka vend për ata që nuk e përkrahin politikën e saj.

“...po përcaktohemi për njerëzit të cilët do të punojnë si ekip...gjatë debateve mund të ketë mospajtime por në qoftë se ne zgjedhim angazhimin në ekip dhe veprojmë duke zbatuar politikat e partisë dhe respektuar ato, ne gjithmonë do të jemi më të mirë dhe gjithmonë do të jemi pranë njëri tjetrit”, tha Haliti.

Më i distancuar rreth kësaj teme ishte Kadri Veseli, fokusi i të cilit ishte tek marrja e pushteti në Therandë.

“Jo vetëm ta merr pushtetin por këtë ta transformojë në një përmirësim të infrastrukturës, edukimit, zhvillimit të shëndetësisë në qytetin tuaj”, tha Veseli.

Gjithçka në kontroll ishte edhe në Shtime.

Kryetar u zgjodh Ministri aktual i Infrastrukturës, Fehmi Mujota.

Ai bëri hapjen e kuvendit të pestë zgjedhor të kësaj dege, duke thënë se çelësi për fitore të vazhdueshme, ka qenë angazhimet dhe toleranca ndaj të gjithëve, të cilat, bashkë me objektivat që janë vënë për të ardhmen do të sjellin suksese dhe fitore të reja.

Ndërkaq, anëtari më i ri i PDK’së, Kadri Veseli ka thënë se Shtimja ka qenë vend i lirisë dhe i fitores dhe beson që kështu do të jetë edhe në të ardhmen.

Të pranishmëve iu drejtua edhe Vlora Çitaku, e cila shtimjanëve iu tha se janë më të mirë se Barcelona, pasi që ata nganjëherë humbin, kurse Shtimja nuk ka humbua asnjëherë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›