E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rashiti u merrte para studentëve

Vazhdojnë keqpërdorimet në Fakultetin e Mjekësisë. Prokuroria po heton një mjek punonjës në spitalin Rajonal të Gjilanit. Ai po dyshohet për marrje ryshfeti për regjistrim të studentëve në këtë fakultet gjatë vitit 2010. Sipas burimeve të sigurta të RTK-së, i dyshuari Sadik Rashiti, këto punë i kishte kryer nëpërmjet personave që ishin në pozita të larta të Universitetit të Prishtinës.

Sadik Rashiti, pediatër në Spitalin Rajonal të Gjilanit, dyshohet se u ka marrë ryshfet për regjistrim në fakultetin e Mjekësisë në vitin 2010 si dhe për fitimin e kushtit për vazhdim të vitit, disa personave të rrethit të Gjilanit dhe Vitisë.
Sipas burimeve të RTK-së, doktori Rashiti u kishte kërkuar por edhe marrë para prej pesë deri në dhjetë mijë euro për këto shërbime. Studentët që kanë dhënë mito nuk dëshirojnë të flasin pasi që thonë se ndihen të rrezikuar, por pranojnë se për t''u bërë studentë i kanë dhënë të holla të majme personit në fjalë.

Prokuroria po zhvillon procedurë penale ndaj Sadik Rashitit, pas marrjes së një letre anonime se në Fakultetin e Mjekësisë po pranohen studentë duke dhënë mito.
Prokurori i rastit, Imer Beka, thotë se ai po ngarkohet për dyshim të kryerjes së veprës penale, marrje ryshfeti. Prokurori Beka tha se më 13 korrik të këtij viti ka lëshuar aktvendimin për fillimin e hetimeve kundër të dyshuarit. Në bazë të provave që i posedojnë policia dhe hetuesia, prokurori thotë se është dyshim i bazuar se janë dhënë dhe marrë para.
I dyshuari, Sadik Rashiti ishte arrestuar gjatë gushtit duke u mbajtur në paraburgim për 48 orë, si dhe në arrest shtëpiak për 30 ditë. Tani ai vazhdon të punojë në Spitalin Rajonal të Gjilanit në mënyrë të rregullt edhe pse ndaj tij po zhvillohen hetime.

Nisret Hajrullahu drejtor klinik në Spitalin Rajonal të Gjilanit thotë se doktori është suspenduar me pagë prej pesëdhjetë përqind gjatë kohës derisa ka qenë në arrest shtëpiak, ndërsa tani vazhdon të punoj në mënyrë të rregullt pasi që siç thotë ai nga institucionet qendrore nuk kanë marrë ndonjë njoftim se çka duhet bërë në të tilla raste.

E institucioni që gjendet në krye të sektorit shëndetësor në Kosovë, nuk e ka idenë për një aferë të tillë të korruptimit. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se duhet informuar Ministria në rast se ndaj ndonjë punëtori shëndetësor janë duke u zhvilluar procedura penale. Ai shtoi se të gjitha kompetencat për marrjen e masave disiplinore në raste të tilla i kanë udhëheqësit e spitalit në fjalë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›