E Diel, 1 Nëntor 2026

Grubjesic: Serbia s’ka Qeveri në Kosovë, por as Kosova në Veri

Qeveria e Serbisë është duke bërë përpjekje që të sigurojë datën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian sa më parë që të jetë e mundur, ka thënë zëvendëskryeministrja serbe, Suzana Grubjesic.

Duke folur për mediat serbe, ajo ka thënë se kusht për këtë nuk është njohja e Kosovës, por “përparimi i qëndrueshëm në bisedimet me Prishtinën”.

Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, ndërsa më e kërkuara është Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, ka deklaruar Grubjesic për “Veçernje Novosti”.

Marrëveshja në fjalë është arritur në muajin shkurt, gjatë bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Suzana Grubjesic ka thënë se është e vërtetë që shteti i Serbisë nuk ka qeveri faktike në Kosovë që nga viti 1999, por, sipas saj, “as Prishtina nuk ka autoritet në veri të Kosovës”.

“Në këtë fakt ka hapësirë për marrëveshje dhe për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën”, ka thënë Grubjesic, siç transmeton Evropa e Lire.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›