E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruda, jo vetëm rebel!



Ende dallohet si oboisti i parë në orkestrën simfonike të RTSH-së. Ka pothuajse mbi dhjetë vjet që e shoqëron kjo pozitë, por ai sërish ndihet kureshtar si në ditën e parë kur eksperimentoi me një vegël, në atë kohë të panjohur. Ermir Gruda, është ndër të paktët instrumentist të oboes. Artisti na tregon përvojën e tij prej një dekade, se si i ka dhënë jetë prej frymës së tij një vegle muzikore, të cilën ai e shfrytëzon për të shprehur dhimbjen, gëzimin, nostalgjinë, mallin, ashtu siç deklaron ai në një intervistë për “standard”. Mban mend mjaft mirë edhe emocionet e daljes së herës së parë në publik, frikën prej “suksesit”, edhe pse nën mbështetjen artistike të mjeshtrit të madh, kompozitorit të njohur, Ferdinand Deda. Por ecejaket morën drejtime të paparashikueshme ndër vite. Indiferenca qeveritare, të cilën instrumentisti Gruda na e tregon në formën e një apeli. E sërish vetëm me një “faleminderit” mjaftohet për t’iu rikthyer rutinës, plotëson shpirtin artistik, me nota rebelizmi lindor...

Intervistoi: Suela Furriku

Janë pothuajse dhjetë vjet që jeni pjesë e orkestrës simfonike të RTSH-së. Si i përshkruani këto vite?

Unë kam filluar të punoj më muzikë që në moshën dhjetëvjeçare. Është pothuajse një jetë vetëm më muzikë e sakrifica dhe emërimi im në radiotelevizion ishte privilegji më i madh që mund të më ndodhte në këtë profesion. Kjo vjen për shkak të pasionit tim të vazhdueshëm që kam pasur për këtë instrument muzikor. Për një instrumentist në Shqipëri të marrësh pjesë në një orkestër simfonike është maksimumi.

Pse zgjodhët të studionit për këtë instrument muzikor?

Kur kam konkurruar në fushën e muzikës në Akademinë e Arteve, nuk kisha informacion aspak mbi këtë instrument. Dhe instrumente më të njohura në atë kohë ishin vetëm violina, kitara, klarineta. Edhe për disa dhunti të miat fizike eprorët e asaj kohë më specifikuan për studimin e këtij instrumentin e oboes. Që në momentin që kam filluar ta studioj, u dashurova menjëherë pas saj.

Çfarë është oboeja për ju?

Për mua ky është ndër instrumentet frymore më shprehëse. Nëse mund të flas me fjalët e një kompozitori të njohur francez, oboeja është një instrument që shpreh dhimbjen, gëzimin, nostalgjinë, mallin. Pra, me pak fjalë, është një lloj vegle muzikore që ka një domethënie shumë të fuqishme. E për këtë unë mund ta quaj veten time shumë me fat, që jam profilizuar në një kategori të tillë, të zotërimit të një instrumenti të tillë. Duke shprehur këto ndjenja edhe mua pa dyshim më jep një lloj ndjesie e cila është një përgjigje nëpërmjet njeriut dhe vetë instrumentit.

Përveç orkestrës simfonike, cila është shtrirja e aktiviteteve tuaja artistike ndër vite?

Përveç orkestrës simfonik, kam marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera artistike, si në Akademinë e Arteve me orkestrën e studentëve, po ashtu kam qenë i ftuar në opera, tek Kamerata e Tiranës, e cila ka vetëm një vit që është krijuar. Po ashtu edhe jashtë Shqipërisë jam “ballafaquar” edhe me orkestrën e Kosovës, duke qenë se edhe bashkëpunimi me këtë ansambël është shumë i shpeshtë. Ndërkohë që të gjitha këto i konsideroj si eksperienca të mira dhe shumë të vlefshme për mua.

Por mbi të gjitha, orkestra është baza, sepse pavarësisht se unë i kam kryer studimet për këtë instrument, pikërisht këtu unë jam formuar tamam profesionalisht. Ajo është një eksperiencë tërësisht më vete.

Po ashtu jam pjesë e krijimit të një trioje të re, që në Shqipëri është i pari formacion në këtë lloj bashkëpunimi, oboe-klarinetë-fagot. Këtë bashkëpunim e kemi arritur me disa prej emrave më të rëndësishëm të orkestrës, si Pirro Sata në fagot, dhe Sokol Toto në klarinetë. Së bashku arrijmë ta përcjellim mjaft mirë repertorin muzikor tek publiku, kuptohemi shumë mirë artistikisht. Më 20 qershor kemi dhënë një koncert të tillë dhe jemi pritur shumë mirë. Ndërkohë që dua të bëj të ditur se së shpejti ne do të vijmë edhe me një tjetër “trio”, me një repertor të ri. Më 25 shtator kemi zhvilluar një koncert simfonik në festivalin simfonik në Kantërbëri, një ndër evenimentet më prestigjioze ne Evropë. Kemi marrë vlerësime maksimale nga profesionistë, media etj. Pritja, akomodimi, salla ku është organizuar koncerti ka qenë e mahnitshme. Mendoj se gjithçka e kemi justifikuar me lojën që bëmë dhe është një rrugë që rrallë përsëritet.

Duke qenë se keni rreth dhjetë vjet si pjesë e orkestrës simfonike të RTSH-së, cili do të ishte vlerësimi juaj lidhur me këtë ansambël?

Duke lënë mënjanë modestinë, për mua ky ansambël, kjo orkestër simfonike është pa diskutim orkestra më e mirë në Shqipëri, për vetë emrin që mban, për shkak të figurave të cilat e kanë drejtuar prej shumë kohësh, si dhe për vetë pjesëmarrjen e instrumentistëve që në bazë të përvojës sime prej dhjetë vitesh unë i vlerësoj si më të aftët në vendin tonë. E duke u nisur nga kjo, mund të themi pa frikë se në bazë të tyre do të vlerësohet edhe orkestra.

Sa avantazh ju ka dhënë zotërimi i këtij instrumenti?

Oboeja është një instrument që të hap shumë drita jeshile, ka shumë më tepër avantazhe në krahasim me përdoruesit e veglave të tjera muzikore. Kjo për shkak se të tillë muzikantë janë shumë të rrallë në Shqipëri dhe është më se normale që edhe perspektiva që të mundëson është goxha e mirë. Jam i ftuar nëpër aktivitete të ndryshme dhe për këtë më vjen mirë që të tjerët e vlerësojnë punën dhe pasionin tim. Dua të shtoj edhe faktin se është edhe vetë lloji i instrumentit i tillë, i cili më krijon mundësinë që të jem unë pika referuese e orkestrës, si për çështje intonative, sofistike apo edhe e ansamblit, pra është epiqendra e orkestrës.

A keni pasur oferta gjatë gjithë këtyre viteve për të organizuar aktivitetin tuaj artistik jashtë kufijve?

Po, kam pasur oferta, por të gjitha kanë qenë më së shumti në kuadër të ansamblit të orkestrës sonë simfonike. Të gjithë së bashku kemi zhvilluar shumë aktivitete, kemi marrë shumë lëvdata, konsiderata, por gjithnjë në kuadër të orkestrës. Që të luash jashtë duhet të plotësosh disa parametra menaxherialë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin të cilët mua personalisht më mungojnë. Veç kësaj, kam bërë një specializim në Itali, me një profesor shumë të njohur të oboes. Ai quhet Marko Ambrozini, madje atë e kemi ftuar edhe këtu mes orkestrës sonë.

Më mirë si solist apo punë “kolektive” në orkestër?

Jo, të them të drejtën, unë nuk jam partizan i solistit të mirëfilltë. Më shumë preferoj që punën time ta prezantoj së bashku me orkestrën.

Mendoj se rreth dy vjet pa mbaruar studimet kam marrë një ofertë për punësim në Radiotelevizionin Shqiptar dhe po e vijoj edhe sot.

Si e mbani mend atë kohë?

Mbaj mend që vija me kohë të pjesshme në orkestër, me qëllim që të integrohesha sa më mirë në profesionin tim, që të fitoja një eksperiencë të mirë për perspektivën time, si dhe të njihja edhe më mirë lojën. Ndërkohë që sa po e mbylla të gjithë ciklin tim të studimeve, unë u emërova përfundimisht në këtë orkestër. Më pëlqen jashtë mase që sot gjendem në këtë orkestër. E kam gjetur veten dhe për këtë ndihem shumë i lumtur, pasi është pa dyshim formacioni më shprehës që kam luajtur deri më tani.

Po herën e parë që keni dalë në skenë, si e kujtoni?

Hera e parë që kam dalë në skenë, për mua ka qenë jashtëzakonisht e tmerrshme nga ana emocionale. Koncertin e parë e kam dhënë me mjeshtrin e madh, të ndjerin Ferdinand Deda, ku luanim një vepër të tij, një valle simfonike numër një dhe numër dy. Ishte një meditim i tij dhe një koncert për klarinetë, pra gjithçka e mjeshtrit Deda, sepse ajo ishte nata e tij.

Më kujtohet që isha shumë, shumë i emocionuar. Madje isha aq i emocionuar, saqë nuk dija edhe të orientoja veprën, por me kalimin e kohës, me pjesëmarrje të shumta njëra pas tjetrës, arrita ta kaloja këtë lloj faze të sikletshme. Gjithsesi, e mbaj mend si një natë sa “të frikshme”, por edhe të bukur në të njëjtën kohë.

Përveç emocionit, frikës së të parës herë mbi skenë, si e keni përjetuar bashkëpunimin me një prej kompozitorëve tanë më të njohur shqiptar, si Ferdinand Deda?

Maestro Ferdinandi ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Nuk ishte si ata dirigjentët didaktikë të cilët përgjithësisht të frikësojnë me autoritetin e tyre. Jo, ai ishte tërësisht i lirshëm, i zellshëm dhe i komunikueshëm me të gjithë, pasi tek ai kam dalluar që në raporte shoqërore për të nuk kishte dallim moshe. Për mua ajo kohë është e shënuar, sepse nga ana tjetër ishte edhe fillimi im, hapat e mi të parë në karrierën time muzikore.

Cilët janë pjesët intepretative që ju pëlqeni më së shumti?

Në përgjithësi më pëlqejnë të gjitha pjesët që luaj më instrumentin e oboes. Por, megjithatë, mund të dalloj “Solo Simfoni 4 të Çajkovskit, koha e dytë”, më pëlqen, “Solo Simfonia “Bota e re” Dvorzhat, koha e dytë” etj.

E para është një pjesë ruse dhe unë nga ana tjetër jam i dashuruar pas folklorit rus, e sidomos pas kompozitorëve të Rusisë. Më pëlqejnë pjesë të tillë pasi tërhiqem shumë nga ana intonative e tyre, tonalitetit, forcës shprehëse dhe më lënë me të vërtetë pa mend. Ndërsa për pjesën e dytë do të thosha se është një temë e indianëve të vjetër të Amerikës, histori e shkruar nga vetë kompozitori Dvorzhat kur u ballafaqua me këtë kontinent në botën e re.

Po më thoni se tërhiqeni më tepër nga kompozimet lindore. Pse?

Në fakt, më tërheqin pjesë të tilla, sepse përpara se të luajmë një vepër të caktuar, sot kemi informacion edhe mbi jetën e kompozitorëve. Janë personazhe të cilat kanë kaluar një jetë trazuar, që në kohën e tyre pjesët e kompozuara nuk kanë pasur të njëjtën rëndësi që gëzojnë në ditët e sotme, nuk janë pëlqyer nga publiku, sepse kanë qenë gjeni të kohës. Kanë një shpirt rebel, por njëkohësisht edhe të fortë dhe të ndjeshëm. Të gjitha trazimet shpirtërore që mund të kemi, natyrshëm i gjej vetëm në pjesët e tyre. Jo vetëm rebel, por ata mund t’i konsideroj edhe si gjenitë e njerëzimit. Po ashtu jam simpatizant edhe i letërsisë, dhe folklorit rus dhe kjo gjë, besoj, e forcon edhe më shumë lidhjen time me kulturën e asaj pjese të gjerë “gjeografike”.

Cila është kontrata juaj në këtë orkestër?

Në vlerë neto, është 35 mijë lekë të reja, ndërsa bruto shkon deri në 480 mijë lekë të reja. Ky është problemi më i madh që kemi ne si orkestër. Meritojmë pak më shumë vëmendje nga ana e instancës shtetërore, sa i përket mbështetjes financiare. Megjithatë, nëse në një koncert do të na thoni vetëm “faleminderit”, do të ishte më e vlefshme dhe më e shtrenjtë se një shumë e caktuar monetare. Primare për ne është vlerësimi shpirtëror, por nuk duhet lënë mënjanë edhe vlerësimi material, sepse muzikanti është më i shkeluri me këmbë nga ana financiare.

Cila është loja juaj më e afërt?

Tani në muajin mars do të luajmë një koncert me një kompozitor të njohur në Perëndim, i cili quhet Leonid Nikollajev ku do të interpretohen pjesë nga Shostakoviçi për violinçel dhe orkestër, si dhe suit nga baleti “Arrëthyesi” i Çajkovskit. Kemi tre vjet që bashkëpunojmë me të, i cili është akomoduar me skenën tonë falë drejtorit artistik Oleg Arapi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›