Largohen aktorët nga Teatri Shqiptar i Shkupit

Shkup, 2 shkurt, 08.32, NOA - Edhe Teatri Shqiptar i Shkupit është përfshirë nga vala e largimeve të të punësuarëve, vetëm pse ata ishin punësuar me kontrata në vepër edhe ate për një vit e gjysëm nga ish-udhëheqësia e kaluar e këtij teatri. Katër aktorët e gjeneratës së re të aktorëve: Musa Isufi, Mendim Murtezi, Sefedin Shabani dhe Mirsad Abazi, që ishin punësuar para dy viteve me kontrata në vepër dhe prisnin vendimet e punës janë përjashtuar siç bëhet e ditur nga drejtori aktual Adem Karaga, i cili në vend të tyre ka pranuar aktorë të tjerë dhe tre administratore.
“Pa asnjë pretekst jemi larguar nga puna. Ky largim është i pahijshëm dhe bëhet vetëm me ne aktorët kumanovarë. Ne jemi të gjithë aktorët që e kemi mbajtur repertoarin në këtë teatër, por më në fund jemi larguar në mënyrë të pahijshme dhe me një skenarë të parapërgaditur”, kanë theksuar aktorët e larguar kumanovarë, dukes shtuar se drejtori aktual në vend të tyre i ka ndarë vendet e punës për tre administratore nga Kërçova, të cilët nuk e dijmë se çfarë do të bëjnë në teatër.
Aktorët e larguar që kryesisht janë nga Kumanova theksojnë se për këtë kanë apeluar subjektet politike, personalitete publike dhe disa organizata të huaja në vend, për t`u njohur me realitetin e dëbimeve nga puna edhe të personaliteteve të artit dhe kulturës, përveç atyre në administratën publike.
Grupi i aktorëve të larguar janë të njohur me sukseset e tyre të arritura viteve të fundit, duke qenë edhe fitues të çmimeve në festivalet shqiptare të teatrove, por edhe duke qenë aktorë që luajnë role në filmat më të rinj shqiptarë.
INA