E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Kadare : Darka e Gabuar, vlerësohet me Çmimin e madh të letërsisë

>Shpallen fituesit e Çmimeve kombëtare të letërsisë. Juria nuk vlerëson letërsinë për fëmijë dhe tregimin.
Çmimet kombëtare të letërsisë u shpallën dje në një ceremoni në Ministrinë e Kulturës. Juria e kryesuar nga Mark Marku vlerësoi me Çmimin e madh të letërsisë, shkrimtarin Ismail Kadare për veprën Darka e Gabuar. Ky çmim akordohej për herë të parë. Në momentin e marrjes së çmimit, shkrimtari Kadare u shpreh se: Faleminderit! Jurisë, juve dhe lexuesit shqiptar i cili kam përshtypjen se po kthehet në atë shijen e tij të mirë, që ka pasur prej vitesh. E vlerësoj këtë çmim. Kryetari i jurisë Mark Marku, vlerësoi prurjet e vitit 2008, sidomos në prozë dhe poezi, ndërkohë që dy çmimet që i përkasin letërsisë për fëmijë dhe tregimit nuk u dhanë, pasi sipas jurisë ata nuk ishin në nivelin e duhur. Çmimet i përcaktojnë veprat. Fakti që ka pasur vepra rëndësishme mendoj që kanë dhe mendime të rëndësishme. Nuk është juria, as autorët, pasi vetë vepra ia jep çmimin. Mendoj se ka pasur cilësi në romanin, poezinë, përkthimin. Dhe kjo sjell dhe cilësi në këto vepra, u shpreh Marku. Më tej ai për çmimet që nuk u dhanë u shpreh se stimulimi i veprave pa nivel do të ishte në dëm të letërsisë që ata i përkasin. U hoq çmimi për tregimin dhe letërsinë për fëmijë. Ka pasur libra konkurrues, dhe këto sipas gjykimit tonë nuk ishin të pranueshme estetike për këtë vlerësim. Ndërsa për sa i përket letërsisë për fëmijë nuk ka pasur vepra serioze, por vetëm disa vepra banale, të cilat ne nuk kemi dashur që ti stimulojmë dhe të japim dhe një mesazh për letërsinë për fëmijë, sepse duke qenë që i drejtohet një lexuesi me moshë delikate, kjo letërsi shkakton dëme shumë afatgjata. Stimulimi i saj për mua është dëm, cilësoi ndër të tjera kryetari i jurisë. Sipas tij, si romani, edhe poezia, duket se tashmë janë shkëputur si nga realizmi socialist, ashtu dhe nga eksperimentimi imitues në kërkim të modernitetit duke hyrë kështu në një fazë pjekurie. Anëtari i jurisë shkrimtari Zija Çela u shpreh se prurjet në letërsi brenda këtij viti kanë qenë të mira. Sipas tij megjithëse nuk u dhanë dy çmime kjo nuk do të thotë që letërsia shqiptare nuk ka zhvillim. Kur je në juri kërkohet një lojë në ekipi dhe ka një moral të caktuar. Mund të votosh por ose kundër dhe mendimi merret me shumicë votash. Nuk është e thënë që për të gjitha çmimet çdo anëtar i jurisë ka qenë i bindur. Unë mendoj se titujt, që janë zgjedhur janë tituj që meritojnë çmime. Letërsia për fëmijë vazhdon të ketë një sëmundje, e cila po reflektohet nga viti në vit, ndërsa për prozën e shkurtër personalisht kam pasur mendim tjetër. Unë mendoj që ishin për tu treguar dy libra në prozë i VisarZhitit dhe Ridvan Dibrës, por pjesa tjerë e jurisë kishte mendim tjetër,u shpreh ai. Më tej shkrimtari tregon se: Unë mendoj se letërsia shqipe është në rrugë të mbarë. Jemi një vend i vogël dhe me gjuhë të shkëlqyer. Letërsia nuk është si korrjet në arë dhe atë që mbjell çdo vit atë do të korrësh, ajo është një proces që zhvillohet nga viti në vit. Janë fenomene që kërkojnë kohë historike për tu zhvilluar. Akademiku Jorgo Bulo fitues i çmimit Faik Konica tregon se: Mora çmimin Faik Konica për botim kritik të veprës së Çajupit. E ndjej veten të nderuar, sepse vlerësohet një punë e veçantë që është botimi kritik i autorëve të traditës, që synon ti japë lexuesit klasiken e letërsisë shqipe me një tekst integral. Me një tekst që përfaqëson vullnetin e autorit me një tekst që ruan plotësisht identitetin e autorit të tekstit. Ndërsa Preç Zogaj fitues i çmimit Lasgush Poradecitregon se mes tij dhe këtij poeti ekziston një lidhje për sa i përket poezisë. Libri Gjallë unë pashëështë një libër, të cilit i shkon ky çmim. Me Lasgushin mua më lidh lirizmi dhe ana artistike e erotikës. Unë e falënderoj jurinë. Poezia është një gjuhë e gjallë që nuk flitet, por njerëzimi do të ishte memec pa të. Unë e përshëndes politikën e Ministrisë së Kulturës për të promovuar poezinë, u shpreh Zogaj. Ndërkohë që aktualisht ai po punon për një tjetër roman. Unë kam një tjetër roman  që do të dalë shumë shpejt. Është një roman me temë nga vitet e fundit të regjimit të kaluar dhe vitet e para të hapjes në demokraci. Në roman është fati tragjik i një personazhi, që nuk realizohet në këtë mjedis shqiptar, tregon Zogaj. Përkthyesi anglez John Hodgson, fitues i çmimit "Jusuf Vrioni",  u shpreh se ishte shumë i prekur nga ky çmim. Veprat e autorëve shqiptarë janë mjaft të pëlqyera dhe në gjuhën angleze, madje më tepër ato kërkohen nga njerëzit të cilët e njohin Shqipërinë, ndërsa për të tjerët duken si vepra ekzotike, theksoi Hodgson. Ndarja e çmimeve  të Letërsisë përbehej nga një juri e përzgjedhur shkrimtarësh dhe kritikësh si  Zija Çela, Mark Marku, Mirela Kumbaro, Parid Teferici dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët përzgjodhën fituesit.
 

**************************************************************
 Pango: Letërsia Shqipe, përkrah zhvillimeve në letërsitë botërore

Ministri Pango në këtë ceremoni vlerësoi zhvillimin e letërsisë shqipe,duke theksuar se kjo është një tregues për vlerat e saj. Përhapja e Letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të ndryshme, është një tregues konkret për atë çka përfaqëson në vetvete Letërsia Shqipe, përkrah zhvillime në letërsitë evropiane dhe botërore, theksoi ai. Ndër të tjera ai u shpreh se: Tashmë është bërë traditë për publikun e gjerë, botuesit, njerëzit e letrave, të mblidhen së bashku në një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e librit, për të promovuar vlerat më përfaqësuese të artit të shkruar shqiptar, siç janë edicionet Çmimet Kombëtare të Letërsisë. Përkujdesja ndaj librit dhe krijuesve të tij, përbën një ndër obligimet kryesore të dikasterit tonë, duke e konsideruar librin, jo vetëm një ndër vlerat themeltare të kulturës sonë, por edhe si një dukuri që reflekton stadin e emancipimit shpirtëror të shoqërisë sonë. Po të vërejmë me kujdes ecurinë e kësaj veprimtarie përgjatë këtyre viteve, do të shohim se ky eveniment ka vlerësuar dhe promovuar emrat më të spikatur të Letërsisë Shqipe, ata që i kanë dhënë trajtën e duhur procesit letrar në vendin tonë. Më tej gjatë fjalës së tij përshëndetëse ministri Pango theksoi se vitit që lamë pas ishte një vit i suksesshëm për sa i përket botimeve. Viti që sapo lamë pas, shënoi edhe një nga kulmet e editorisë shqiptare. Mbi 1500 tituj veprash letrare të botuara në  gjininë e prozës, poezisë, kritikës, studimit, përkthimit etj, numri i madh i ceremonive promovuese, janë një tregues se opinioni publik dhe shoqëria shqiptare po ndërgjegjësohet dhe po priren kah vlerave më të mira e më të qëndrueshme.
Më lejoni të deklaroj se këtë vit, për herë të parë në gjithë historikun e këtyre edicioneve, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të akordojë Çmimin e Madh të Letërsisë, i cili ka për qëllim të evidentojë dhe vlerësojë atë vepër letrare e cila ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimet e Letërsisë bashkëkohore. Në fund të fjalës së tij titullari Pango u shpreh se mirënjohja dhe vlerësimi për punën e jashtëzakonshme që i është dashur të përballojnë përkthyesve të letërsisë sonë në gjuhë të huaja, do të jetë e përhershme dhe e kudondodhur.
 
*********************************************
 Fituesit e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë: 

-Çmimin i Madh i Letërsisë. Ky çmim iu dha shkrimtarit Ismail Kadare, për botimin e veprës së tij më të fundit me titull Darka e Gabuar.

-Çmimi Gjergj Fishta. Ky çmim, iu dha filozofit Artan Fuga për veprën Brirët e Dhisë, i cili me esenë e tij ka ndikuar në mënyrë të veçantë në mendimin kombëtar shqiptar.

-Çmimi Faik Konica. Ky çmim iu akordua shkrimtarit Jorgo Bulo me Veprën e plotë të Çajupit. Botim studimor dhe kritikë, që ofron zbulime dhe interpretime bashkëkohore në fushën e kritikës letrare.

-Çmimi Fan Noli. Ky çmim iu nda dy përkthyesve dhe personaliteteve të letrave shqipe për kontribut të rëndësishëm të letërsisë botërore. Këtë çmim e fiton Pashk Gjeçi (nuk jeton më) dhe Shpëtim Çuçka për përkthimin e veprës Fausti i Gëtes.<

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›