Zv.ministri italian i Shëndetësisë: Nuk ka trafik organesh në vend
Autoritetet e shëndetësisë italiane kanë reaguar pas dyshimeve të hedhura në media për trafik fëmijësh nga Shqipëria në Itali, ku më pas të miturve u merreshin organet.
Zv.ministri italian i Shëndetësisë, Ferruço Facio, ditën e djeshme në një deklaratë hodhi poshtë lajmet e tri ditëve më parë.
Në deklaratën e tij, Facio u shpreh se rrjeti italian i trapianteve është i padepërtueshëm dhe konform parametrave të BE-së.
Zv.ministri italian shtoi: “Të dhënat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë flasin se vendet ekstrakomunitare në të cilat është e mundur që të bëhen trapiantet, tani më janë të pakta”. Sipas tij, nuk mund të flitet më për një turizëm trapiantesh.
Para tri ditësh, Prokuroria e Romës nisi hetime mbi një trafik të dyshuar të minorenëve nga Shqipëria në Itali, për të mundësuar transplantime ilegale organesh. “Në vendin tonë, këto vitet e fundit, - është shprehur “Censis” (Qendra e Studimeve Sociale), - janë zhvilluar disa hetime nga prokurorët mbi raste të dyshuara të shitjes së organeve, por pa mundur që hetimet të arrijnë në prova konkrete”. Në një nga rastet më të fundit që citohet nga kjo qendër është hetimi që doktor Adelki Ipolito i Prokurorisë së Romës ka hapur në Shqipëri. Hetimi ka të bëjë me dyshimet për një trafik të mundshëm minorenësh, që dyshohej se ishin transferuar ilegalisht në Greqi dhe në Itali jo vetëm si vende transite, por edhe si destinacione finale ku bëheshin transplantet. Mësohet se ky hetim është në një fazë të rëndësishme dhe hetuesit presin rezultate të rëndësishme. “Por është ndryshe, - saktëson qendra italiane e Studimeve Sociale, - rasti i tregtisë ilegale të organeve. Ka prova të ndryshme të transplanteve të marra nga shtetasit italianë në vendet ku është bërë dhurimi i organeve. Në pjesën më të madhe të rasteve, italianët kanë shkuar në Indi për të marrë një organ, duke qenë se deri në vitin 1994, në atë vend, shitja e organeve ishte e ligjshme”. Për sa i përket rrjetit italian, kontrollet e parashikuara mund të ofrojnë garanci të mjaftueshme për të penguar futjen e një organi me origjinë të paligjshme në rrjetin ligjor të transplanteve të mjekësisë publike, por “situata mund të jetë ndryshe në rastin në të cilin hipotezohet ekzistenca e një trafiku klandestin të zhvilluar në spitalet private, jo zyrtarisht, në spitale të pajisura me aparatura të mira dhe që nuk dihet se ekzistojnë nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor italian”. Takimi i realizuar dje nga kjo qendër është botuar dje në website-in online të L’Unione Sarda.it.