Gruevski: Bisedimet Nimiç-Greqi, kyçe për "emrin"
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se bisedimet e ndërmjetësit të OKB-së Mattheë Nimetz me palën greke, janë "moment kyç", për të zgjidhur çështjen e emrit. Këto komente, gruevski i bëri ndërkohë që në Athinë po qëndron ndërmjetësi Nimetz, për t'u takuar me zyrtarët grekë. Kryeministri Gruevski konsideron se zgjidhja e çështjes së emrit varet nga Greqia. Ai tha të enjten se vendi i tij është i interesuar që kjo çështje të zgjidhej sa më shpejt, por qëndrimet e prera të Greqisë, sipas tij nuk lënë shumë hapësirë. Për këtë arsye, kryeministri Gruevski, konsideron se bisedimet e ndërmjetësit Nimetz me zyrtarët grekë janë të rëndësishme. Zyrtarët grekë janë të mendimit që emri i ri i Maqedonisë të përdoret në të giitha nivelet, madje dhe brenda Maqedonisë, e ndërsa për Shkupin zyrtar, kjo është absolutisht e papranueshme. Ndërmjetësi Nimetz në fillim të javës qëndroi në Shkup dy ditë dhe u takua me zyrtarët më të lartë të shtetit maqedonas. Ai la përshtypjen se po largohej me optimizëm. Ndër të tjera deklaroi se "pjesët e zgjidhjes janë të ditura, por nuk dihet saktësisht përmbajtja e tyre". Muajt e fundit janë shtuar presionet ndërkombëtare që jko cështje të zgjidhet sa më parë. Presionet bëhen pasi Maqedonia ka mbetur në vend në përpjekjet e saj për anëtarësim në NATO dhe BE, për shkak të kundërshtimit grek, që ajo të bëhet pjesë e këtyre organizatave pa përmbyllur çështjen e emrit.