E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruevski: Maqedonia nuk do të dorëzohet për integrimin e vendit

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me integrimin e vendit, ka deklaruar nga Boni i Gjermanisë se vendi i tij nuk do të dorëzohet nga kjo që ndodhi. Gruevski tha se Maqedonia do të vazhdojë të luftojë për integrimet euroatlantike.
"Pengesa ka dhe do të ketë. Thjesht fati i shtetit tonë është i tillë që të kemi më shumë pengesa se sa kanë shtetet tjera. Është e dukshme se çështja e Maqedonisë ende e ngarkon Ballkanin, veçanërisht disa shtete të Ballkanit. Ndonjëherë më duket se po jetojmë në shekullin e 19-të dhe jo në shekullin e 21-të dhe kërkesat që dëgjoj nga disa shtete, veçanërisht nga Greqia, duken sikur të jenë të para dy shekujve, ose si në fillim të shekullit 20, e jo në fillim të shekullit 21. Por, do të gjejmë forcë të ballafaqohemi edhe me këtë, do të gjejmë forcë t'i tejkalojmë edhe këto çështje", theksoi Gruevski. Ai nënvizoi se ajo që po bën Greqia në njëfarë mënyre do të ndikojë në humbjen e kredencoaleve të saj.
"Greqia nuk mundet që të bëjë gjithmonë atë që po bën. Kështu që, ne do të vazhdojmë me përpjekjet tona. Ne kemi një axhendë të qartë, të projektuar drejt integrimeve euroatlantike dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë plan", është shprehur kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›